Taravari kundërshton ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke thënë se asnjë parti shqiptare nuk është e lirë ta votojë atë. Sipas tij, ligji është i tillë që do të duhet të ndryshohet sërish pas 20 vjetësh.
“Nuk ka parti politike shqiptare që nuk është e kapur dhe që mund ta votojë këtë ligj, pak të ketë ndërgjegje, vetëdije një parti politike shqiptare të sjellë një ligj të këtillë, pastaj prapë 20 vitet e ardhshme do të duhet ta ndryshosh këtë ligj. Nuk besoj se ka deputet shqiptar që ka pak vetëdije, pak ndërgjegje se mund ta votojë këtë ligj”, tha Taravari.
Taravari thotë se edhe disa deputetë të VLEN-it janë të kënaqur që ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nuk po votohet, pasi kështu shmangin përgjegjësinë politike dhe stigmatizimin në të ardhmen për moszbatimin e tij.
“Unë nuk e besoj, flas personalisht, jo si politikan, po si njeri, se deputet që ka pak vetëdije nuk e voton këtë ligj. Unë e kuptoj se VLEN-i duhet ta votojë, por besoni se edhe ata gëzohen, disa deputetë të atyre thonë: “Shyqyr që s’e votoni ju, edhe ne jemi të liruar prej përgjegjësisë që do ta kemi nëse ligji votohet”. Disa deputetë të VLEN-it janë të lumtur që nuk do ta kenë përgjegjësinë politike të stigmatizohen në të ardhmen se nuk do të përfillet ligji”, deklaroi Taravari.
Projektligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili synon të rregullojë përfaqësimin e komuniteteve etnike në institucionet shtetërore, vazhdon të jetë i bllokuar në Kuvend. Në mungesë të një ligji të ri dhe mekanizmave të qartë për zbatimin e tij, nuk ka të dhëna të sakta se sa shqiptarë janë të punësuar në institucionet publike. Për këtë arsye, Arben Taravari i bëri thirrje publike VLEN-it që të publikojë numrin e shqiptarëve të punësuar gjatë kohës sa kjo përbërje është në pushtet. Ai gjithashtu shprehu dyshime për ligjin aktual, duke vlerësuar se ai nuk duhet të votohet në formën që është propozuar.
Burimi:TV21


