Me paraqitjen e provave të prokurorëve, sot vazhdoi procesi gjyqësor për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, i cili shpërtheu më 16 mars 2025 dhe ku humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan. Në fillim të seancës së sotme, një nga mbrojtësit iu referua provave të mëparshme nga kamerat që ishin prezantuar.
Sipas avokatit mbrojtës, për një periudhë kohe numri i hyrjeve në diskotekë ishte llogaritur relativisht saktë, ndërsa në pjesën tjetër të kohës një numër dukshëm më i vogël personash hynin në lokal, ndërsa një numër më i madh lëvizte në drejtim të kundërt.
Në momentin kritik, siç tha mbrojtësi, sipas vlerësimeve të tyre nuk ka pasur më shumë se 500 persona, duke përfshirë edhe nëpunësit policorë dhe mysafirët jashtë diskotekës – një zonë që nuk ishte e dukshme nga kamerat.
Seanca më pas vazhdoi me paraqitjen e provave nga prokuroria – video-incizime dhe fotografi të lidhura me objektin, klubin “Puls”, nga nata kritike, si dhe nga vitet e mëparshme kur ai kishte funksionuar
“Do të mund të shihni se ekzistojnë rrethana që lidhen me aspekte të rëndësishme të sigurisë për funksionimin e këtij klubi, i licencuar ligjërisht si kabare, u theksua në seancën e sotme gjyqësore.
U nënvizua se në një video të vitit 2019 mund të shihen shkëndija dhe spërkatje nga shishe në mesin e publikut. Më pas u tha se në një postim në rrjete sociale shihen edhe zjarre të hapura. U theksua gjithashtu si veçanërisht interesant një koment i vetë klubit – në anglisht ku shkruhej: “A e dëgjuat historinë e ‘Puls’ dhe zjarrit”, duke iu referuar një publikimi nga viti 2019.
U theksua që duhet të merret parasysh madhësia e shkëndijave, si dhe vetë postimet që klubi i kishte bërë në rrjetet sociale.
Nga një prej mbrojtësve u reagua se “këto lloj shkëndijash” mund të blihen edhe në një nga zinxhirët më të mëdhenj dhe më të njohur të supermarketeve në vend.
Në sallën e gjyqit u debatua gjithashtu nëse bëhej fjalë për shkëndija të përdorura për ditëlindje apo jo.
“Ka edhe lloje të ndryshme për ditëlindje” – u dëgjua një nga komentet në sallën e gjyqit.
U shënuan gjithashtu mosmarrëveshje mes prokurorëve dhe mbrojtjes lidhur me atë nëse nga provat mund të konstatohet se bëhej fjalë për kabare apo jo, si dhe si duhet të duket një kabare.
Mendime të ndryshme u shprehën edhe rreth asaj nëse një pikë e kuqe në një nga fotografitë nënkuptonte shenjë daljeje, gjë që u pretendua nga njëri prej mbrojtësve.
Më pas u prezantuan edhe dokumente lidhur me “Puls”.
Sot u thirr edhe ndihma e shpejtë, pasi njëri prej të akuzuarve, siç u tha në sallën e gjyqit, nuk ishte mirë.
Seancën gjyqësore e udhëheq gjyqtarja Diana Gruevska-Iliеvska.
Burimi: alfax.mk


