Deputetja e pavarur, Marjana Koçeku ka shprehur kritika në lidhje me deklaratat e qeverisë për rezultatin e Shqipërisë në PISA 2025, duke theksuar se shumë shkolla në vend mbetën jashtë testimit ndërkombëtar.
Sipas saj, vetëm 76 përqind e shkollave morën pjesë në testimin ndërkombëtar, ndërkohë që standardi i kërkuar është 85 përqind dhe se shkollat me më pak se 21 nxënës nuk u përfshinë.
“Këto shkolla janë shpesh ato të zonave rurale, të komuniteteve ma të vogla e ma të braktisuna, aty ku mundësitë për arsim cilësor kanë qenë historikisht ma të pakta. Prandaj nuk e di për çka flasim kur festojmë rezultatet e PISA-s.”, thotë ajo.
Ajo shton se arsimi shqiptar nuk duhet të matet vetëm me testimet ndërkombëtare, por edhe me atë që i ofron qeveria nxënësve nëpër shkollat që ndodhen në cepet më të largëta të vendit.
Reagimi i plotë:
Shqipnia ka marrë dhjetë me yll në PISA.
Veç ylli s’asht ashtu siç duket.
Ministrja e lexoi qartë prej Bratislavës: plus 65 pikë në matematikë, plus 59 në shkencë, plus 50 në lexim. Dolëm të parët në rajon në renditje.
PISA asht testi ndërkombëtar që mat aftësitë e nxanësve 15-vjeçarë në matematikë, shkencë dhe lexim. Por në tabelën e rezultateve, OECD-ja, organizata që e zhvillon testin – i ka vendosë Shqipnisë nji yll.
Dhe ai yll tregon se rezultatet munden me qenë të manipulueme. Vetëm 76% e shkollave morën pjesë, ndërkohë që standardi i kërkuem asht 85%.
Shkollat me ma pak se 21 nxanës nuk u përfshinë aspak në testim.
Këto shkolla janë shpesh ato të zonave rurale, të komuniteteve ma të vogla e ma të braktisuna, aty ku mundësitë për arsim cilësor kanë qenë historikisht ma të pakta.
Prandaj nuk e di për çka flasim kur festojmë rezultatet e PISA-s.
Nuk e kuptoj as gëzimin e ministres, kur këto shkolla jo vetëm që nuk marrin pjesë në këto vlerësime ndërkombëtare, por nuk hyjnë as në hartën e vëmendjes shtetnore, as në atë të investimeve.
Problemi nuk asht se rezultatet e nxanësve që morën pjesë nuk janë të mira. Përkundrazi, nëse janë të mira, duhen përshëndetë.
Problemi asht me i paraqitë ato si dëftesën e krejt arsimit shqiptar, kur një pjesë e realitetit tonë arsimor ka mbetë jashtë testimit.
Asht si me llogaritë mesataren e klasës tue lanë jashtë nxanësit ma pak të dalluem.
Mesatarja mundet me dalë e bukur, por klasa jo.
Kur fëmijët ende sot ecin me nga nji orë në kambë për me mbërritë në shkollë, kur mësuesit paguhen ma pak se nji kamarier, kur shkollat funksionojnë në kushte mjerimi e fshatnat veç zvogëlohen, dobësohen e tjetërsohen, asht vështirë me besu në këto statistika preferenciale.
Nji rezultat vërtet i mirë i PISA-s për Shqipninë kishte me qenë: ma pak shkolla në kushte mjerimi dhe ma pak fëmijë që e kanë sfidë arsimin qysh para se me hy në klasë.
Dhe mbi të gjitha: duhen mësues që trajtohen me dinjitet, paguhen me dinjitet dhe munden me ushtrue profesionin e tyne me integritet.
Arsimi jonë nuk mjafton me u matë me teste ndërkombëtare. Matet edhe ma thjeshtë: çfarë shkolle i ofrojmë fëmijës në cepin ma të largët të këtij vendi.
Burimi: botasot.info


