Reciprociteti i Kosovës e izolon Serbinë dhe sjell paqe në rajon!

Qeveria e Kosovës ditën e djeshme përmes komunikimit elektronik ka marrë vendimin që në kalimin e pikave kufitare me Serbinë të vendoset i njëjti standard sjelljeje për qytetarët serbë, të cilin e aplikon Beogradi për qytetarët e Kosovës. D.m.th nëse policia kufitare serbe i detyron shqiptarët të dorëzojnë pasaportat e Republikës së Kosovës e të hyjnë në Serbi me një dokument të përkohshëm që ata e lëshojnë, të njëjtën gjë do të bëjë policia e Kosovës me qytetarët serbë që hyjnë në vend. Po ashtu me targat, mallrat etj.

Përtej emocionit dhe tifozllëkut kjo masë duhet parë në aspektin e interesit të Kosovës. Kozmopolitët globalistë e shohin këtë masë si një qëndrim ekstrem dhe “acarim të panevojshëm të situatës në rajon”! Open-ballkanistët e shohin këtë si “cenim të interesit të Serbisë dhe politikave të saj panserbiste në rajon” dhe kërcënojnë me sloganin, “Ose pajtim me Serbinë, ose luftë në Ballkan”! Ndërkohë gjithkush e di se nëse Rusia izolohet në konfliktin e Ukrainës, atëherë luftë në Ballkan nuk ka e nuk mund të ketë! Nëse ndodh e kundërta dhe luftën e fiton Moska, atëherë Open-Balkan-i e favorizon një konflikt ballkanik!

Ose njohje ose reciprocitet

Realistët i përmbahen parimit, rregullit dhe jo ideve e iluzioneve pro-serbe! Sipas realistëve, Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe për pasojë do të duhet të detyrohet ta njohë këtë gjenocid. D.m.th ose njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë, ose reciprocitet në sjelljet e ndërsjella midis dy shteteve! Me vendimin e saj qeveria e Kosovës nuk kërcënon dhe as e cenon integritetin territorial të Serbisë. Thjesht zbaton një praktikë pune në kufi, të cilën Beogradi e ka zbatuar prej më shumë se 20 vitesh me qytetarët e Kosovës.

Ndërkaq presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi, tha se me këtë masë të vendosur në Prishtinë nuk ka më dialog. Madje betohej “për sinqeritet” e theksonte se Prishtina nuk do kompromis! Ai e përdor këtë fjalë magjike, “kompromis”, me zhdërvjelltësi të jashtëzakonshme sa intrigon me të edhe shqiptarë të tillë si Edi Ramën, Hashim Thaçin, Dritan Abazoviç, Ali Ahmetin e të tjerë politikanë, analistë, gazetarë, drejtues të shoqërisë civile në Shqipëri, Kosovë e gjetkë ku jetojnë shqiptarët! Ndërkaq kompromisi i kërkuar nga presidenti serb do të thotë shuarje – zhbërje e shtetit të Kosovës.

Por fatmirësisht ky qëndrim i Beogradit dhe Tiranës zyrtare ka çuar në krijimin e asaj që quhet Kosova-centrizëm. D.m.th ka krijuar një grupim të madh politikanësh, akademikësh, intelektualësh, pra nga elita kombëtare, sidomos në Kosovë, por edhe në Shqipëri e gjetkë, i cili është përkushtuar për forcimin e institucioneve dhe shtetësisë së saj, duke mos llogaritur më në opsione të tjera jashtë këtij skenari. Sa më shumë Edi Rama, Aleksandër Vuçiqi, Abazoviçi, apo Ahmetoviçi i fryjnë Open-Balkan-it dhe “pajtimit me kompromis të Kosovës me Serbinë”, aq më shumë do të fuqizohet lëvizja për forcimin e identitetit shtetëror të Kosovës!

Ky proces nuk do të ndalet as me retorikat e “bashkimit kombëtar”, as me retorika të tjera që serviren në emër të simboleve kombëtare! Kjo sepse këto retorika po i përdorin me qëllim dashakeq ata që bashkëpunojnë ngushtë me presidentin e Serbisë dhe shtetin serb. Pra, janë retorika kurthi! Pra, shihet qartë se retorika e bashkimit kombëtar është maskë për shpërbërjen e shtetit të Kosovës dhe ndarjen e saj midis Serbisë dhe Shqipërisë! Këtë synim ka Ballkani i Hapur, sepse kjo është parashkruar në vitin 2016 në Nish të Serbisë, sipas Sonja Biserko, midis Aleksandër Vuçiqit dhe Edi Ramës!

Mesazh për Serbinë

Prandaj dhe vendimi i djeshëm i Qeverisë së Kosovës është i një rëndësie jetike. Ai vendim jep disa mesazhe: Së pari, paralajmëron lobet serbe në Bruksel e kudo gjetkë se “nuk ka kompromis me shpërblimin e agresorit gjenocidist në dëm të viktimës”! Por kjo nuk do të thotë se nëse vendoset e drejta shtetërore, politike e morale nuk do të ketë pajtim midis palëve! Së dyti, kjo paralajmëron autorët e Open Balkan-it se nuk ka kompromis as në këtë pikë, derisa Serbia ta njohë shtetin e Kosovës! Së treti, vendimi i të mërkurës është mesazh për Serbinë, se Kosova është shtet i pavarur dhe sillet edhe me Beogradin e madje edhe me Tiranën zyrtare e kryeqytetet e tjera si e tillë!

Pra, paralajmërimi është i qartë: Ose njihni Kosovën e lirë e të pavarur dhe respektoni integritetin territorial e sovranitetin e saj, ose në vend të izolimit të Kosovës do të shkohet te izolimi i Serbisë! Kosova ka në dorë ta iniciojë e ta realizojë këtë izolim të Beogradit! Kush nuk e njeh dhe vlerëson këtë rol të Kosovës, gabon!

Serbia nga ana e saj, duke këmbëngulur në lojën e vet politike për ta mbajtur Kosovën nën sovranitetin e saj, po përgatit rrethimin e radhës dhe ndoshta edhe një fund tragjik për të! Këtë fakt e njohin në Beograd, por ata luajnë çdo gur deri në momentin e fundit. Pikërisht për këtë shkak, qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të mbajnë në duar gurë rezervë për t’iu përgjigjur provokacioneve serbe!

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Putini e akuzon NATO-n se ndjek “ambicie perandorake” me ofertën e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë

Story i radhës

​Tokio përjeton qershorin më të nxehtë në 147 vjetët e fundit

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish