Pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë vendosur pranë shtëpisë së ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, në lagjen Velania të Prishtinës, ku së shpejti pritet mbërritja e tij.
Prania e policisë vjen në ditën e katërt dhe të fundit të vizitës humanitare të Krasniqit në Kosovë, e cila është mundësuar për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.
Krasniqi pritet të mbërrijë në shtëpinë e tij për të kaluar edhe orët e fundit pranë familjes, përpara kthimit në Hagë.
Vizita katërditore ka nxitur reagime emocionale dhe mesazhe solidariteti me familjen Krasniqi.
Pas përfundimit të qëndrimit në Kosovë, ish-kryetari i Kuvendit pritet të rikthehet sot në qendrën e paraburgimit në Hagë, ku po mbahet në kuadër të procesit gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Burimi: botasot.info


