Qeveria e Albin Kurtit nuk ka asfarë të drejte kombëtare, morale e njerëzore që t’i anashkalojë dhe rehabilitojë tradhtarët, vëllavrasësit për pushtet, hajnat, të korruptuarit dhe të pasuruarit milionerë të pas luftës në Kosovë.
Nëse Qeveria e Albin Kurtit e bën një veprim të tillë, kjo don të thotë se kjo qeveri ka bërë pazare të pista me opozitën për ta kaluar më lehtë këtë Projektligjin në Parlamentin e Kosovës, me të cilin parashihet hetimi dhe konfiskimi i pasurisë së kundërligjshme të fituar vetëm pas vitit 2008.
Miratimi nga Qeveria e Albin Kurtit ditë më parë i Projektligjit për themelimin e Byrosë për hetimin dhe konfiskimin e pasurisë së jashtëligjshme vetëm pas vitit 2008, që don të thotë pas shpalljes së Pavarësisë, do të vlerësohet si paaftësi, joefektivitet dhe dështim i kësaj qeverie, tek e cila votuesit në Kosovë, e kishin shpresën më të madhe se do ta sjellin frymën e re të ndryshimit pozitiv në Kosovë.
Qeveria e Albin Kurtit me miratimin e këtij Projektligji për themelimin e Byrosë për hetimin dhe konfiskimin e pasurisë së jashtëligjshme vetëm pas vitit 2008, dëshmon se kjo Qeveri është e pavendosur, e paguximshme dhe e frikësuar për ta luftuar korrupsionin, hajninë dhe pasurimin e jashtëligjshëm nga rrënjët.
Besimi dhe shpresat e votuesve në Kosovë, të cilët ia dhanë votat Vetëvendosjes për fitoren plebishitare të 14 shkurtit 2021, ishin që qeveria e Albin Kurtit do ta gjente ilaçin për luftimin e pa kompromis dhe për çrrënjosjen e korrupsionit në Kosovën tashmë të lirë dhe të pavarur.
Miratimi i këtij Projektligji nga qeveria e Albin Kurtit, tregon se kjo qeveri nuk e ka guximin, vendosmërinë dhe dinjitetin që të merret seriozisht dhe në mënyrë të palëkundur me luftimin e korrupsionit në Kosovë, që është plaga më e rëndë, më e thellë dhe me e dëmshme për Kosovën.
Milionerët e pasluftës në Kosovë, ish-komandantët e UÇK-së që u bënë milionerë brenda natës, duke blerë 1 euro e gjysmë një ari të tokës së Kosovës.
Keqpërdorimet e fondeve të luftës nga ish-eprorët e UÇK-së të Klanit “Rogner” dhe të klanit “Pronto-Mafia”, para dhe gjatë luftës në Kosovë.
Keqpërdorimet nga Hashim Thaçi, Bujar Bukoshi, Isa Mustafa dhe Xhavit Haliti të fondeve të luftës “Vendlindja thërret” dhe të “3%” për UÇK-në, që mërgimtarët shqiptarë i dërgonin pa kursyer.
Keqqeverisja e Kosovës nga ish-udhëheqësit nga opozita e sotme në 21 vitet e kaluara, ku lulëzoi vëllavrasja për pushtet, hajnia, korrupsioni dhe pasurimi i jashtëligjshëm, për çka ekzistojnë dëshmi të shumta të publikuara nga mediat me akuza konkrete për ish-udhëheqësit partiakë, qeveritarë e shtetërorë.
Raporti i “Fredom house” me datën 20 prill 2022 se Kosova po ngec në luftimin e korrupsionit, ku thekson përfshirjen e Hashim Thaçit dhe të Ramush Haradinajt në krimin e organizuar dhe në korrupsionin e nivelit të lartë.
Largimi i qindra mijëra të rinjve kosovarë jashtë vendlindjes, nga dëshpërimi dhe pashpresa në Kosovë në 21 vitet e kaluara në liri e pavarësi, por edhe sot e kësaj dite.
