Serbët në pritje të triumfit rus në Ukrainë

Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, fuqitë e mëdha evropiane, në Versaj, (Paris) lejuan formimin e një Jugosllavie artificiale, monarkiste e serbomadhe. Kështu mendojnë, në radhë të parë, sllovenët, kroatët dhe boshnjakët myslimanë, sikundër edhe shqiptarët. Serbia mori territorin e Maqedonisë së sotme dhe të Kosovës. Shkrimtari dhe publicisti serb, Vuk Drashkoviq, në librin e tij “Kral Aleksandar”, kishte thënë se “pas marrjes së gjysmës së territoreve shqiptare, do të ishte e vështirë të mbahet nën kontroll gjithë ai territor; krali serb kishte thënë se në të ardhmen arnautët mund të rebelohen, ngase nuk janë të etno-gjenit sllav”.

Winston Cherchill, në memoaret e tij shkruan: “Kryeministri britanik, George Lloyd, në Konferencën e Paqes, në Versaj, kishte urdhëruar që pos Stambollit, të gjitha tokat e Perandorisë Osmane, që janë në kontinentin evropian, t’u ndahen grekëve, bullgarëve dhe serbëve”. Ai, më tej, shkruan se Georgi Llojd ishte një islamo-fob dhe kishte frikë kthimin e osmanëve dhe formimin e një perandorie të vogël turke nga popujt e mbetur myslimanë në Ballkan. Por ishte ndalur rrota e historisë dhe kjo ishte një incident historik. Incidenti historik i shqiptarëve kishte ndodhur në Jallta, ku Shqipëria shkoi me Lindjen, me kampin komunist. Stalini i kishte thënë Cherchillit, se populli shumicë ka fituar kundër fashizmit dhe janë admirues të komunizmit. Mirëpo, në periudhën e Mbretërisë së Zogut, shqiptarët ishin popull mesdhetar, të lidhur me Italinë dhe Perëndimin. Shumica e familjeve aristokrate dhe të mesme ishin shkolluar në Itali dhe shtetet perëndimore. Shqiptarët e Shqipërisë nuk ishin të lidhur me sllavët. Ishte Partia Komuniste jugosllave që bëri kjo murtajë të përhapet edhe në Shqipëri dhe fati i Shqipërisë të shkojë me Lindjen. Për dallim nga fqinjët grekë, bullgarë dhe serbë, shqiptarët në Ballkan duhej të pritnin edhe një shekull që të jenë të barabartë.

Në fillim të këtij shekulli, shqiptarët kanë dy shtete që renditen në botën demokratike perëndimore. Sot shqiptarët janë nën ombrellën e NATO-s dhe BE-së. Aktualisht, nëse do të përcilleshin mediet serbe, do të shihej qartë se ato janë me Rusinë dhe mezi presin fitoren e presidentit rus, Vladimir Putin, në konfliktin me Ukrainën. Ata fare nuk mendojnë se çka do të ndodhë nëse do të kapitullonte Rusia në Ukrainë, që do të ishte tragjike për ta.

SERBËT JANË NË PRITJE

Paradigma e serbëve është se me triumfin e Putinit në Ukrainë, Rusia do të pozicionohet fuqishëm në planin global, ku do të kishte vend edhe për Kinën. Nënshkrimi i një traktati miqësor euro-aziatik, mes Kinës dhe Rusisë, në fakt do të ishte një rrezik global, një rend i ri botëror autoritar, multi-polar dhe totalitar kundër botës demokratike e liberale. Në anën tjetër, triumfi eventual i rusëve në Ukrainë, do ta përcaktonte fatin e Ballkanit, me pozicionimin më të fuqishëm të serbëve, si aleatë të Rusisë. Kjo nënkupton edhe rolin dominues të serbëve në planin gjeopolitik dhe gjeostrategjik të Ballkanit.

NË CILËN ANË DO TË JETË SERBIA

Sipas një sondazhi të realizuar në Serbi, rezultatet tregojnë se 70 për qind e popullatës janë tradicionalisht pro-rusë, 20 për qind janë të arsimuar, urbanë dhe liberalë e pro-evropianë, të cilët shohin të ardhmen e Serbisë në BE, ndërsa 10 për qind janë neutralë. Në fillim të konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, Vuçiq kishte thënë se do të jenë neutralë dhe do ta mbikëqyrin situatën. Këtë deklaratë e kishte kundërshtuar një analist serb, profesor në Universitetin e Beogradit, i cili kishte thënë se Vuçiqi dhe opozita janë pro-rusë, që paraqesin një shumicë të elektoratit votues. Në qeverinë e tij, rusofilë të përbetuar janë ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin dhe Ivica Daçiq. Edhe në opozitë janë pro-rusët Sheshel, Boshko Obradoviq etj. Ata janë në pritje ankthi se cila anë do të fitojë, Rusia apo Ukraina.

