Shoqëria “Furgon”

Të habit lehtësia me të cilën marrim çdo gjë, flasim pa e vrarë mendjen njësoj si për pulën, për vezën, në dash dhe për gjëra tepër të mëdha, siç është lufta dhe paqja. I vëmë pikën gjësë pa u menduar dy herë. Kot ka qenë ajo fjala e urtë “mat shtatë herë e pre njëherë”. Po e nisim me një episod grotesk. Tre udhëtarë të rastësishëm, që nuk njiheshin me njëri-tjetrin, në një furgon, vetëm në tridhjetë kilometra rrugëtim, ua bënë trutë dhallë bashkudhëtarëve të tjerë, duke i bërë gjyqin gjithë botës, me të madh e të vogël. Zunë të përflisnin me nge krejt funksionarët lokalë të asaj zone, me emër e mbiemër, me shifra “konkrete” vjedhjesh, e çuan pastaj stekën lart e më lart duke përfshirë në afera korruptive ministra e kryeministra, të parë e të mbramë, që sipas këtyre furgonistëve kishin marrë rryshfet shuma marramendëse. SPAK-u as që iu afrohej atyre me dosejt e tij. I dinin aq mirë punët e Shqipërisë, por po aq mirë njihnin dhe luftën në Ukrainë, çmimet në Mal të Zi, Maqedoni, edhe pse nuk kishin shkelur kurrë atje. Nuk është se ata njerëz nuk i ceknin ashtu në përgjithësi disa problematika sociale, por çeshtja është te lehtësia me të cilën ne shqiptarët e sotëm iu qasemi gjërave, duke thashethemuar tokën. Njëlloj siç shahemi e lavdërohemi përditë mes nesh, nga tribunat politike në rrjetet sociale. Kjo është moda sot, në një anë lajka pafund, në tjetrën mllef pa cak. Në jo pak raste, pavarësisht zërave mediatikë të kultivuar, nuk i shpëtojnë kësaj “zallamahie” dhe studiot e debateve televizive çdo mbrëmje, që normalisht duhet të jenë shkollë e komunikimit publik.

Pra, ngado që ta kapësh, një shoqëri “furgon”, ku flitet për çdo gjë e gjithçka dhe ku askush nuk mban përgjegjësi për ato që thotë publikisht. Ende pa u shqiptuar mirë në Itali emri i Elsa Lilës nga autoritetet policore, të gjithë ne këndej, o kundra, o pro saj. Si është e mundur që nuk lihen ujërat të rrjedhin, të qartësohen dhe pastaj të flitet për ndodhitë nga ata që janë të mirinformuar dhe jo o burra në “kor” kush e ngre zërin më lart! Pse duhet të përbëjë lajm për mbarë shqiptarët deri në diasporë implikimi i mundshëm në krim i një artisteje, sado e famshme të jetë? Apo ne mezi i presim çikërrimat rastësore të VIP-ve, për t’i fryrë e thashathemuar, a thua se ata kanë cenuar moralin kolektiv me atë që kanë bërë si individë. “Paparacë” të tillë që rrinë me veshët ngrehur për të kapur “skupe” nuk i hynë në punë askujt. Shoqëria s’ka pse të mbetet peng i kotësive apo vogëlsive të jetës së cilitdoqoftë, artist apo politikan.

Habia është se has të njëjtën mendësi e gjuhë rruge, si në furgon, si në zyrat e larta të shtetit. Gjëja më e mirë që ka ndodhur këto kohë janë pa medyshje protestat qytetare, tepër civile, që zhvillohen në Tiranë (ndërkohë që në Athinë, vend i BE-së, protestohet me traktorë në bulevard dhe sheshin para Kryeministrisë), por nuk mendon kështu Kryeministri ynë dhe as ministrat e qeverisë së tij. Çfarë nuk ka thënë ai për protestuesit, duke i mbuluar me “turp”, se demek protestat kundra rritjes së çmimeve të ushqimeve, naftës dhe energjisë janë “karburant” për makinën e luftës së Putinit, pra çojnë ujë në mullirin e armikut. Ndërkohë mbulohet me lavde qeveria që kinse ua ka mbledhur bisneseve që abuzojnë me çmimet, ku sipas tregtarëve të vegjël, ata të mëdhenj nuk i kanë ulur ato aspak(!) Kështu do të shkojë kjo punë, si në të kaluarën moniste, shefat atje lart gjithnjë të mirë dhe të pagabueshëm, që shkrihen për popullin dhe njerëzit poshtë të pabindur, që i sjellin vazhdimisht shqetësime udhëheqjes me kërkesat e tyre?! Ku, pra, ta kërkosh ndryshimin, qytetarinë e pjekurinë e shoqërisë, që kumtimet tona publike të mos jenë si flaka e kashtës, që shuhet përnjëherësh pa u ndezur mirë. Njerëzit nuk kanë nevojë për tollumbace, sidomos ata që punojnë fort dhe nuk merren me punët e të tjerëve. Por këta njerëz sot duhen “zbuluar” në frontet e tyre të punës, që mund të jenë: një fermë agroturizmi avangardë, një biznes prodhues ngritur me mundim, apo thjeshtë një tufë dhishë në mal, këtyre duhet t’iu shkojnë pas kamerat dhe jo politikanëve e zyrtarëve, që bëjnë “adetin” me prononcime para mikrofonave, sa herë kjo gjë iu nevojitet për të mbrojtur veten apo nderin e institucionit që drejtojnë.

