Teuta ka harruar të fitojë teksa ditën e sotme skuadra e drejtuar nga trajneri Edi Martini ka koleksionuar disfatën e katërt radhazi duke qenë se në stadiumin e Egnatias u mposhtën me rezultatin 2-3.
Në fakt, ndeshja nisi mirë për Djemtë e Detit të cilët gjetën të parët rrugën e rrjetës teksa kaluan në avantazh me anë të Albano Aleksit. Mesfushori lëshoi një silurë nga jashtë zonës duke e bërë të kotë përpjekjen e portierit Dajsinani. Megjithatë, kurbinasit tentuan të reagonin dhe në minutat në vazhdim Mazrekaj me Shehun provuan të shqetësonin portierin Qirko, por pa sukses.
Gjithsesi, goli ishte në “ajër” dhe Laçi gjeti barazimin me anë të Ardit Deliu në minutën e 48, i cili u tregua i shpejtë për të surprizuar mbrojtjen durrsake. Kështu, me rezultatin 1-1 u mbyll pjesa e parë, ndërsa në fraksionin e dytë, të besuarit e trajnerit Mirel Josa ishin më të vendosur për të dalë me pikët e plota nga kjo përballje. dhe, momemti vendimtar ishte në minutën e 61 teksa Kotobelli ndërhyn gabimisht ndaj Zarubicës në minutën e 61. Arbitri Bastari fillimisht nuk akordon faull, mirëpo pas ndërhyrjes së VAR-it, gjyqtari kryesor jep penalltinë për miqtë.
Nga pika e bardhë, Saliu Guindo nuk gabon dhe shënon duke dërguar topin në një anë dhe portierin Qirko në anën tjetër. Sakaq, sulmuesi nuk u ndal vetëm me golin nga penalltia pasi në minutën e 73 shënon edhe golin e tretë për Laçin dhe të dytin personal teksa këtë herë mposht me kokë gardianin Qirko.
Gjithsesi, në minutën e 80, Teuta provon të rihapë llogaritë e ndeshjes, teksa shënon me anë të Rubin Hebajt. Por, për të vendosur përfundimisht pikët në kasafortë, në minutën e 96, Ardit Deliu realizon një kryevepër duke shtangur portierin Qirko.
Megjithatë, goli shkodranit shërbeu vetëm për statistika duke qenë se rezultati nuk ndryshoi deri në fund teksa kurbinasit në këtë formë marrin vendin e dytë në klasifikim me 31 pikë, ndërsa Teuta mbetet në vendin e 6 me 18 pikë të grumbulluara pas 17 javëve të luajtura.