Sulmi mbi Ukrainën, sfidë për SHBA, NATO e BE dhe kërcënim për Ballkanin!

February 24, 2022
min lexim

Në mëngjes herët ( 24.02.2022), kur dëgjova për fillimin e ndërhyrjes së ushtrisë ruse në territorin lindor të Ukrainës, nuk ndjeva kënaqësi se më doli parashikimi im,në opinionin e botuar në “BOTASOT”, më 16 shkurt, me titull “Kriza e Ukrainës, fituesi  në “fushën”e tavolinës”, se tërheqja e demonstruar më 14-15 shkurt, mund të jetë thjeshtë një lojë. Saktësisht në këtë shkrim isha shprehur: “duke njohur mirë edhe natyrën aventureske dhe të pabesë të Putinit, nuk është për t’u përjashtuar kategorikisht edhe mundësia se pas “tërheqjes” propagandistike apo mashtruese, bëhet një xhiro për kamera e satelitë e pastaj ndodh…rikthimi e pushtimi”                                            

Pastaj, ndërsa vazhdoja të lexoja lajmet e para të sulmit, duke u dridhur nga emocioni keqardhës për viktimat e shumta nga të dy palët, më shpërthyen dy pyetja të sinqerta: Mirë që për mijëra jetët e humbura të bijve dhe bijave nga nënat ukrainase Putini nuk ka pikë dhembshurie, po për mijëra bijtë dhe bijat e nënave ruse, përsëri, nuk ndjen fare keqardhje e dhimbje???!!!

Po  Biden, Blinken, Lloid Austin, Jens Stoltentenberg, Boris Xhonson, Olaf Scholz, Emmanuel Macron …a janë zgjuar nga gjumi???!!!  Apo i shikojnë duke pirë ëiski e kafe skenat e aktit të parë të kësaj tragjedie europiane nëpër ekrane???!!! Apo kanë ngarkuar këshilltarët dhe ndihmësit e shumtë t’u përgatisin listën e sanksioneve dhe tekstet e deklaratave para kamerave?

Por, këto 8 vjet, pas aneksimit nga Rusia të Krimesë,  kanë vërtetuar se për Putinin sanksionet ekonomiko- financiare dhe dënimet e kërcënimet me deklarata janë si…fishekzjarre e si kilikosje në këmbë!

Njëherazi, sulmi mbi Ukrainë është një këmbanë alarmi e fortë, më shumë për Bosnjen dhe Kosovën! Vuçiç mund të trimërohet dhe tërbohet…! Kështu Putin i hap SHBA, BE, NATO- s edhe dy fronte e telashe të tjerë, duke ia lehtësuar vetes ndjeshëm barrën në Ukrainë…! Për këtë të shtyjnë të shqetësohesh edhe nga referimi i shpeshtë i Putinit për sulmin e NATO-s më 1999 kundër Serbisë, për të ndaluar fushatën genocidiste të Milosheviçit mbi popullin shqiptar në Kosovë dhe justifikimi i tij i palogjikshëmei pa bazë, me precedentin krejt të ndryshëm Kosovë( me 2-3% popullsi serbe)  me njohjen e dy krahinave ukrainase me popullsi ruse me përqindje të lartë, Donjeck dhe Luhansk. Çdo gjëmë mund të pritet e vijë nga llogaritë dhe skenarët e diktatorëve…dhe aventurierëve, që mijëra  jetët e njerëzve i vlerësojnë dhe llogarisin si gogla apo si rubla, në vlerat më të vogla!!!

Putinin e avantazhon edhe fakti se  ka gjet  apo ka pas vetes një popull në shumicë me bindje dhe nostalgji bolshevike dhe staliniste, që nuk i vjen keq as për jetët e fëmijëve të vet, nga nostalgjitë, ambicjet dhe aventurat e çmendura të tij! Kjo është fatkeqësi, së pari për vetë Rusinë dhe së dyti, për mbarë Europën! Si rrjedhojë e këtij fati, Putini, as mundohet  të mendojë më shumë që t’i harxhojë dhjetra e qindra miliardat rubla nga pasuritë kolosale të nëntokës dhe mbitokës ruse e nga burime të tjera, për të ngritur mirëqenien në nivelin alla shqiptar të rreth 150 milionë rusëve e sa më pak për armatime dhe luftë!!!

Një herazi, Putin është një diktator, i korruptuar, me miliarda rubla, euro apo dolllarë, stërlina, franga zvicerane…, të grumbulluara duke i gllabëruar nga djersa dhe gjaku i rreth 150 milionëve rusëve të thjeshtë, që mbijetojnë me paga e pensione disa fish më të ulta se ato të zviceranëve, gjermanëve, francezëve, holandezëve, belgëve, austriakëve, finlandezëve, danezëve, norvegjezëve, kanadezëve, amerikanëve, neozelandezëve, australianëve, japonezëve, jugkoreanëve…!

