Pse nuk u hidhërua me kohë?!
Si ata policët e Hollywood-it që gjjthmonë mbërrijnë në vendin e ngjarjes pasi të kryhet krimi.
Kur nuk hidhërohesh me kohë, dukesh si fantazmë, shpirt i ngujuar në Barzakh, që vuan sepse do ta redaktojë të kaluarën.
Nuk ndreqet fati. Ti ndreqe në mundesh. Hajde ndreqma edhe mua, ditën ta paguaj.
Me asnjë vajtim nuk e zhbën akuzën e Dick Martyt.
Nëse je njeri normal, nuk është normale të mërzitesh pas kohës, dhe pa qenë i provokuar direkt që të bëhesh nervoz.
Çka fiton Shqipëria nëse e gjykon KE-në që e ka miratuar raportin e Dick Martyt, për të cilin ka votuar edhe Shqipëria!
Edi Rama tha vet: Edhe unë do ta votoja raportin famëkeq sikur të isha në vendin tuaj!
E tash, pse pra po e gjykon KE-në për një veprim që thua se do ta bëje edhe vet.
A është e mundur që je kaq i madhnishëm, sa që i zgjedh mendimet dhe ndjenjat e t’ua qysh do vet.
A thua?
Sot dua të ndjehem i mërzitur, nesër sipas planit do të ndjehem i menduar, pasnesër sipas agjendës do të ta shqyej gojën.
Pse Edi Rama ka marrë vendim të mërzitet për një akuzë që prokurorët e Hagës nuk e morën për bazë kur e thurën aktpadinë kundër ish komandantëve të UÇK-së!
Çka fiton?
Simpatinë e shqiptarëve?
Pse a ka mbetur dikush që ende gëzohet që është shqiptar a?
Pse, a ka shqiptarë që nuk e dinë kush e shkatërroi Kosovën e Shqipërinë e Lirë më shumë se sa shqiptarët?
A ekziston dikush që ende ndjen dhimbje për dikë?
Jo, pa e parë të shtrirë përmbys, jo pa e parë të rrënuar mendërisht e të thyer shpirtërisht.
Nuk mund të ngjallësh respekt për një mentalitet primitiv; nuk nund të ngjallësh simpati evropiane për milionerët dhe profiterët e luftës e të lirisë..nuk mund ta tronditësh ti Evropën duke u paraqitur viktimë e së kaluarës, sepse Evropa të ka shpëtuar nga e kaluara.
Viktima aktuale jemi (ne shqiponjat) ama të politikës shqiptare, viktima të juaja.
…nuk mundesh, madje as duke e cituar gjyshen tënde.
Çfarë mashkulli është ai që e citon gjyshen e tij dhe i tregon Evropës se gjyshja e tij ka qenë e mençur sepse ka thënë ‘fqinji i lumtur – shtëpia e lumtur’, të mbushet mendja gjyshja e tij ka qenë autore e thënies popullore, që e gjen tek krejt popujt, madje as idiomë s’është.
Edi Rama e ka një vurmak!
E ka një zor.
Evropës që e ka çliruar Kosovën i tregonte se çfarë ka ndodhur në Kosovë.
Evropa që ka luftuar dhe e ka dhënë jetën për çlirimin e Kosovës do të mund ta pyeste Edi Ramën: ‘Pse ti nuk luftove për Kosovën, por u durove t’i shikoje shqiptarēt kah vriten.
A e ke pyetur veten pse të merrte gjumi natën kur e dije se në Kosovë vriteshin fëmijët, e ti kishe mundësi të bëheshe ushtar.
Dashuria është propagandë letrare. Ishalla rinia nuk ma lexojnë këtë të vërtetë irrituese.
Fjalimin në KE e nisi me fjalë të mëdha për kombin shqiptar.
Kombi i Kosovës – na quajti.
Shqiptarët – ky popull i zgjedhur.
Citoi shkrimtarë, tituj librash dhe personazhe fantaste për t’u dukur më i mençuri prej evropianëve.
Presidentin Thaçi e krahasoi me personazhin e Kafkës te ‘Procesi’.
Kaq larg paska shkuar puna.
Personazhin e Kafkës mundohen ta detyrojnë ta vras veten.
Kur e krahason fatin e dikujt me të tjetrit, duhet t’i shkosh fatit deri në fund se personazhin e Kafkës pastaj e vrasin si ‘qenin’.
Çfarë parashikimi dhe krahasimi bizar është ky!
Hashim Thaçi ka shkuar vullnetarisht në Hagë.
Dhe, ka insistuar të themelohet Gjykata Speciale (sepse ka kujtuar që Gjykata Speciale për të nuk vlen).
Dhe nuk e ka mbajtur premtimin publik se do ta akuzojë Dick Martyn për shpifje!
A s’është më kollaj që Edi Rama ta padis Dick Martyn për shpifje lidhur me ekzistimin e ‘Shtëpisë së verdhë’ në Shqipëri, dhe të kërkoj drejtësi në gjykatë e jo në fjalime politike.
Është i gjatë me trup, por nuk u durua pa i treguar Evropës se është i gjatë me trup.
Nuk është sharmante (as filmike) të tregosh me fjalë atë që shihet me sy.
Edi Rama arnikun tonë (Vuçiqin) tha se e ka mik.
Dhe si mik që e ka, e mirëkupton se nuk mund të distancohet nga e keqja – nga Rusia, nga dhuna dhe nga pushtimi rus.
