Në prag të samitit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Vilnius, Lituani, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha më 10 korrik se Ankaraja ishte e gatshme ta ratifikonte protokollin për pranimin e Suedisë në aleancën ushtarake, duke i dhënë mbase fund një sage që është zvarritur më shumë se një vit.
Dy vende nordike, Suedia dhe Finlanda, të cilat në të kaluarën kanë qenë ushtarakisht të paanshme, aplikuan për anëtarësim në aleancë në maj të vitit 2022, pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt. Pastaj, në qershor të 2022-tës, në një samit në Madrid, NATO-ja i fitoi të dy vendet që t’i bashkoheshin asaj, pas ratifikimit nga çdo shtet anëtar.
Por, çfarë nënkupton ujdia e bërë mes Turqisë dhe Suedisë, dhe çfarë pengesa të tjera mund të ketë në rrugën përpara?
Drama para samitit
Në shumë aspekte, ekzistonte një ndjesi se do të kishte një përsëritje të asaj që ndodhi në samitin e Madridit. Asokohe, zërat që vinin nga Ankaraja ishin shumë negativë për atë se a do t’i lejonte Turqia, Suedinë dhe Finlandën, t’i bashkoheshin aleancës. Por, një ditë para tubimit në kryeqytetin spanjoll, të tri vendet u pajtuan për një memorandum trepalësh, me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, që shërbeu si ndërmjetës. Suedia dhe Finlanda u zotuan se do ta hiqnin embargon e armëve ndaj Turqisë, do t’i përditësonin legjislacionet kundër terrorizmit dhe do t’i ekstradonin individët (kryesisht kurdë), të cilët Turqia vlerëson se angazhohen në aktivitete terroriste.
Finlanda e përmbushi pjesën e vet të marrëveshjes dhe menjëherë iu bashkua NATO-s, në fillim të prillit. Por, Suedia ngeci, kryesisht për shkak të kundërshtimeve të Turqisë ndaj protestave të rregullta në Suedi, ku emigrantët kurdë protestonin kundër qeverisë së Erdoganit, si dhe për shkak të disa incidenteve me djegien e librit të shenjtë të islamit, Kuranit, që tërboi Turqinë dhe një pjesë të madhe të botës myslimane.
Por, sikurse në Madrid një vit më parë, një ditë para se samiti i 11-12 korrikut në Vilnius të fillonte, dhe pas paqartësive nëse do të kishte marrëveshje, Stoltenberg njoftoi përsëri për një marrëveshje të madhe – këtë herë një “kompakt” bilateral i sigurisë, apo marrëveshje, mes Suedisë dhe Turqisë, e cila, sipas të gjitha gjasave, do ta lejojë këtë të parën të bëhet anëtarja e 32-të e NATO-s.
Çfarë përfshin marrëveshja?
Në thelb, marrëveshja mbulon dy gjëra.
Së pari, Suedia dhe Turqia do të vazhdojnë të punojnë së bashku për ta luftuar terrorizmin. Këto dy vende do të takohen çdo vit në nivel ministrash dhe, sipas një komunikate të përbashkët pas takimit në Vilnius, Suedia do ta paraqesë një udhërrëfyes në takimin e parë në nivel ministrash, që me gjasë do të ndodhë në pranverë, “si bazë e luftës së saj të vazhdueshme kundër terrorizmit të të gjitha formave dhe manifestimeve, drejt zbatimit të plotë të të gjitha elementeve të Memorandumit Trepalësh”.
Së dyti, gjatë takimit në Vilnius, u dakordua që sekretari i përgjithshëm i NATO-s do të krijojë një pozitë të re brenda strukturave të NATO-s – një koordinator special kundërterrorizëm. Megjithatë, kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, e bëri të qartë në konferencë për media, pas bisedimeve, se Suedia nuk detyrohej të bënte zotime të reja, kur bëhej fjalë për dorëzimin e më shumë njerëzve, të cilët Turqia i cilëson terroristë.
Më herët, në ditën e njëjtë, zyrtarët e NATO-s nga shtete të ndryshme anëtare u pajtuan për planet e reja të mbrojtjes për ushtrinë e aleancës, duke shpjeguar se si blloku do ta mbronte veten, në rast të ndonjë sulmi. Për shumicën e anëtarëve të aleancës, kundërshtari i mundshëm do të ishte Rusia, por, Turqia nguli këmbë – dhe NATO-ja u pajtua – se aleanca do t’i merrte parasysh kërcënimet nga terrorizmi.
Zyrtarët e NATO-s, që nuk deshën të identifikoheshin sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin për këtë çështje, i thanë Radios Evropa e Lirë në Vilnius se bashkërendimi i NATO-s për këtë pikë nënkuptonte se Ankaraja ishte e përgatitur për të arritur marrëveshje me Suedinë.