Duke u thelluar më tepër në fatin e Ukrainës dhe analizën e ngjarjeve të këtyre ditëve në këtë vend, m’u kujtua Samuel Huntington, (18 prill 1927 – 2008), një ndër shkencëtarët e studiuesit politikë më të njohur në Amerikë. Në librin e tij më të famshëm “Përplasja e qytetërimeve”,mes të tjerave, ai shprehej se “Ukraina është një vend i çarë, i ndarë së brendshmi përgjatë linjave historike, gjeografike dhe fetare, me Ukrainën perëndimore të vendosur në cepin evropian, dhe me Ukrainën lindore dhe Krimenë në orbitën e Rusisë Ortodokse. Sipas vizionit të tij, ai parashikonte se Ukraina “mund të ndahet përgjatë “vijës së thyerjes” në dy entitete të veçanta, lindja e të cilave do të bashkohet me Rusinë. Çështja e shkëputjes së pari do të shtrohet në Krime.” Si për të dëshmuar gjenialitetin e tij koha i dha të drejtë, së pari më 2014, me aneksimin nga Rusia të Krimesë dhe  me zhvillimet e rrezikshme e të frikshme të  këtyre ditëve, me kulm, tani për tani,  ato të dt.24 shkurt 2022.

Ato që lexova dhe pashë nëpër ekrane, sidomos fjalimi histerik dhe tejet agresiv i Putinit, mbushur me kërcënime jo vetëm për Ukrainën dhe pushtetarët e saj, më shtynë të mendoj me paranojë se diktatorët nuk ndalen të bëjne realitet ëndrra, ambicje dhe skenare monstruose, duke llogaritur dhe matur edhe reagimin e mundësinë e kundërshtarit, tani për tani, mundësi e paktë e reagim i vakët! Putin e di dhe e ka llogaritur, se, ndryshe nga ai vetë, SHBA, NATO, BE…nuk e duan dhe do të bëjnë shumçka për ta shmangur luftën botërore, prandaj ështe kaq aventurier, agresiv, mospërfillës, i lig, i pandjeshëm për gjëmat që mund dhe do t’i shkaktojë Ukrainës, Rusisë, Europës, mbarë botës…!

Veprimet agresive të këtyre javëve dhe ditëve të Putinit, nostaligjik i sëmurë apo i marrë  për hartën e Rusisë së carëve e të ish Bashkimit Sovjetik, shprehin apo dëshmojnë se carët, perandorët, mbretërit…, duke ditur se kanë popuj të bindur e të verbër për fanatizëm nacionalist apo racist, synimet aneksioniste i kanë pasur dhe i kanë në gjak apo gen…, pa u merakosur fare dhe pa ndjerë pike dhembshurie për viktimat e panumurta në jetë njerëzore… Putin është ngjashëm si një Hitler apo Stalin, diktator dhe car monstruoz  i shekullit 21! Si të tillë e  ndëshkoftë PERËNDIA dhe e pësoftë si idhulli i tij, Stalini apo edhe si Hitleri!

Po e përmbyll këtë shkrim të përshpejtuar, mbingarkuar me emocione njerëzorë, me një pjesë nga fjalimi i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, drejtuar në rusisht popullit rus, pak orë para nisjes së agresionit të ushtrisë së Putinit: “…Dëgjoni zemrën tuaj, zërin e arsyes. Populli i Ukrainës do paqe. Qeveria e Ukrainës do paqe. Po bën gjithshka që ka mundësi. Nuk jemi vetëm. Është e vërtetë, shumë vende mbështesin Ukrainën. E dimë me siguri se nuk na duhet lufta – as e ftohtë, as e nxehtë, as hibride. Por nëse trupat na sulmojnë dhe dikush përpiqet të na marrë vendin tonë, lirinë tonë, jetët tona, jetët e fëmijëve tanë, atëhere do ta mbrojmë veten.

Kur të na sulmoni do të shihni fytyrat tona, jo kurrizin.

Lufta është fatkeqësi e madhe dhe vjen me çmim të shtrenjtë. Njerëzit humbin paratë, reputacionin, lirinë, kushtet e jetesës, dhe më e rëndësishmja humbasin njerëzit e dashur dhe vetë jetën e tyre. Po ju thonë se Ukraina mund të jetë një kërcënim për Rusinë, Kjo nuk ka ndodhur kurrë në të shkuarën, nuk është tani dhe nuk do të jetë kurrë në të ardhmen.

Ju kërkoni garanci sigurie nga NATO. Por edhe kërkojmë garanci për sigurinë tonë. Sigurinë e Ukrainës, nga ju, nga Rusia… E di që televizioni rus nuk do të transmetojë fjalimin tim. Por qytetarët e Rusisë duhet ta shohin atë. Duhet ta mësojnë të vërtetën. E vërteta është se mund ta ndalojmë këtë përpara se të jetë shumë vonë!”

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

​Qyteti Mariupoli i Ukrainës nën sulm

Story i radhës

Acer përditëson laptopët Swift 3 dhe 5

Të fundit nga

Pesë pyetje për 2025-ën

Ndërrimi i administratës në Shtetet e Bashkuara, me Donald Trump që merr përsëri drejtimin pas Joe Biden më 20 janar 2025, do të sjellë ndikime të rëndësishme në politikën amerikane dhe globale.
ShkoLartë