Është risi përpjekja mediatike për t’iu përgjigjur aty për aty zhvillimeve ditore (përtej kronikës) përmes debatesh në studiot e televizioneve, siç ishte për dy vite rresht pandemia e Coronavirusit, siç janë tani protestat e qytetarëve, siç kanë qenë emisionet për rastet e rënda të kriminalitetit, aksidenteve rrugore, apo eventet e rëndësishme politike, kulturore etj., por kjo nuk do të thotë që të “prodhohen” me doemos ngjarje të mëdha përditë, edhe kur nuk ka të tilla e ekranet mund të mbeten bosh. Zhvillimet politike të një selie apo të një tjetre nuk janë argument që mund të zënë përnatë studiot e debateve, portalet dhe rrjetet sociale. Është thënë sa herë se Shqipëria është përtej perimetrit të kryeqytetit dhe se ngjarjet e atjeshme tashmë janë jashtë rrezes mediatike, politike po se po. Keni parë ndonjë emision televiziv të drejpërdrejtë ku të flitet për plugimin e tokës dhe mbjelljet e pranverës? Apo ky nuk është më një problem kombëtar, pasi drithin e importojmë nga Serbia, Ukraina, Rusia dhe bukën e kemi të siguruar? Po ndonjë kamër që të hyjë në thellësi të galerive të kromit në Bulqizë apo Tropojë, ku ka pasur aksidente me vdekje të minatorëve dhe debat televiziv për këtë katastrofë njerëzore, nëntokësore që nuk po i ndahet tranzicionit? Kanë hyrë reporterët e terrenit apo ata të qendrës nëpër kullat e braktisura, ku nuk ka më këmbë të riu, por vetëm pleq të vetmuar? Raportohet në media se Shqipëria ka humbur 339 mijë ha pyje, por as kjo nuk shihet si një temë për t’u rrokur gjerësisht, me qëllim jo vajtimin por ripërtërirjen e tyre. E njëjta dhe me masivet e drurëve frutorë, ullishtet dhe agrumet e rivierës, vreshtat e famshme si ajo e Shtojit që nuk ekzistojnë më etj. Jo, asgjë nga këto, edhe pse janë probleme të mëdha të shoqërisë së sotme. Nga ana tjetër, nuk ka resort turistik, sado larg të jetë në male, që nuk është vizituar disa herë nga emisionet e ndryshme televizive, në emër të promovimit të agroturizmit dhe kulinarisë vendase, çka në vetvete nuk ka ndonjë të keqe, por jo të “ngecë” kamera veç te fërliku e byreku me hith. Ka katër vite që është folur në media për njëqind fshatrat, nga Lazarati në Valbonë, që do të bëheshin nga qeveria brenda një afati të shkurtër. Publiku nuk është i informuar se si ka shkuar ky projekt, që sa dimë ne, disa sosh nuk janë bërë. A do t’ia vlente një investigim rreth këtij projekti dhe ndonjë debat televiziv rreth tij?

