Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me burgim të përjetshëm Bllagoje Spasojeviqin dhe Vlladimir Toliqin për sulmin e armatosur në Banjskë, ndërsa Dushan Maksimoviq është dënuar me 30 vjet burgim.
Rasti, i cili lidhet me një nga sulmet më të rënda të ndodhura në veri të vendit, është cilësuar si vepër me karakter të rëndë penal, përfshirë edhe elemente të terrorizmit.
Por të njëjtin fat nuk e pati ish-zyrtarja e OSBE-së, Jelena Gjukanoviq, e cila u dënua me 6 vite burgim për spiunazh nga e njëjta Gjykatë.
Lidhur me rastin, juristi Blerim Burjani në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se çështja është plotësisht gjyqësore dhe vendimi varet nga provat dhe faktet materiale e formale që prezantohen.
Sipas tij, vetëm në bazë të provave do të kuptohet edhe aktgjykimi, ndërsa vepra të tilla, përfshirë spiunazhin apo terrorizmin, konsiderohen ndër më të rëndat për sigurinë dhe integritetin shtetëror.

“Kjo çështje është gjyqësore, pra varet nga provat apo faktet materiale dhe formale. Në bazë të provave do të kuptohet edhe vendimi gjyqësor. Vepra terroriste është vepër penale më e rrezikshme për jetën dhe pasurinë e njerëzve dhe për integritetin shtetëror. Tani, varësisht nga cenimi i rendit kushtetues dhe cilat motive kanë qenë, atëherë gjykata merr aktgjykim edhe për personat e dyshuar për spiunazh. Pra, varet nga provat dhe si i prezanton ato prokuroria”, ka deklaruar Burjani.
Ndërkohë, Gjykata e Apelit më 20 janar 2026 kishte pranuar ankesën e Prokurorisë Speciale ndaj të akuzuarës për spiunazh, Jelena Gjukanoviq, duke ndryshuar vendimin e shkallës së parë dhe duke lejuar si prova të vlefshme të dhënat e gjetura në telefonin e saj.
Ndërkohë, PSRK më 2 shtator 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj saj, duke e akuzuar se si zyrtare e OSBE-së në Mitrovicë ka ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës së Serbisë (BIA), duke i përcjellë informacione të ndjeshme përmes komunikimeve me Aleksandër Vllajiqin, i dënuar më parë për spiunazh.
Burimi: botasot.info


