Santi Canizares ka reaguar edhe një herë ashpër ndaj situatës dramatike që po kalon Valencia.
Ish-portieri legjendar i klubit dhe i kombëtares spanjolle, i ftuar në emisionin “Despierta San Francisco” (DSF), nuk i ka kursyer kritikat ndaj pronarit Peter Lim, duke e cilësuar menaxhimin e tij si shkatërrimtar për historinë dhe identitetin e klubit.
Cañizares, pjesë e Valencias së artë që fitoi titujt kampion në vitet 2002 dhe 2004, u shpreh i alarmuar për gjendjen aktuale të skuadrës. “Peter Lim vepron me arrogancë absolute dhe pa asnjë ndjeshmëri ndaj Valencias. Ajo që ka treguar ndër vite është interes zero.
Valencia është e plagosur për vdekje që nga momenti kur ai erdhi”, deklaroi ish-‘gardiani’ i portës së klubit spanjoll.
Sipas tij, klubi nuk ka nevojë të jetë në zonën e rënies nga kategoria për të dhënë alarmin, pasi dëmi tashmë është bërë.
“Po e shkatërrojnë klubin përmes braktisjes dhe menaxhimit të keq.
Asnjë institucion nuk del i paprekur nga një drejtim i tillë. Valencia, si kategori dhe si institucion, e ka humbur peshën që kishte”, theksoi Cañizares.
Ai shkoi edhe më tej, duke pranuar se një pjesë e tifozëve do të pranonin edhe rënien nga La Liga, nëse kjo do të sillte largimin përfundimtar të Peter Lim.
“Shumë tifozë nuk do ta kishin problem rënien, nëse kjo do të thoshte që Lim shet aksionet dhe largohet njëherë e mirë.
Çdokush tjetër që do të vinte me kapital dhe vizion, do të ishte i mirëpritur”, përfundoi Cañizares.
Burimi: botasot.info