Po që po shuhen në vetmi të plotë qytete antike si Zgërdheshi (afër Fushë-Krujës) a ndihet ndokush? Teksa është kënaqësi të vizitosh të ngjashmit e tij, Ulpjanën në Kosovë dhe Dioklenë në Mal të Zi. Podgorica nuk mund të kuptohet pa vizitorët e arkeologjisë së Dukljes, kurse Tirana apo Kruja bëjnë dhe pa Zgërdheshin historik vetëm një vrap pele larg tyre. Emisioni “Gjurmë Shqiptare” i një gazetari të apasionuar pas historisë dhe trashëgimisë zbulon realitete të hershme shqiptare dhe në Nish e Sanxhak, shpesh me kamera të fshehtë, ngaqë nuk e lejojnë të filmojë, kurse institucioneve tona shtetërore, që paguhen dhe përgjigjen për trashëgiminë, ka gjasë të mos zotërojnë mirë as inventarin e saj. Dom Nikë Ukgjini jep përditë alarmin për shkatërrim monumentesh të rëndësishëm në veri të vendit, duke dhënë vetë ndihmesë të pashoqe për shpëtimin e tyre në Shkodër e Lezhë. Mirëpo a ia ka drejtuar ndokush mikrofonin ministres së Kulturës për strategjitë në këtë lëmë dhe ndërhyrje emergjente në objekte të parikthyeshme monumentale? Cila media bëri nga terreni ndonjë speciale në vështrim kritik për këto thesare trashëgimore që po na turisin para syve, ndërkohë që po lartësohen në mënyrë marrëmendëse kullat shumëkatshe të Tiranës? Kuvendi i Shqipërisë as që bëhet fjalë të “kuvendojë” ndonjëherë se ç’po ndodh me katrahurën urbane. As me faktin që apartamentet nuk preken me dorë nga çmimet tepër të larta. Udhëheqësit tanë nuk duan t’ia dinë se të rinjtë ikin dhe ngaqë me të ardhurat e këtushme nuk e blejnë kurrë një shtëpi në Tiranë, Fier a Lezhë, përkundrazi s’e kanë problem të thonë “për një jetë më të mirë po ikin”!? Atëherë po iu themi: zotërinj qeveritarë, bëjuani jetesën njerëzve si tuajën dhe keni për të parë se askush nuk ka për të ikur nga ky vend. Por kjo është veçse një utopi këtu ndër ne.

Falë lehtësisë, e gjitha sot është e mundur. Shikoni se me çfarë lehtësie “bëhet” muzikë, me çfarë lehtësia njerëzit kanë lënë leximin e librit, ndërsa kanë ndërmarrë lapsin të shkruajnë libra individë pa kurrëfarë lidhje me të shkruarit, me çfarë lehtësie shpërndahen dekorata dhe tituj nderi nga gjithkush e për gjithkënd. Fiks si në një “furgon” ku këmbehen kalimtarët, por jo vlerat. Duket se shoqëria moderne veç konsumon dhe hera-herës është letërsia që të ndihmon për ta kuptuar më mirë atë. Nëse përifrazojmë një pasazh nga romani “Ujku i Stepës” të Hermann Hesses, në vend të muzikës do të hasësh zurnanë, në vend të gëzimit kënaqësinë e çastit, në vend të punës gjëra pa bereqet, në vend të pasionit të vërtetë lojërat e cekëta etj., ku një nga kurtizanet e kësaj vepre i drejtohet filozofit se e kupton fare mirë “neverinë e tij nga politika, pikëllimin për llomotitjen dhe kotësinë zhurmëmadhe të partive, të shtypit, dëshpërimin për luftën, për mënyrën se si mendohet sot, lexohet, ndërtohet, bëhet muzikë, festohen festat, organizohet arsimimi”, si për të thënë se kjo është tashmë shoqëria. E ka prekur ky lloj “moderniteti” dhe shkollën e nxënësit, të cilëve rrallë iu jepen detyra projektesh mësimore që lidhën me natyrën e gjallë e terrenin, duke u mjaftuar me kërkimin në internet!? Ky i fundit duket se ka zëvendësuar laboratorët dhe kabinetet mësimore të fizikës, kimisë, biologjisë, elektronikës etj.

Deri tash kemi shpresuar se këto dukuri janë të tranzicionit e do të kalojnë, shqiptarët do ta marrin seriozisht veten, trashëgiminë, ekonominë, politikën, kulturën, turizmin, çdo vlerë që ka të bëjë me të sotmen dhe të nesërmen, por jo. Ka gjasë që kështu të vazhdojmë edhe për do mote, si një shoqëri “furgon”, derisa të maturohet një elitë e re për të bërë ndryshimin e pritshëm, që dhe ne të vemi në hulli të Europës.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Forcat ukrainase thonë se kanë rifituar kontrollin e Makariv, në perëndim të Kievit

Story i radhës

22 marsi, Dita Botërore e Ujit

Të fundit nga

Partizani mposht Lubotenin

Partizani ka mposhtur Lubotenin në përballjen e vlefshme për xhiron e gjashtë të Ligës “Gjergj Kastrioti”,

AlbanianMacedonianEnglish