Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar kanë përmbyllur negociatat për rikthimin e Britanisë së Madhe në programin Erasmus+ nga viti 2027, si dhe për krijimin e një skeme të re që do t’u mundësojë të rinjve të të dyja palëve të qëndrojnë deri në tre vjet në vendin e njëri-tjetrit.
Lajmin e ka bërë të ditur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në kuadër të Samitit BE–Mbretëria e Bashkuar, të mbajtur më 20 nëntor 2026.
Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, rikthimi i Mbretërisë së Bashkuar në Erasmus+ nga viti i ardhshëm do të krijojë mundësi të reja për studentët, mësimdhënësit, praktikantët dhe të trajnuarit, si në Britani, ashtu edhe në vendet e Bashkimit Evropian.
Përveç kësaj, BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë përmbyllur negociatat për një Skemë të Përvojës Rinore (Youth Experience Scheme). Kjo skemë parashikon që deri në 100 mijë të rinj nga secila palë të kenë mundësi të qëndrojnë deri në tre vjet në vendin tjetër.
Gjatë kësaj periudhe, ata do të mund të punojnë, studiojnë, angazhohen në aktivitete vullnetare ose të udhëtojnë.
Von der Leyen theksoi se këto mundësi synojnë afrimin e qytetarëve të të dyja palëve, krijimin e përvojave të reja dhe ndërtimin e miqësive afatgjata.
Burimi: botasot.info


