Altin Gjeta komentoi vendimin e sotëm dhe pasojat e mundshme të tij, duke argumentuar se nëse ai mbetet në fuqi, mund të ndikojë në subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe në marrëdhëniet me Serbinë.
“Mendoj që vendimi i sotëm absolutisht është një ditë e zezë për Kosovën edhe për të gjithë shqiptarët dhe mendoj që pasojat e tij do të jenë negative në vitet e ardhshme. Mendoj që akoma një pjesë e rëndësishme e udhëheqjes politike në Prishtinë edhe në Tiranë nuk është e vetëdijshme për rëndësinë e këtij vendimi. Megjithatë, për të kuptuar pak më shumë këtë rezultat edhe pasojat e mundshme, unë do të ndalem në dy momente.
Së pari tek sfondi politik i ndërtimit të Dhomave të Specializuara, pra i Zyrës së Prokurorisë Speciale dhe i Gjykatës Speciale. Shiko, gjeneza e Dhomave të Specializuara fillon fill pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe në këtë moment perëndimi… u bë dominante do të thoja unë një ide, sipas së cilës tashmë shqiptarëve iu dha një gjë shumë e madhe, pra iu dha pavarësia dhe do të duhet që Serbia të kompensohet në raport me këtë.
Kjo ide ishte aq e rëndësishme, aq e përhapur në kancelaritë perëndimore në Bashkimin Europian por edhe në një pjesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, saqë filloi dhe u hartua e u formulua si politikë. Dhe shikoni, nuk është e rastësishme që fillesat e bisedimeve për ta ndërtuar Gjykatën Speciale konvergojnë me momentin e fillimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Perëndimi e kuptoi që nuk e zgjidhi përfundimisht çështjen e shtetësisë së Kosovës me shpalljen e pavarësisë, sepse serbët nuk e pranuan, nuk e pranoi Rusia, nuk e pranoi Kina, madje për ironi edhe një pjesë e rëndësishme e shteteve perëndimore, pra pesë vende të Bashkimit Europian.
Dhe e kuptoi që kishte dështuar në një farë mënyre të jepte një zgjidhje përfundimtare. Prandaj u angazhua në një proces tjetër, në një proces rinegocimi them unë të shtetësisë së Kosovës, dhe krijimi i gjykatës speciale jo rastësisht përputhet me momentin e fillimit të dialogut me Serbinë.
Në këtë kuadër, krijimi i Gjykatës Speciale ose ideja e krijimit të Gjykatës Speciale është në raport me përpjekjet e perëndimit për të joshur Serbinë, për ta kënaqur Serbinë, për ta akomoduar në aleancën perëndimore dhe në anën tjetër për të ushtruar presion ndaj udhëheqjes shqiptare në Kosovë, në mënyrë që të bënin koncesione në raport me Serbinë dhe në kornizën e dialogut. Dhe koncesione të tilla janë bërë.
Shiko, mendoj që është e rëndësishme ta kuptojmë këtë sfond. Dhe mandej vijmë tek pasojat. Pra, siç po thoja, është një përpjekje e perëndimit për ta vendosur në kënd Kosovën. Dhe zyra e EULEX-it ka hetuar për katër vite akuzat e Dick Marty-t, në raportin e Dick Marty-t, dhe arritën në përfundimin që nuk ka të dhëna për trafik organesh edhe trajtim çnjerëzor, por ka indicie që mund të jenë kryer krime. Pra është e qartë që EULEX-i dhe aktorët e rëndësishëm perëndimorë u angazhuan në ndërtimin e Gjykatës Speciale me një prapavijë, e cila do t’i vendoste në kurth udhëheqjen politike të Kosovës në mënyrë që ata të bënin lëshime në dialog. Dhe në mënyrë që Serbia të akomodohej në aleancën perëndimore. Çfarë ka ndodhur në këtë histori tashmë dihet.
Serbia as nuk është akomoduar në perëndim, as marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë normalizuar, madje ky vendim do të ketë ndikim negativ në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe mes shqiptarëve dhe serbëve, sepse praktikisht na kthen në një farë mënyre në pikën zero. Kosova dhe shqiptarët pa diskutim në të gjithë historinë janë përdorur mish për top, për interesat e rëndësishme gjeostrategjike. Dhe këtë duhet ta kuptojmë dhe shqiptarët duhet ta kuptojnë që bota nuk sillet rreth tyre.
Në fakt perëndimi kur është angazhuar në procesin shtetndërtues në Kosovë nuk është angazhuar përkundër kësaj idesë së përgjithshme popullore në Shqipëri dhe në Kosovë se ata janë angazhuar për të shpëtuar, për të ndërtuar një shtet vetëm për shqiptarët. Janë angazhuar për të ndërtuar një shtet për të gjitha etnitë. Prandaj edhe proceset vijuese, përfshirë edhe krijimin e Gjykatës Speciale, demonstrojnë që perëndimi është i angazhuar në një proces jo thjesht bamirësie në Kosovë, por në një proces i cili do t’i demonstronte botës që ata ishin të aftë të ndërtonin shtete të suksesshme, të tregonin fuqi ushtarake, politike, por edhe të arrinin të stabilizonin Ballkanin Perëndimor.
Tani vijmë tek pasojat. Unë mendoj që ky vendim, nëse do të mbetet në fuqi e në shkallë të tjera, pa diskutim që e dëmton subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Çfarë kuptojmë me subjektivitet ndërkombëtar? Kuptojmë njohjen e Kosovës. Shikoni, askush në kancelaritë perëndimore apo as në mediat ndërkombëtare nuk do ta theksojë këtë ndarjen shumë të sofistikuar mes krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës.
Por ato shtete të cilat e kanë njohur Kosovën me pahir, nën presionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, tashmë do të kenë një arsye më tepër që ndoshta të tërhiqen. Ato shtete të cilat nuk e kanë njohur akoma Kosovën, kanë një arsye shumë të fortë që të mos e njohin.
Dhe Serbia, jam i bindur, e ka shkruar memon dhe deklaratën shumë muaj më përpara dhe e ka dërguar në kancelaritë e rëndësishme perëndimore në gjithë botën dhe në kancelari të tjera në gjithë botën, duke argumentuar se shteti i Kosovës dhe legjitimiteti i shtetit të Kosovës qëndron mbi bazën e një ndërmarrjeje kriminale. Sigurisht për ne shqiptarët kjo nuk është e vërtetë, dhe i qëndrojmë kësaj ideje deri në fund, por unë po flas si do të luhet loja në arenën ndërkombëtare.
Së dyti, pa diskutim do të ketë efekte në revizionimin në një farë mënyre të historisë së luftës. Pra, nëse vendimi do të mbetet në fuqi, për perëndimin historia do të jetë kjo: ‘there were bad guys on both sides’, pra kishte djem të këqij në të dyja anët. Prandaj kjo nuk është një histori vetëm e dhunës shtetërore, e makinerisë shtetërore të Millosheviçit për spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë, por kishte edhe një anë tjetër, pra që ishin shqiptarët që u angazhuan në krime “, u shpreh Gjeta.
Burimi: botasot.info


