Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka takuar bashkatdhetarët dhe bashkëveprimtarët e partisë në Bruksel, në kuadër të një organizimi të Darkës së Lamës.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku falënderoi mërgatën për pritjen dhe theksoi kontributin e saj në historinë dhe zhvillimin e Kosovës.
Ai vlerësoi edhe organizimin nga dega e LDK-së në Beneluks, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të traditave shqiptare përtej kufijve të Kosovës.
Postimi i plotë:
Sonte, në Bruksel, mes bashkatdhetarëve dhe bashkëveprimtarëve të mi të LDK-së, u ndjeva si në shtëpi. Ju falënderoj për pritjen dhe për bisedat që patëm. E çmoj besimin tuaj dhe e di mirë çfarë përgjegjësie më ngarkon.
Një pjesë e historisë së Kosovës është shkruar në mërgatë, nga njerëz që ndërtuan jetën larg Kosovës dhe morën përsipër më shumë sesa u takonte për fatin e atdheut tonë. Edhe sot, mundi i tyre është vlerë e vendit tonë.
Faleminderit degës sonë të LDK-së në Beneluks që na mblodhi sonte rreth sofrës së Darkës së Lamës. Të shtrosh sofrën për tjetrin është ndër zakonet më të bukura të popullit tonë. Sonte, në zemër të Evropës, bashkatdhetarët tanë e shtruan sofrën e Darkës së Lamës. Kështu e çojnë kulturën tonë përtej kufijve të Kosovës dhe e bëjnë pjesë të jetës së qyteteve ku jetojnë.
Burimi: botasot.info