Në anën tjetër, BE-ja do të tolerojë këtë anim pro-rus dhe ulje në dy karrige të Serbisë deri më 3 prill, kur do të mbahen zgjedhjet. Pavarësisht se cili subjekt politik do të fitojë, do të detyrohet nga ana e BE-së që Serbia përfundimisht të përcaktohet se në cilën anë do të jetë, atë të Rusisë apo të BE-së.

* * *

Sipas disa analistëve perëndimorë, kohëve të fundit, shumë spinë dhe agjentë rusë po aterojnë në Ballkanin Perëndimor, të cilët u japin miliona euro rusofilëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, për të parandaluar disponimin anti-rus dhe organizimin e protestave kundër intervenimit rus. Ndërkaq, shtyjnë që serbët në Ballkan, në Serbi dhe Republikën serbe të mbajnë tubime pro-ruse të përkrahjes së luftës me Ukrainën.

Po ashtu, serbët në shumë media bëjnë propagandë, me sintagmën “Duam rusët!” (Hocemo ruse). Në shumë pankarta, sikundër në armatimet e rënda ruse në Ukrainë, mund të shihet simboli i ri “Z”, që nënkupton ngadhënjimin e Putinit në luftë kundër Ukrainës, edhe atë jo vetëm në Rusi, por edhe në Serbi dhe Republikën Serbe, është i pranishëm ky simbol pansllavist rus. Në Serbi, me anë të manifestimeve, agjentura ruse po tenton ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor, që të gjendet preteksti për një front të ri në Evropë. Një situatë e tendosur po vërehet në Mal të Zi. Pastaj, duke shkaktuar konflikte ndëretnike, ta destabilizojnë Maqedoninë e Veriut, ndonëse kjo në këtë fazë është e vështirë të realizohet, pas relaksimit të këtyre marrëdhënieve, me ardhjen e Zoran Zaevit në krye të qeverisë, për çka mori 70 mijë vota të shqiptarëve dhe bëri të mundur hyrjen e vendit në NATO, për të vazhduar atë politikë, pioni i tij, Dimitar Kovaçevski. Po të vazhdonte me pushtetin, Nikolla Gruevski i VMRO-DPMNE-së, një lider populist ultra-nacionalist, i cili u arratis në Budapest, gjasat për destabilizim do të ishin më të mëdha, sikundër në Bosnjë.

* * *

Disa analistë serbë thonë se Vuçiqi ishte pro-evropian e më liberal deri në vitin 2014, por pas paraqitjes së hartave dhe non-paperit, ai zuri të afrohet me Moskën, duke hartuar plane për shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës. Pastaj ky projekt u modifikua me sintagmën “Bota serbe”. Kritikët e Vuçiqit kanë piketuar se kishin ardhur sinjale nga Kremlini që Putini do ta mbështeste ndarjen e Republikës Serbe nga federata e Bosnjës dhe për marrjen e veriut të Kosovës. Pas 24 shkurtit, ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, i paskësh thënë Millorad Dodikut që të shpall pavarësinë e republikës. Ata pritën që Rusia të mposhtë Ukrainën për dy ditë, siç paralajmërohej, që pastaj të hapnin procesin e ndarjes së Bosnjës, përderisa kancelaritë evropiane do të merreshin me eliminimin e frikës nga triumfi i Putinit. Por, kjo nuk ndodhi siç ëndërronin këta liderë serbë.

Në anën tjetër, BE dhe SHBA dërguan forcat e EUFOR-it dhe furnizuan armatën e Federatës së Bosnjës me armë. Bota perëndimore i tha qartë Vuçiqit se nuk do të lejojë një skenar të ngjashëm si të Ukrainës në Ballkan. Duke e parë rezistencën e madhe, solidaritetin, përkrahjen e BE-së dhe SHBA-së ndaj Ukrainës dhe kërcënimeve se nëse Vuçiq nis një aventurë të tillë do të pësonte së keqi, Millorad Dodiku i fryrë u zbut paksa. Vuçiq ende po ulet në dy karrige, të cilat, në një të ardhme, mund të thyhen që të dyja. Do ta ketë vështirë Vuçiqi që të orkestrojë një destabilizim, kur dihet se i ka armiqtë në fqinjësi, si kroatët, boshnjakët myslimanë, malazeztë dhe shqiptarët. Me disfatën eventuale të Putinit në Ukrainë, pritet të shuhen të gjitha aspiratat e Vuçiqit për një “Serbi të madhe” apo për “Botën serbe”.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Pjesa e parë e ndihmës amerikane prej 800 milionë dollarësh mbërriti në Ukrainë

Story i radhës

Përdoruesit e iOS mund të krijojnë GIF nga aplikacioni Twitter

Të fundit nga