Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbështetur propozimet që Kanadaja të bëhet “anëtare e asociuar” e Bashkimit Evropian.
Von der Leyen tha të mërkurën në Parlamentin Evropian se dëshiron të punohet për “hapjen e derës” për Kanadanë, që do të nënkuptonte lidhje më të ngushta në sektorë të ndryshëm kyç.
Kryeministri kanadez Mark Carney javën e kaluar tha se po synon krijimin e një “aleance unike” me BE-në. Kanadaja aktualisht përballet me marrëdhënie të tensionuara me SHBA-në, të përkeqësuara nga mosmarrëveshjet në rritje për tregtinë.
Pa përmendur me emër presidentin amerikan Donald Trump, von der Leyen tha se ofrimi i një forme anëtarësimi në BE për Kanadanë “nuk është një partneritet kundër dikujt tjetër, por për forcën tonë të përbashkët”.
“Partneritetet janë një zgjedhje strategjike për Evropën. Por ato gjithashtu i përgjigjen përçarjes në sistemin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, tha ajo.
Carney ishte i pranishëm në fjalimin vjetor të von der Leyen në Strasburg dhe pritet t’i drejtohet Parlamentit Evropian të enjten.
Bisedimet tregtare mes Kanadasë dhe SHBA-së dështuan muajin e kaluar, duke shkaktuar një seri masash të reja tarifore. Deklaratat e përsëritura të Trumpit për ta bërë Kanadanë “shtetin e 51-të” kanë kontribuar gjithashtu në përkeqësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje, raporton BBC.
Burimi: botasot.info