Njeriu duhet të distanconet edhe nga familjari i tij kur familjari bën krim.
Edi Ramës nuk i pengon që Aleksandër Vuçiq e glorifikon kriminelin Sllobodan Millosheviç dhe që kurrë nuk u distancua nga krimet e tij, të cilave iu shërbeu me mish me me shpirt.
Edhe sot, Vuçiq, Kosovën e ka rrethuar me artileri të rëndë dhe përditë e kërcënon me luftë, por Edi Rama prap e ka mik.
Pse flet për krimet e Serbisë në Kosovë, kur ministrin e propagandës së Sllobodan Millosheviçit e ka mik.
A ka logjikë kjo!
Pse Edi Rama nuk mërzitet që Aleksandër Vuçiq nuk ka kërkuar falje së paku për vrasjen e fëmijëve
shqiptarë.
E Zotin?
A e ke parë?
Ky lëre që s’e ka Vuçiqin mik, por të garantoj se as s’ka pasur as s’e ka asnjë mik, hiç, asnjë.
Për t’u dukur i jashtëzakonshëm dhe i çuditshëm tha se për ‘Ballkanin e Hapur’ pajtohet me Aleksandër Vuçiqin e jo me Albin Kurtin.
Aleksandër Vuçiqi ishte ministër i propagandës serbe tē Millosheviçit kundër shqiptarëve;
Albin Kurti është kryeministër i propagandës së shqiptptarëve kundër shqiptarëve.
Me Serbinë kemi qenë të ndarë, ndërmjet vetes na ka ndarë Albin Kurti.
E keqja, siç po shihet, nuk ka skaj.
Deputetët e KE-së u habitën nga gjuha shpatë e Edi Ramës.
Spiropali u shkri e tëra, mburrej me Skënderbeun e saj thuajse Skënderbeu u krijua për hir të saj.
Taulanti kishte pak drojë sepse kryeministri u nervozua dhe filloi të sillej hamshor në parlamentin shqiptar.
Me nënçmim dhe neveri e pyeti kryesuesin për deputeten greke, e cila po i bënte pyetje: ‘Çka është kjo’!
Grekja e nervozoi (dhe ky nervozën nuk arriti ta fshehte se i dridhej zëri), sepse grekja i tha se ‘fjalimi i tij ishte pa takt’
Pra, grekja e preku në ‘sharm’!
Më shumë e nervozon nëse Edi Ramës i thua ‘s’ke takt’, sesa ‘je kriminel’.
Pse Edi Rama u ‘prish’ me KE-në?
Për hatër të kujt?
Të Hashim Thaçit?
Për hatër të viktimave shqiptare të luftës; për hatër të drejtësisë?
Edi Rama e shfrytëzon Shqipërinë dhe Kosovën, përdorë çdo gjë që ekziston, për ta bërë veten ‘të madhërishëm’.
Për ta promovuar veten si lider i mahnitshëm evropian.
E filloi duke e tronditur KE-në.
Sepse mendon se madhështia fillon me tronditje e jo me butësi.
Mendon se ia merr anën Evropës nëse e gjykon për propagandë ruse kundër Kosovës.
Hashim Thaçit i bën dëm.
Mund t’i përkushtojë vjersha, libra, filma, por nuk mund ta shpall të pafajshëm.
Përkundrazi, duke ia shfrytëzuar ‘fatin e keq’ po e bën Hashim Thaçin të duket i ‘dyshimtë’ dhe i frikësuar, pa nevojë.
Hashim Thaçi ka nevojë për drejtësi, jo për fjalime politike.
Hashim Thaçi ka thënë se i beson drejtësisë.
Pse Edi Rama i ringjall fantazmat e Dick Martyt, pse nuk i lë rrenat e tij të vdesin….pse kur u ‘harrua’ Dick Marty (pasi prokuroria i hodhi poshtë akuzat e tij për trafikim me organe) ky i përdorë politikisht dhe i rikthen në jetë, dhe pse mendon se mund t’ua ndalojë njerëzve të dyshojnë…
Hashim Thaçi nuk po akuzohet për trafikim me organe, dhe këtu zbulohet hilja e Edi Ramës, i cili po e ‘mbron’ Hashim Thaçin nga akuza me të cilën nuk po akuzohet.
Për ‘krimet’ e tjera të supozuara Edi Rama nuk po ‘garanton’!
Kush janë shqiptarët – po shihet.
Njerëz që liria i ka shndërruar në bisha, që e vjedhin dhe e shkatërrojnë pëmëshirshēm vendin e vet.
Një shtet i dështuar plotësisht ku nuk lexohen librat dhe ku çdo gjë udhëhiqet nga krimi, nga prostitucioni politik dhe nga mjerimi.
Një vend që bërllogu e ka mbuluar! Një vend ku ka ‘mafi kulturore’ që vjedhin miliona në emër të artit e të kulturës.
Si është e mundur që Liria të ketë efekte kaq negative te shqiptarët!
E evropianët nuk po e ditkan…!
P.S. Kur dola te dera i talova dy ushtarë. Shumë të mirë, edhe të mirë m’i pá (Kohëve të fundit, e kam vërejtur se po i shikoj meshkujt si objekte).
Ata ishin shokë mes vete, njëri ishte ish- simpatizant i imi, tjetri ishte simpatizant aktual.
I pari tha ‘s’të dua më se po ma shan Albinin’, i dyti tha ‘të dua pikërisht për arsyen e njejtë’.
Të dytin e porosita ‘mos ia ndaj zullumin të parit’.