Putini po vdes, po tani?

min lexim

Komuniteti i inteligjencës amerikane ka folur: Presidenti rus Vladimir Putin është trajtuar kohët e fundit për një “kancer në një stad të avancuar”. Përderisa shërbimi sekret i SHBA-së parashikoi me saktësi luftën e Rusisë kundër Ukrainës, nuk ka asnjë arsye të mos besohet edhe ky vlerësim.

Se çfarë do të thotë sëmundja e Putinit, kjo është një çështje tjetër. Ajo mund ta bëjë ose jo më të vrazhdë, më fanatik, dhe më të dhunshëm. Ai mund të vdesë shpejt ose jo. Po ashtu, sëmundja mund ta bëjë ose jo më pak kompetent për të udhëhequr një vend të madh si Rusia.

Por ajo që mund të konstatojmë me siguri, është se elitat ruse e dinë se ai është i sëmurë, dhe se një luftë për pushtet ka shpërthyer tashmë, ose do të nisë shumë shpejt. Se kush do ta pasojë Putinin në krye të vendit, është tashmë çështja që do të diktojë sjelljen e elitës dhe politikat që do të zgjidhen të zbatohen këtej e tutje.

Ndërkaq, ne e dimë se zëvendësimi i Putinit duke ruajtur të paprekur sistemin që ai ndërtoi këto 2 dekada do të jetë shumë i vështirë. Rusia është një shtet fashist, dhe Putin është qendra që e mban në këmbë të gjithë sistemin.

Largimi i tij, që tani mund të konsiderohet si i afërt, do të krijojë më shumë sesa një boshllëk pushteti, të cilin do të përpiqen që ta mbushin miqtë e tij më të afërt. Ikja e tij do të shkundë deri në themel regjimin fashist. Gjermania naziste ishte e paimagjinueshme pa Adolf Hitlerin.

Edhe Italia fashiste varej tërësisht nga Benito Musolini për koherencën dhe ekzistencën e saj. Putini ka shpenzuar më shumë se dy dekada duke çmontuar me kujdes institucionet demokratike të sapolindura të Rusisë, duke i zëvendësuar ato me një diktaturë shumë të centralizuar, personaliste, e cila e nxirrte pjesën më të madhe të legjitimitetit të saj nga kulti i personalitetit që ai ndërtoi për veten e tij.

Ky kult e përfaqësonte Putinin si mishërim të fuqisë mashkullore. Forca e tij fizike, parathoshte dhe simbolizonte forcën e Rusisë. Po ashtu, një Putin në rënie do të dukej sikur paralajmëron rënien e Rusisë.

Miqtë e tij ose do të detyrohen ta zëvendësojnë Putinin me një diktator me një energji, karizëm dhe popullaritet të ngjashëm – gjë që është ndoshta e pamundur duke pasur parasysh moshën dhe mungesën e joshjes fizike të këtyre njerëzve – ose duhet të përpiqen të ndërhyjnë në sistem në një mënyrë të atillë që ta bëjnë atë më shumë të përshtatshëm për të sunduar nga një lider më i dobët.

Por edhe kjo do të jetë e vështirë, pasi sistemi i Putinit përbëhet nga institucione koherente, të cilat “përshtaten” sipas logjikës së diktaturës. Do të jetë tejet e vështirë të zëvendësohen pjesët e veçanta të tij, pa ndikuar në të njëjtën kohë në stabilitetin e gjithë sistemit. Pasardhësit e Putinit, ashtu si ata të Leninit dhe Stalinit, do të ndahen ndoshta në të linjës së ashpër dhe të butë. Në rrethana normale të një stabilitetit relativ politik dhe ekonomik, do të ishte e diskutueshme se kush do të fitonte. Por kushtet në Rusinë e sotme nuk janë aspak normale.

Ekonomia ndodhet aktualisht në rënie të lirë për shkak të sanksioneve të ashpra nga Perëndimi. Dhe lufta kundër Ukrainës është gati e sigurt se nuk do të përfundojë me një fitore të Rusisë. Këto kushte do të favorizojnë një linjë të butë, e cila do të jetë e gatshme të nisë disa reforma, t’i japë fund luftës dhe të riparojë marrëdhëniet me Perëndimin. Shokët e Putinit e dinë këtë gjë, dhe ndoshta po planifikojnë lëvizjet e tyre të ardhshme në përputhje me rrethanat. Përfaqësuesit e linjës së ashpër, e kuptojnë se sa më gjatë të mbetet Putini në pushtet dhe ekonomia dhe lufta do të vazhdojnë të përkeqësohen, aq më të këqija janë shanset e tyre për të trashëguar pushtetin.

Tani mundësia e një grushti shteti nuk është vetëm e mendueshme, por ndoshta edhe e pashmangshme. Sidomos pasi komuniteti i inteligjencës amerikane, ka deklaruar gjithashtu se Putin ka qenë objektiv i një atentati të dështuar në muajin mars.

Me një luftë për pushtet që po zhvillohet në Kremlin, aftësia e Moskës për të menaxhuar sferën e saj të largët do të dobësohet në mënyrë të pashmangshme. Provincat, dhe veçanërisht ato të lidhura me kombet jo-ruse, me histori të krenarisë kombëtare dhe me burime të bollshme, mund të nisin të kërcejnë për një autonomi më të madhe. Nëse gjërat vërtet shkojnë keq në Kremlin, përpjekjet për lëvizjen e pavarësisë do të bëhen të mundshme.

Cilido qoftë skenari, dhe pavarësisht se kush e fiton luftën për pushtet, apo edhe sa kohë do të qëndrojë Putini në krye të vendit, Perëndimi nuk mund të bëjë asgjë për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve në Rusi. Tundimi për të mbështetur Putinin dhe statuskuonë e tij do të jetë po aq i fortë tani, sa ishte tundimi për të mbështetur Mikhail Gorbachev dhe statuskuonë e tij në pragun e shembjes së Bashkimit Sovjetik.

Por çfarëdolloj gjëje që të bëjmë, do të ketë në rastin më të mirë një efekt të papërfillshëm në tensionet e krijuara nga brenda Rusisë. Gjithçka që mund të bëjnë realisht Shtetet e Bashkuara, është të përgatiten për luftën për pushtet që do të ndodhë në Kremlin, ta pranojnë se Rusia ka të ngjarë të bëhet shumë shpejt një vend shumë i paqëndrueshëm, dhe të forcojnë më tej lidhjet e saj me fqinjët e afërt të Rusisë, të cilët për mirë a keq, do të duhet të përballojnë barrën e zhytjes në kaos të Rusisë./abcnews.al

Shënim:Dr.Aleksandër Motyl, profesor i shkencave politike në Universitetin Rutgers-Newark. Është ekspert mbi Ukrainën, Rusinë, si dhe mbi nacionalizmin, revolucionet dhe perandoritë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Nga “tradhtia” e Brunos tek numri i marrëdhënieve seksuale brenda një nate/ Rrëfehet Ana Gjini: Do merret vesh shumë shpejtë…

Story i radhës

U bë shkak familja e futbollistit? Adriana Matoshi reagon për herë të parë pas ndarjes dhe zbulon arsyen (FOTO LAJM)

Të fundit nga