Autoritetet libiane kanë sekuestruar një ngarkesë me rreth 100 mijë pilula ekstazi, të prodhuara në formën e kokës dhe shpatullave të ish-udhëheqësit të rrëzuar të Libisë, Muammar Gaddafi. Droga dyshohet se ishte kontrabanduar nga Evropa përmes detit.
Autoritetet e sigurisë në Tripoli njoftuan sekuestrimin e një ngarkese të madhe me pilula XTC (ekstazi), secila prej të cilave mbante imazhin e ish-diktatorit libian Muammar Gaddafi.
Fotografitë e publikuara nga një agjenci sigurie në Tripoli tregojnë thasë me pilula në ngjyrë kafe, të formuara në mënyrë të tillë që të ngjajnë me kokën dhe shpatullat e Gaddafit. Në sipërfaqen e tyre dallohen edhe tiparet karakteristike të fytyrës dhe veshjes së ish-udhëheqësit.
Sipas agjencisë Al Rada for Combating Terrorism and Organized Crime, e cila vepron nën Këshillin Presidencial me bazë në Tripoli, autoritetet morën informacion se një grup kriminal po planifikonte transportimin e drogës përmes detit.
Forcat e sigurisë e ndoqën ngarkesën deri në mbërritjen e saj në Libi, ndërsa më pas ndërhynë dhe e sekuestruan atë.
Sipas deklaratës së autoriteteve, oficerët ndërhynë pasi ngarkesa kishte mbërritur në vend dhe gjetën pilulat të fshehura brenda një furgoni transporti.
“Operacioni rezultoi në sekuestrimin e rreth 100 mijë pilulave XTC (ekstazi)”, thuhej në deklaratë.
Një numër të dyshuarish janë arrestuar dhe janë dërguar përpara prokurorisë, ndërsa autoritetet thanë se droga kishte mbërritur në një port libian pasi ishte transportuar nga një vend evropian, pa bërë të ditur emrin e vendit të origjinës apo portin e mbërritjes.
Sekuestrimi vjen në një kohë kur Libia po përballet me një rritje të rolit të saj si pikë tranziti për droga sintetike dhe lëndë të tjera narkotike, të destinuara për tregun vendas, Afrikën e Veriut dhe pjesë të tjera të kontinentit.
Një raport i publikuar në janar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC) paralajmëroi se grupet kriminale po përfitojnë nga paqëndrueshmëria politike dhe institucionale në vend.
Libia është përfshirë në një krizë të zgjatur që prej vitit 2011, kur Gaddafi u rrëzua gjatë kryengritjes së mbështetur nga NATO. Rënia e regjimit të tij u pasua nga vite konfliktesh të brendshme, ndarje politike dhe përplasje mes grupeve rivale.
Sot, vendi mbetet i ndarë politikisht. Në perëndim vepron Qeveria e Unitetit Kombëtar (GNU), e njohur nga OKB-ja, ndërsa në lindje dhe në pjesën më të madhe të jugut kontrollin e mban administrata e lidhur me komandantin ushtarak Khalifa Haftar.
Këshilli Presidencial me bazë në Tripoli ka ushtruar funksionin e kreut të shtetit që prej dialogut të ndërmjetësuar nga OKB-ja në vitin 2021, por ndarja mes strukturave rivale vazhdon të ndikojë në sigurinë dhe kontrollin e territorit.
Në këtë situatë të brishtë, grupet e trafikut të drogës kanë gjetur hapësirë për të shfrytëzuar dobësitë institucionale të vendit, duke e kthyer Libinë në një prej rrugëve të rëndësishme të kontrabandës së drogave sintetike drejt tregjeve të Afrikës së Veriut dhe më gjerë.
Burimi: botasot.info


