emerimi i yllka kukalajt ne oshish spahiu i pergjigjet bardh spahise menaxhere shume e mire opozita numeron kusherinjte 6aa6feb0a7345

Emërimi i Yllka Kukalajt në OSHISH/ Spahiu i përgjigjet Bardh Spahisë: Menaxhere shumë e mirë, opozita numëron kushërinjtë

September 13, 2026
1 minut lexim

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, i është përgjigjur akuzave të deputetit demokrat Bardh Spahia për emërimin e Yllka Kukalajt në drejtimin e OSHISH.

Në një reagim në Facebook, Spahiu ka shpjeguar arsyet që, sipas saj, kanë çuar në zgjedhjen e Kukalajt, duke u mbështetur te përvoja e saj profesionale në administrimin shëndetësor.

Spahiu thotë se Kukalaj nuk është zgjedhur për të mësuar nga e para funksionimin e institucionit, por për shkak se e njeh tashmë sistemin dhe përgjegjësitë që lidhen me drejtimin e tij.

Sipas ministres, Yllka Kukalaj është ekonomiste dhe ka drejtuar sektorin e buxhetit dhe pagave në Bashkinë e Krujës, përpara se të merrte drejtimin e spitalit të qytetit. Ajo ka qëndruar në këtë detyrë gjatë periudhave të rëndësishme, përfshirë tërmetin, pandeminë dhe rindërtimin e godinës së spitalit.

“Pse Yllka Kukalaj? Sepse në atë detyrë nuk më duhet dikush që ta mësojë punën. Më duhet dikush që e njeh atë”, shkruan Spahiu.

Ministrja i është përgjigjur edhe kritikave se Kukalaj është një person “anonim”. Sipas saj, ajo mund të jetë e panjohur në qarqet politike të Tiranës, por jo për spitalin që ka drejtuar dhe pacientët që kanë marrë shërbim gjatë viteve të saj në atë detyrë.

Një pjesë të reagimit Spahiu ia ka kushtuar edhe akuzave që lidhen me të afërmit e Kukalajt. Ajo e cilëson si një mënyrë të vjetër të sulmit ndaj grave që marrin poste publike, ku vëmendja largohet nga karriera dhe puna e tyre dhe përqendrohet te lidhjet familjare.

“Burrave u numërohen heroizmat. Grave u numërohen kushërinjtë”, shkruan ministrja.

Spahiu thotë se Kukalaj do të vlerësohet për punën që do të bëjë në OSHISH, njësoj si çdo drejtues tjetër që do të emërohet gjatë mandatit të saj.

Në fund të reagimit, ministrja e lidh emërimin me mënyrën se si synon të drejtojë institucionet shëndetësore, duke vendosur përpara, sipas saj, profesionin dhe interesin e qytetarit.

“Me mua profesionisti vjen përpara paragjykimit dhe qytetari vjen përpara koncesionit”, shkruan Spahiu, ndërsa shton se për këtë qasje nuk ka ndërmend të tërhiqet.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

kosova blindohet ja reagimi i policise se kosoves 6aa6fe3b0cb4d
Lajmi i mëparshëm

​“Kosova blindohet”, ja reagimi i Policisë së Kosovës

sekuestrohen ne libi rreth 100 mije pilula ekstazi me fytyren e gaddafit 6aa6ff1155b34
Lajmi i radhës

Sekuestrohen në Libi rreth 100 mijë pilula ekstazi me fytyrën e Gaddafit

Të fundit nga

ShkoLartë