Janë faktet dhe dëshmitë bindëse se, Qeveria e Albin Kurtit duhet të jetë shumë më energjike dhe më e guximshme, e cila me këtë Projektligj po i zhgënjen tërësisht Kosovën dhe ndërkombëtarët, dhe po ia hap rrugën dështimit, që me siguri do t’i ndodhë në zgjedhjet e ardhshme nga votuesit në Kosovë, nëse nuk e përmirëson këtë Projektligj, në kuptimin që hetimi dhe konfiskimi i pasurisë së jashtëligjshme të jetë që nga lufta e gjer më sot.
Fillimi i hetimit dhe i konfiskimit të pasurisë së jashtëligjshme vetëm pas vitit 2008, është një padrejtësi, paturpësi e madhe që do t’i bëhet Kosovës.
Fillimi i hetimit dhe i konfiskimit të pasurisë së jashtëligjshme vetëm pas vitit 2008, përbën një farsë mashtruese kozmetike që mundohen t’ua dhurojnë votuesve dhe popullit të Kosovës.
Kosova dhe populli i saj i shumëvuajtur nuk kanë nevojë për ta mbrojtur vëllavrasjen, hajninë, korrupsionin dhe pasurimin e jashtëligjshëm, siç veproi opozita e sotme në Kosovë, kur e udhëhoqi Kosovën në 21 vitet e kaluara.
Ky Projektligj për hetimin dhe konfiskimin e pasurisë së jashtëligjshme pas vitit 2008, përbën një mëkat të madh që po i bëhet Kosovës dhe popullit të saj.
Mosndryshimi i këtij Projektligji do t’ia hap rrugën dhe do ta inkurajojë opozitën e sotme mjerane në Kosovë, për ta sulmuar, akuzuar dhe atakuar edhe më forcërisht Qeverinë.
Kjo dëshmohet edhe me rastin e ambasadorit të Kosovës Martin Berishaj në Kroaci, i cili u përfol për një skandal, për të cilin nëse vërtetohet, me siguri që Qeveria e Albin Kurtit do ta sanksionojë ashpër.
PDK-ja me në krye të akuzuarën për tradhti Vlora Çtakun, ish-ambasadore e Kosovës në SHBA, aktualisht nënkryetare e PDK-së, nëpërmjet konferencës me mediat, në mënyrë të përshpejtuar kërkuan që ky ambasador të shkarkohet menjëherë nga Kryeministri Albin Kurti dhe nga Presidentja Vjosa Osmani.
Vlora Çitaku, reagoi edhe ndaj Mehdi Halimit, ambasadorit të Kosovës në Francë, i cili votoi më 24 prill 2022 në zgjedhjet presidenciale atje, duke e quajtur këtë veprim jo profesional dhe jo diplomatik.
Vlora Çitaku me këso akuzash mendon ta mbulojë tradhtinë e saj për copëtimin e Kosovës, që e bëri si ish-ambasadore e Kosovës në SHBA, në bashkëpunim me Hashim Thaçin, Aleksandër Vuçiqin, Edi Ramën, etj., duke e përgatitur planin për copëtimin e Kosovës që fatmirësisht nuk u realizua edhe falë Angela Merkelit- ish kancelares së Gjermanisë.
Qeveria e Albin Kurtit nëse nuk e ndryshon këtë Projektligj, në kuptimin që pasuria e jashtëligjshme të hetohet dhe konfiskohet që nga lufta e UÇK-ë e gjer më sot, atëherë kjo qeveri do t’i vë vetes një njollë të zezë që nuk do t’i hiqet kurrë.
Nëse kjo qeveri, që konsiderohet si qeveria më e pastër që ka patur deri sot Kosova, nuk e ndryshon këtë Projektligj që pasurimi i jashtëligjshëm të hetohet dhe konfiskohet, që nga lufta e UÇK-së e gjer më sot, do të konsiderohet si bashkëpjesëmarrëse në hajnitë, korrupsionin dhe pasurimin e jashtëligjshëm në Kosovë.
Po ndodhi eventualisht një gjë e këtillë, atëherë ky do të jetë një dështim i pariparueshëm i qeverisë së Albin Kurtit.