SHBA-të dhe Irani arrijnë marrëveshje për t`i dhënë fund luftës
Presidenti amerikan Donald Trump tha se marrëveshja e paqes me Iranin “tashmë është përfunduar” dhe se ka urdhëruar përfundimin e bllokadës detare ndaj porteve iraniane, në këmbim të qarkullimit të lirë në Ngushticën strategjike të Hormuzit.
“Urime të gjithëve! Me këtë rast autorizoj plotësisht hapjen pa pagesë të Ngushticës së Hormuzit dhe, njëkohësisht, autorizoj heqjen e menjëhershme të bllokadës detare të Shteteve të Bashkuara. Anije të botës, ndizni motorët”, shkroi Trump në Truth Social.
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, vendi i të cilit ka ndërmjetësuar në bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit, tha se ceremonia e nënshkrimit do të mbahet të premtën, më 19 qershor, në Zvicër.
Trump më vonë tha se me hapjen e Ngushticës pas nënshkrimit të marrëveshjes të premten, “nafta do të rrjedhë sërish nga të dyja anët, për rajonin dhe për botën”.
Sipas tij, “kjo marrëveshje e madhe do t’i sjellë paqe dhe siguri gjithë rajonit”.
Irani duket se konfirmoi se marrëveshja është arritur, pasi zëvendësministri i Jashtëm tha se “përfundimi i menjëhershëm dhe i përhershëm i luftës dhe i operacioneve ushtarake në fronte të ndryshme, përfshirë Libanin, do të shpallet duke nisur nga sonte”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Tasnim.
Megjithatë, agjencia e lajmeve Fars — e afërt me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit — tha se “është vendosur që trafiku detar përmes Gjirit të rregullohet nga Irani, në koordinim me Omanin”, deklaratë që bie ndesh me komentet e mëhershme të Trumpit.
Sipas Reutersit, zëvendësministri i Jashtëm i Iranit tha se ndër temat që do të diskutohen gjatë negociatave 60-ditore janë përfundimi i sanksioneve, mekanizmat për rindërtimin e Iranit dhe krijimi i një mekanizmi për të monitoruar përmbushjen e zotimeve nga të gjitha palët.
Edhe kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, tha në një deklaratë se “pas bisedimeve intensive, kemi kënaqësinë të njoftojmë se është arritur marrëveshja e paqes mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës Islamike të Iranit”.
“Të dyja palët kanë shpallur ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin”, tha Sharif në platformën X.
Trump më herët i tha gazetës The Wall Street Journal se marrëveshja do të nënshkruhej në mënyrë elektronike ose nga ai vetë, ose nga nënpresidenti JD Vance.
Gjatë ditës, Irani ka sugjeruar se, ndonëse beson se marrëveshja është afër, do të duhen edhe disa ditë për finalizimin e saj.
Irani ka këmbëngulur që çdo marrëveshje të përfshijë edhe përfundimin e luftimeve në Liban.
Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij kundër grupit militant Hezbollah në jug të Libanit.
Hezbollahu, grup militant dhe parti politike e mbështetur nga Irani, që kontrollon pjesë të mëdha të jugut të Libanit, konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe degën politike.
Pa armë bërthamore, hapje e Hormuzit
Trump i tha Wall Street Journal-it se marrëveshja do të përfshijë zotimin e Teheranit që të mos sigurojë armë bërthamore dhe të hapë menjëherë Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës, para luftës, kalonin rreth 20 për qind e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz.
Sipas raportimit të Wall Street Journal-it, Trump tha se nuk ka “urgjencë” për nxjerrjen e materialit bërthamor nga Irani, duke shtuar se kjo çështje do të trajtohet më vonë.
Burimi: botasot.info


