Pse duhej SHIK-ku dhe organizata “Shqiponjat e Zeza”, si imitim i “Dorës së Zezë” të Serbisë?!

min lexim

Prokuroria pranë Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë ka dorëzuar përfundimisht akt-akuzën për disa krerë të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë dhe ish-presidentin, Hashim Thaçi. Pikërisht kjo e bën situatën në këto kohë më të ngarkuar. Tani kuptojmë pse kryeministri, tre ish-presidentë dhe një ish-kryeministër, si dhe presidenti i FSHF vizituan të akuzuarit e Hagës! Duket se ishte një orkestrim presioni ndaj prokurorisë me qëllim që të zbuten akuzat ndaj e kryesisht Hashim Thaçit.

Të dyshuar ata që janë në Hagë, dhe të tjerë, të cilët gjenden në liri

Duke kuptuar këtë lojë politike të tipit ballkanik e pa ndonjë moderacion, prokurori Special bëri para pak ditësh një retushim të akt-akuzës, kur pranoi të heqë nga kjo akuzë të një rast vrasjeje në Ferizaj. Tha se për këtë rast nuk gjenden prova. Në fakt Prokurori mund të mos gjejë prova edhe për dhjetëra raste të tjera të vrasjeve politike, të cilat edhe sot pas 24 vitesh janë pa autor! Por, sa kohë që nuk do të ndriçohen raste të tilla si ai i Enver Malokut, apo Xhejmal Mustafës, të Shaban Manajt apo Smajl Hajdarajt, të kolonel Ahmet Krasniqit apo të Tahir Zemajt, si dhe të dhjetëra të tjerëve bashkëpunëtorë të presidentit historik Ibrahim Rugova, për aq kohë do të mbeten të dyshuar ata që sot janë në Hagë, si dhe të tjerë, të cilët gjenden në liri.

Do të ishte një mrekulli nëse Haga zbulon autorët e këtyre vrasjeve dhe në këto akte kriminale dalin të pastër të akuzuarit e sotëm! Për mua dhe për çdo shqiptar do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm që viktimat të gjenin paqe e njëkohësisht të provohej se Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi ishin dhe mbeten jashtë këtyre akteve që kanë ndodhur. Por, gjithsesi Haga duhet të hetojë dhe të zbardhë veprimtarinë e dy organizatave të dyshimta e me veprimtari të errët, asaj të “Shqiponjave të Zeza” dhe SHIK-ut! Pa e zbardhur veprimtarinë kriminale ose jo kriminale të këtyre dy organizatave, vështirë se arrihet paqja dhe pajtimi në Kosovë. Janë dhjetëra njerëz të pafajshëm që nuk jetojnë më! Dhe si për çudi, janë ata njerëz që ose kishin ndikim të madh në veprimtarinë politike të Ibrahim Rugovës, ose kishin marrë pjesë direkt në luftën çlirimtare të Kosovës!

Me regji të Edi Ramës

Këta mjeranët që shkuan për vizitë në Hagë me regji të Edi Ramës, me qëllim që t’i bëhej presion Prokurorit Special për të tërheq akt-akuzën, e motivojnë këtë me mbrojtjen që ata “i bëjnë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”! Unë do të shtroja një pyetje të thjeshtë: A nuk ishin luftëtarë të mëdhenj në UÇK edhe Ahmet Krasniqi, Tahir Zemaj, Smajl Hajdari e dhjetëra të tjerë të ekzekutuar nga shqiptarët? A mos këta duheshin eliminuar që të mos u bënin hije këtyre komandantëve që sot janë në Hagë?! Pse mbrojtja e këtyre që akuzohen është e duhet të jetë “Mbrojtje e UÇK-së” dhe zbulimi i vrasësve të emrave që përmendëm nuk qenka mbrojtje e UÇK-së dhe vlerave të saj?!

UÇK ishte një, unike dhe kjo falë vullnetit të rugovistëve për t’u bashkëpunuar në kushte terrori, me synim çlirimin e Kosovës! Se midis dy fraksioneve të Ushtrisë Çlirimtare kishte konflikt të ashpër politik, ky fakt është tashmë i njohur dhe i provuar! Se në këtë konflikt kanë dorë krerët e UÇK-së që sot gjenden në Hagë, edhe kjo është e provuar me deklaratat, komunikatat dhe vendimet për asgjësime politike! Se konfliktin e ashpër politik midis fraksioneve të luftës e nxiti Tirana zyrtare, përfshirë një ish- president dhe një ish- kryeministër që u gjendën këto ditë në dyert e Hagës, edhe kjo është e ditur! Se SHIK-u u krijua nga Fatos Klosi, i cili sot shpërblehet si veteran i UÇK-së, edhe kjo gjë është e dëshmuar!

Në këto kushte thjesht duhen sqaruar disa momente, çfarë ka ndodhur në të vërtetë: A u shndërrua konflikti i ashpër politik në një gjueti shtrigash për eliminime fizike? Çfarë roli kanë të akuzuarit në Hagë dhe madje çfarë roli ka edhe Rexhep Qosja, Fatos Klosi e të tjerë personazhe të kohës?! Pse duhej krijuar organizata “Shqiponjat e Zeza” e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe çfarë roli kishte kjo organizatë në eliminimin e kundërshtarëve politikë?! Në fund të fundit kujt i duhej një organizatë paralele që imitonte “Dorën e Zezë” të Çubrilloviçit të vitit 1914 në Bosnjë?! A nuk ishte e mjaftueshme ekzistenca e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që u desh të krijoheshin dhe organizata paralele me imitime të organizatave terroriste të Serbisë?!

Këto enigma do të kërkojnë të dalin në dritë gjithë jetën, sepse prapa tyre fshihet dora e zezë që eliminoi fizikisht shqiptarët, thjesht për shkaqe politike! Ata që thoshin se “Nëse pavarësinë e shpall Rugova, ne nuk do ta pranojmë këtë pavarësi”, ishin të gatshëm të bënin gjithçka, edhe eliminime fizike, për lavdinë e tyre të shënjuar në mjediset luksoze të Rognerit dhe Vilës 31 në Tiranë!

Story i mëparshëm

Tetori Rozë/ Manastirliu: Mamografi edhe në oraret e pasdites, kemi siguruar ekzaminimet dhe trajtimin falas

Story i radhës

Finlanda dhe Polonia ftojnë në takime ambasadorët rusë

Të fundit nga