Deputetja e Partisë Demokratike në Shqipëri, Jorida Tabaku, ka kritikuar politikat fiskale të Qeverisë Rama dhe mënyrën se si është hartuar buxheti për vitin 2027, duke vënë në fokus ndikimin e tij në ekonominë e familjeve shqiptare.
Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Tabaku ka ngritur çështjen se çfarë përfitimesh sjell buxheti i ri për familjet që jetojnë me paga, pensionistët dhe bizneset e vogla.
Ajo ka theksuar se, përderisa qeveria flet për miliarda, qytetarët përballen me vështirësitë e përditshme ekonomike dhe detyrohen të llogarisin çdo shpenzim.
“Çfarë sjell buxheti 2027 për dy prindër që jetojnë me pagë? Për pensionistin që ndan pensionin mes ushqimeve, faturave dhe ilaçeve? Për biznesin e vogël që mban një familje?”, ka pyetur Tabaku.
Ajo ka bërë të ditur se në rubrikën e saj “Këndi i Fundjavës” analizon paketën fiskale dhe zgjedhjet politike që, sipas saj, qëndrojnë pas saj, duke vënë në diskutim se cilat kategori lehtësohen dhe cilat përballen me barrë më të madhe.
“Për mua, suksesi i një buxheti matet me paratë që u mbeten familjeve dhe shërbimet që marrin”, ka deklaruar Tabaku.
Në fund, deputetja u ka bërë thirrje qytetarëve të ndajnë mendimet e tyre lidhur me shpenzimet që u rëndojnë më së shumti në përditshmëri.
Burimi: botasot.info


