Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, ka marrë pjesë në Akademinë Solemne kushtuar 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, e organizuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Sali, në një njoftim për aktivitetin, theksoi rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit të vitit 1908, duke e cilësuar atë si një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare.
“Si Zëvendëskryeministër i Parë, e konsideroj nder të veçantë që përmes kësaj akademie të kujtojmë një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, Kongresin e Manastirit të vitit 1908, ku intelektualët shqiptarë u bashkuan për t’i dhënë gjuhës shqipe një alfabet të përbashkët”, ka deklaruar Sali.
Ai theksoi se 22 Nëntori nuk përfaqëson vetëm një datë historike, por edhe simbolin e identitetit, unitetit dhe përpjekjeve ndër breza për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
“Detyrimi ynë është që këtë trashëgimi ta kultivojmë, ta avancojmë dhe t’ua përcjellim brezave të rinj, sepse gjuha shqipe është pjesë e pandashme e identitetit dhe e së ardhmes sonë”, u shpreh Sali, duke uruar të gjithë shqiptarët për Ditën e Alfabetit.
Burimi: alfax.mk


