Presidenti rus Vladimir Putin tha se do të kishte “disa tensione” me Suedinë dhe Finlandën po të anëtarësohen ato në NATO. Të dyja vendet u ftuan të bashkohen me aleancën të mërkurën.
Presidenti rus Vladimir Putin tha se do të kishte “disa tensione” midis Moskës dhe Suedisë dhe Finlandës, pasi të dyja vendet janë ftuar zyrtarisht për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s.
Putini e bëri këtë deklaratë të mërkurën në mbrëmje gjatë një vizite në Asghabat, kryeqyteti i Turkmenistanit.
Komentet e tij pasuan një deklaratë të liderëve të NATO-s se Rusia “përben kërcënimin më të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë e aleatëve dhe për paqen dhe stabilitetin në zonën euro-atlantike”.
Çfarë tha Putini?
“Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar në lidhje me anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO,” u tha Putini gazetarëve në Asghabat. “Ne nuk kemi probleme me Suedinë dhe Finlandën, siç kemi me Ukrainën… Ato mund të bashkohen me çfarë të duan.”
Megjithatë, Putini theksoi se Moska do të reagojë në rast të përqëndrimeve ushtarake në rajon.
“Ata duhet të kuptojnë qartë se më parë nuk ka pasur kërcënime ndaj tyre – por nëse trupat vendosen atje dhe krijohet infrastruktura, ne do të duhet të reagojmë në përputhje me rrethanat dhe të bëjmë të njëjtat kërcënime ndaj territorit nga i cili vijnë kërcënimet kundër nesh”, shtoi ai.
Putini vazhdoi duke thënë se do të ketë “disa tensione” midis dy vendeve dhe Moskës.
Presidenti rus akuzoi NATO-n se kërkon të pohojë “supremacinë” dhe “ambiciet e saj perandorake”, si dhe të përdorë popullin ukrainas si një “mjet” për aleancën për të “mbrojtur interesat e veta”. Ai tha gjithashtu se Perëndimi po përpiqej ta kthente Ukrainën në një vend “antirus”.
Jens Stoltenberg
Suedia dhe Finlanda do të anëtarësohen në NATO
Në samitin e mbajtur të mërkurën, NATO-ja ftoi Suedinë dhe Finlandën t’i bashkohen aleancës, duke nisur kështu procesin e bashkimit me dy vendet nordike. Helsinki dhe Stokholmi deri tani kanë mbajtur distancë ushtarake.
Zgjerimi i aleancës do të zmadhojë kufirin e saj tokësor me Rusinë me më shumë se 1300 kilometra./DW