Një shtytje e re e Turqisë për t’iu bashkuar BE-së
Më herët, gjatë ditës, presidenti turk befasoi paksa, duke kërkuar që Bashkimi Evropian t’ia ringjallte Turqisë fushatën e ngecur për anëtarësim në BE, si parakusht për anëtarësimin e Suedisë në NATO. Si pasojë, në komunikatën e lëshuar pas takimit në Vilnius, thuhej se “Suedia do t’i përkrahë në mënyrë aktive përpjekjet për ringjalljen e procesit të Turqisë për anëtarësim në BE, përfshirë modernizimin e Bashkimit Doganor BE-Turqi dhe liberalizimin e vizave”.
Për dallim nga të gjitha vendet kandidate për BE, Turqia ende nuk e ka një regjim të lirë të vizave me BE-në, gjë të cilën e ka dëshiruar që një kohë të gjatë. E njëjta vlen edhe për bashkimin doganor mes BE-së dhe Turqisë, i cili hyri në fuqi në fund të vitit 1995, por të cilin Turqia do të donte ta zgjeronte, për të përfshirë më shumë produkte dhe shërbime bujqësore. Në vitin 2016, Komisioni Evropian bëri një vlerësim për atë se si të modernizohet bashkimi doganor, por sikur në rastin e liberalizimit të vizave, 27 vendet anëtare të BE-së nuk e kanë arritur konsensusin e nevojshëm për të ecur përpara.
Suedia është, në fakt, ithtare e fortë e zgjerimit të BE-sëm dhe ka kohë të gjatë që e favorizon zgjerimin e BE-së me Ankaranë, megjithëse ka ende shumë skeptikë, në veçanti Austria, Qiproja, Franca, Greqia dhe Holanda.
U përfshi Charles Michel, president i Këshillit të BE-së, organit që i vendos prioritetet politike dhe strategjike të Bashkimit Evropian, i cili u takua me Erdoganin pas një pauze në bisedime mes presidentit turk, Kristerssonit dhe Stoltenbergut.
Pas bisedimeve të gjata, Michel shkroi në Twitter: “Eksploruam mundësitë për ta kthyer bashkëpunimin në kryevend dhe për t’i ringjallur marrëdhëniet tona”.
Ai, po ashtu, shkroi se i kishte dhënë detyrë Komisionit Evropian dhe Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, shërbimit diplomatik të BE-së, për ta dorëzuar një raport për atë se si të veprohet tutje.
Është e qartë se Turqia, pasi e pa procesin e zgjerimit të BE-së duke marrë hov me dhënien e statutit të kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë, vitin e kaluar, dëshiron të jetë pjesë e bisedimeve, po ashtu. Në fund, megjithatë, çdo proces varet se sa shumë dëshirë ekziston në Bruksel për zgjerim të mëtejmë, posaçërisht me një vend kaq të madh e të fuqishëm si Turqia.
Pra, a është kjo një marrëveshje e kryer?
Që të dy, Stoltenberg dhe Kristersson, thanë pas takimit se shpresojnë se protokolli për pranimin e Suedisë do të sillet në parlamentin turk për votim “sa më parë që është e mundur”, pa dhënë ndonjë afat specifik. Nëse dokumenti i pranimit nuk ratifikohet në korrik, atëherë mundësia tjetër më e hershme do të ishte tetori, kur parlamenti turk do të kthehej nga pushimi.
Pastaj, vjen çështja hungareze. Budapesti, gjoja në shenjë solidariteti me Turqinë, po ashtu ka dështuar ta ratifikojë marrëveshjen për pranimin e Suedisë në NATO, diçka që kërkohet të bëhet nga parlamentet e të gjitha shteteve anëtare. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s ua kujtoi të gjithëve se Hungaria ka shpjeguar disa herë se ajo nuk do të jetë vendi i fundit që jep dritën jeshile, ndërsa Kristersson foli me garanci nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, se Budapesti nuk do ta vonojë më shumë procesin.
Prandaj, ekziston një mundësi që të dyja, Turqia dhe Hungaria, do t’i përshpejtojnë të gjitha procedurat e kërkuara ligjore, dhe Suedia mund të bëhet anëtare e NATO-s jo më vonë se këtë muaj. Por, në një proces që është zvarritur më gjatë se që pritej, parashikimet mbase janë të pashpresa për sukses. Posaçërisht, duke parë që në ditët e fundit, policia suedeze tha se i ka marrë tri kërkesa të reja për djegien e librave të shenjtë, përfshirë Kuranin, para një xhamie në Stokholm./REL
Burimi: GAZETA.MK