Putin njofton se 318 mijë njerëz u raportuan në shërbimin ushtarak për mobilizimin e pjesshëm

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë të ditur se 318 mijë njerëz janë rekrutuar nën mobilizimin e pjesshëm ushtarak në Rusi, ndërkohë 49 mijë prej tyre tashmë janë duke kryer misione luftarake në Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një takim me vullnetarët në Moskë, në një ngjarje për të përkujtuar Ditën e Unitetit, festën kombëtare të Rusisë që shënohet më 4 nëntor, presidenti Putin shpjegoi se tashmë është tejkaluar shifra e planifikuar prej 300 mijë rezervistëve, sepse shumë qytetarë u paraqitën vullnetarisht në shërbimin ushtarak.

“Ne tashmë kemi 318 mijë (njerëz të mobilizuar), sepse po vijnë vullnetarë”, tha Putin.

Ai premtoi se shteti do të sigurojë të gjithë mbështetjen e nevojshme për familjet e atyre që marrin pjesë në “operacionin special ushtarak të Rusisë”.

I pyetur për evakuimet nga qyteti Kherson i Ukrainës, Putin tha se rajoni ndodhet shumë afër zonës së luftimit dhe se civilëve iu kërkua të largohen nga zona për të shmangur viktima.

Ai gjithashtu tha se autoritetet ruse po punojnë për të lehtësuar procedurën e lëshimit të dokumenteve për refugjatët ukrainas që ikin në Rusi.

“Aktualisht jemi duke marrë vendimi që do ta bëjnë të mundur marrjen e këtyre dokumenteve në mënyrë më të thjeshtë. Ne do t’i përmirësojmë këto, ne patjetër duhet të punojmë për këtë”, u shpreh ai.

Nga 21 shtatori deri më 28 tetor, Rusia kreu një mobilizim të pjesshëm ushtarak, sipas të cilit 300 mijë anëtarë të ri u rekrutuan në ushtri.

Javën e kaluar, ministri rus i Mbrojtjes, Sergey Shoygu, tha se mobilizimi i pjesshëm ushtarak ka përfunduar, ndërsa të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenkov, raportoi se të gjitha aktivitetet e mobilizimit janë përfunduar dhe se komisariatet ushtarake ndaluan lëshimin dhe dërgimin e njoftimeve dhe iu kthyen punës rutine.

Burimi: GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Parashikimi i motit për vikend

Story i radhës

Barça dhe Juve pas Zaha-s

Të fundit nga