lobimi ne shba kosova rikthehet pas dy vjetesh a do te jape ballard partners rezultatet e pritura 6b00a8e4df1a9

Lobimi në SHBA, Kosova rikthehet pas dy vjetësh: A do të japë “Ballard Partners” rezultatet e pritura?

November 20, 2026
min lexim

Pas më shumë se dy vjetësh pa kompani të angazhuar për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova i është rikthyer përpjekjeve për të forcuar ndikimin e saj në Uashington, përmes një kontrate njëvjeçare me kompaninë amerikane “Ballard Partners”, në vlerë prej 600 mijë dollarësh.

Ky angazhim vjen në një periudhë kur marrëdhëniet me SHBA-në dhe mbështetja amerikane mbeten me rëndësi të veçantë për sigurinë dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.

Por, përtej pritshmërive që ka krijuar kjo kontratë, shtrohet çështja nëse angazhimi i kompanisë do të përkthehet në rezultate konkrete diplomatike dhe politike, apo do të mbetet vetëm një përpjekje për të përmirësuar komunikimin me administratën amerikane.

Analistët politikë Faton Mehmeti dhe Milazim Maraj vlerësojnë se rikthimi i lobimit është i rëndësishëm, por theksojnë se rezultatet do të varen edhe nga qartësia e objektivave dhe angazhimi i institucioneve të Kosovës.

“Angazhimi i kompanisë “Ballard Partners” është i domosdoshëm për përmirësimin e komunikimit me Uashingtonin”

Image

Analisti Faton Mehmeti

Rikthimin e Kosovës në lobim në Shtetet e Bashkuara e konsideron një hap të domosdoshëm, por edhe dëshmi se vendi ka humbur kohë të çmuar në raportet me aleatin e tij strategjik, analisti politik Faton Mehmeti.

Duke komentuar angazhimin e kompanisë amerikane “Ballard Partners” për lobimin e Kosovës në Uashington, përmes një kontrate prej 600 mijë dollarësh për një vit, Mehmeti thotë se Kosova nuk mund t’ia lejojë vetes që për më shumë se dy vjet të mos ketë një angazhim të mirëfilltë lobues në kryeqytetin amerikan, veçanërisht në një kohë kur Serbia vazhdon të investojë për forcimin e pozicionit të saj diplomatik.

“Rikthimi i Kosovës në lobim në Shtetet e Bashkuara është një hap i domosdoshëm, por njëkohësisht edhe një dëshmi se kemi humbur kohë të çmuar në raportet me aleatin tonë strategjik”, shprehet Mehmeti për “Bota sot”.

Megjithatë, analisti thekson se angazhimi i një kompanie lobimi nuk është zgjidhje automatike për problemet që Kosova ka në marrëdhëniet me SHBA-në. Sipas tij, lobimi mund të hapë dyer, të sigurojë takime dhe të krijojë mundësi komunikimi, por nuk mund ta zëvendësojë një politikë të jashtme të qartë dhe një qeverisje që ndërton besim me partnerët ndërkombëtarë.

Ai vlerëson se kontrata me “Ballard Partners” mund të ndikojë në përmirësimin e komunikimit me administratën amerikane, por paralajmëron se nuk duhet të krijohen pritshmëri që një kompani private mund t’i zgjidhë vetvetiu problemet politike.

“Marrëdhëniet strategjike nuk riparohen vetëm me para, por me vendime politike, koordinim dhe respekt të ndërsjellë”, thekson Mehmeti.

Sipas tij, prioriteti i parë i institucioneve të Kosovës duhet të jetë rikthimi i besimit të plotë të Uashingtonit. Ai vlerëson se angazhimi diplomatik duhet të përqendrohet edhe në forcimin e partneritetit në fushën e sigurisë, sigurimin e mbështetjes amerikane për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, avancimin e njohjeve të reja dhe kundërshtimin e fushatës diplomatike të Serbisë.

Një tjetër çështje që Mehmeti e konsideron të rëndësishme është mënyra se si do të matet suksesi i kontratës prej 600 mijë dollarësh. Ai kërkon që qytetarët të informohen për rezultatet konkrete të këtij investimi dhe jo vetëm për numrin e takimeve apo materialeve të shpërndara në Uashington.

“Nuk mjafton të na thuhet se janë zhvilluar dhjetëra takime apo se janë shpërndarë materiale në Uashington. Qytetarët duhet të dinë se çfarë rezultatesh konkrete ka prodhuar investimi prej 600 mijë dollarësh”, deklaron analisti.

Në fund, Mehmeti thekson se Kosovës i duhet një diplomaci shtetërore e qëndrueshme dhe jo vetëm angazhim lobues në momentet kur përballet me vështirësi në raportet ndërkombëtare.

“Kosova ka nevojë për më pak propagandë politike dhe më shumë diplomaci shtetërore. Amerika nuk është një adresë ku shkohet vetëm kur kemi probleme; ajo është partneri strategjik me të cilin duhet të ndërtojmë marrëdhënie të qëndrueshme, pavarësisht se kush është në pushtet”, përfundon Mehmeti.

Maraj: Marrëdhëniet me Uashingtonin janë jetike për sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe integrimin ndërkombëtar të Kosovës

Image

Analisti Milazim Maraj

Rikthimin e Kosovës te angazhimi për forcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes kontratës me kompaninë lobuese “Ballard Partners”, e vlerëson si një zhvillim pozitiv, por të vonuar, analisti Milazim Maraj.

Sipas tij, fakti që Kosova për më shumë se dy vjet nuk ka pasur kompani të angazhuar për lobim dhe përkrahje në SHBA ka përbërë një hendikep për vendin, veçanërisht në një periudhë me sfida të shumta politike, ekonomike dhe diplomatike.

Maraj thekson se “Ballard Partners” ka afërsi me Partinë Republikane dhe ndikim në qarqet politike amerikane, çka, sipas tij, mund ta bëjë këtë angazhim të rëndësishëm për interesat e Kosovës.

“Çmimi i kontratës është natyrisht i lartë, por kjo kompensohet nëse kontrata është me interes”, shprehet ai, duke shtuar se marrëveshja është shpresëdhënëse, por rezultatet do të varen nga përmbajtja e saj dhe objektivat konkrete të përcaktuara mes palëve.

Analisti vëren se deri më tani nuk është bërë publike se cilat janë kërkesat e Kosovës dhe çfarë zotimesh ka marrë përsipër kompania amerikane për realizimin e tyre. Sipas tij, pikërisht përmbajtja e kontratës do të tregojë nëse ky angazhim do të sjellë përparim konkret në marrëdhëniet dypalëshe.

Duke folur për raportet e deritanishme me Uashingtonin, Maraj vlerëson se qasja e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti ndaj SHBA-së gjatë më shumë se dy viteve të fundit ka qenë zhgënjyese, si në aspektin moral, ashtu edhe në atë strategjik. Për këtë arsye, ai e konsideron rikthimin e Qeverisë drejt SHBA-së si një korrigjim të rëndësishëm dhe, njëkohësisht, si pranim të gabimeve të bëra në politikën e jashtme.

Ai rikujton edhe deklaratën e mëhershme të kryeministrit Kurti në Kuvend, sipas së cilës SHBA-ja e përkrah Kosovën vetëm për shkak se shqiptarët janë populli më antirus. Maraj e cilëson këtë deklarim si të gabuar, duke theksuar se përkrahja amerikane ndaj Kosovës ka qenë shumë më e gjerë dhe ka përfshirë mbrojtjen e popullit shqiptar, shpëtimin e tij dhe ndërtimin e shtetësisë së Kosovës.

Megjithatë, ai shpreh pritshmëri se angazhimi i “Ballard Partners”, duke marrë parasysh përvojën dhe afërsinë e kompanisë me presidentin Donald Trump dhe Partinë Republikane, mund të ndikojë në përmirësimin e raporteve me SHBA-në.

Maraj thekson se Kosova përballet me pengesa në rrugën drejt integrimit në institucionet ndërkombëtare, ndërsa ndikimi diplomatik amerikan në këtë proces është i rëndësishëm. Sipas tij, forcimi i pranisë amerikane përmes investimeve dhe projekteve me interes të përbashkët do të mund të kontribuonte edhe në sigurinë afatgjatë të vendit.

“SHBA mbron interesat dhe investimet e veta”, vlerëson Maraj, duke argumentuar se Kosova duhet të shndërrohet në një zonë me interes të veçantë amerikan në Gadishullin Ilirik dhe në raport me Bashkimin Evropian, ashtu siç e përshkruan ai pozitën e Izraelit në rajonin arab.

Në analizën e tij, Maraj ndalet edhe te ndikimi i zhvillimeve gjeopolitike në Kosovë dhe Shqipëri, duke ngritur shqetësimin për ndikimin e Rusisë, Serbisë dhe aleatëve të tyre. Ai konsideron se mungesa e investimeve perëndimore ndikon edhe në zhvillimet demografike të Kosovës, ndërsa stabiliteti politik është një nga kushtet kryesore për tërheqjen e investimeve nga Perëndimi.

Në fund, analisti thekson se zhvillimi ekonomik, fuqizimi politik dhe rritja e peshës diplomatike të Kosovës janë procese që ecin më ngadalë pa përkrahjen amerikane. Ai veçon investimet në energji me çmime të përballueshme dhe rritjen e kapaciteteve të sigurisë, veçanërisht në një kohë kur Serbia po armatoset dhe kur, sipas tij, ndikimi i Kinës dhe Rusisë në rajon mbetet shqetësues.

“Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në janë jetike, andaj forcimi dhe zgjerimi i tyre janë detyrë dhe obligim i çdo qeverie në Kosovë”, përfundon Maraj.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

shporta sindikale mbi 70 mije ajo e qeverise 59 149 denare durmishi paralajmeron gjoba deri ne 200 mije euro per tregtaret 6b00a855d9046
Lajmi i mëparshëm

Shporta sindikale mbi 70 mijë, ajo e qeverisë 59.149 denarë! Durmishi paralajmëron gjoba deri në 200 mijë euro për tregtarët

guvernatori sejko permbyll takimin me misionin e fmn se diskutohet ekonomia shqiptare 6b00a94418d86
Lajmi i radhës

Guvernatori Sejko përmbyll takimin me misionin e FMN-së, diskutohet ekonomia shqiptare

Të fundit nga

ShkoLartë