Presidenti Xi Jinping theksoi të premten që Kina dhe Australia duhet të jenë partnere që i besojnë njëra-tjetrës dhe e ndihmojnë njëra-tjetrën që të arrijnë sukses, ndërsa të dy vendet nuk kanë probleme historike ose konflikte të interesave themelore.

Marrëdhëniet Kinë-Australi janë aktualisht të qëndrueshme, tha Xi gjatë takimit me kryeministrin australian Anthony Albanese në Shenzhen të provincës Guangdong të Kinës Jugore, pas pjesëmarrjes në Takimin e 33-të të Liderëve Ekonomikë të APEC-ut, që u zhvillua nga e mërkura deri të enjten.
Ndërsa vitin e ardhshëm shënohet 55-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Australisë, Xi u bëri thirrje të dyja palëve të arrijnë përparim më të madh në marrëdhëniet mes tyre nga një pikënisje e re.
Ai u shpreh më tej që, në një botë të paqëndrueshme dhe të trazuar, të dy vendet duhet të rrisin besimin e ndërsjellë, të mbajnë parasysh interesat thelbësore dhe shqetësimet kryesore të njëri-tjetrit dhe të ruajnë drejtimin e duhur të miqësisë dhe bashkëpunimit.
Xi bëri thirrje për thellimin e bashkëpunimit me dobi të ndërsjellë gjatë realizimit të objektivave përkatës të zhvillimit të të dy vendeve, përparimin e bashkëpunimit tradicional në bujqësi, energjetikë dhe industrinë minerare, si edhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushat e reja, si ekonomia e gjelbër, energjia e re, industria digjitale, inteligjenca artificiale (AI) dhe reagimi ndaj ndryshimeve klimatike.

Ndërsa Albanese tha se përmirësimi dhe zhvillimi i marrëdhënieve Australi-Kinë u shërben interesave të të dyja palëve dhe sjell përfitime konkrete për popujt e të dy vendeve.
Ai theksoi që pala australiane është e gatshme të mbajë shkëmbime të ngushta të nivelit të lartë me palën kineze, të forcojë bashkëpunimin praktik në tregti, investime, AI dhe fusha të tjera e të thellojë shkëmbimet njerëzore, duke treguar respekt të ndërsjellë dhe duke i trajtuar si duhet dallimet, me qëllim që marrëdhëniet Australi-Kinë të bëhen një shembull për zhvillimin e marrëdhënieve konstruktive nga vendet me sisteme të ndryshme.
Burimi:TV21


