Të paktën 1,144 fëmijë janë vrarë ose plagosur në Ukrainë gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2026, duke shënuar numrin më të lartë të viktimave në mesin e fëmijëve për këtë periudhë në gati katër vjet, ka bërë të ditur UNICEF-i.
Sipas të dhënave të publikuara nga kjo organizatë, nga janari deri në tetor janë vrarë të paktën 114 fëmijë, ndërsa 1,030 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Kjo nënkupton se mesatarisht më shumë se tre fëmijë janë vrarë ose plagosur çdo ditë.
Vetëm gjatë muajit të kaluar, në të gjithë Ukrainën janë vrarë ose plagosur të paktën 146 fëmijë, një rritje prej 150 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
UNICEF-i thekson se numri i fëmijëve të vrarë gjatë vitit 2026 tashmë e ka tejkaluar me më shumë se 20 për qind totalin e vitit 2025, ndërsa numri i të plagosurve është rritur me afro 60 për qind.
Përfaqësuesja e UNICEF-it në Ukrainë, Anne-Claire Dufay, ka deklaruar se fëmijët po paguajnë një çmim të papranueshëm për luftën, duke paralajmëruar për pasojat fizike dhe psikologjike që mund të kenë plagosjet.
“Çdo fëmijë i vrarë është një jetë dhe një e ardhme e humbur, ndërsa çdo fëmijë i plagosur mund të përballet me pasoja të përhershme fizike dhe psikologjike. Fëmijët duhet të mbrohen, kudo që ndodhen”, ka thënë Dufay.
Organizata ka paralajmëruar se sulmet me raketa dhe dronë vazhdojnë t’i rrezikojnë fëmijët dhe familjet e tyre në shtëpi, shkolla dhe komunitete, përfshirë edhe zonat larg vijës së frontit.
Sipas UNICEF-it, më 2 nëntor një sulm ndaj një kompleksi shkollor në juglindje të Ukrainës, ku ndodhej edhe një strehimore nëntokësore për shpërndarjen e ndihmave humanitare, raportohet se la të vrarë 72 persona, ndërsa katër të tjerë vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur. Ndërkaq, më 13 nëntor, një 17-vjeçar u vra dhe tetë fëmijë të tjerë u plagosën nga sulmet në qytetin e Zaporizhzhias.
Përveç viktimave në mesin e fëmijëve, UNICEF-i ka ngritur shqetësimin edhe për sulmet ndaj infrastrukturës energjetike. Sipas të dhënave të verifikuara, gjatë vitit 2026 janë regjistruar 78 për qind më shumë sulme ndaj kësaj infrastrukture sesa gjatë gjithë vitit 2025.
Organizata paralajmëron se ndërprerjet e energjisë elektrike ndikojnë edhe në furnizimin me ujë dhe ngrohje, duke i vështirësuar më tej kushtet e jetesës për fëmijët dhe familjet e tyre.
UNICEF-i ka bërë thirrje për mbrojtjen e civilëve, veçanërisht të fëmijëve, si dhe të infrastrukturës jetike nga e cila varet jeta e tyre.
Burimi: botasot.info


