Pas një periudhë të komplikuar, Barcelona u rikthye më në fund të buzëqeshë.
Mbrëmë këtij klubi i arritën dy lajme të mira: ri-integrimi në skuadër i dyshes Dani Olmo e Pau Victor dhe fitorja në gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës ndaj Athletic Bilbaos me rezultat 2:0.
Dhe, këto dy gëzime ia kanë rikthyer buzëqeshjen dhe lumturinë edhe trajnerit Hansi Flick, i cili foli në konferencë për shtyp pas lojës.
“Jam mjaft i kënaqur, për skuadrën dhe për klubin, që është mjaft i lumtur me vendimin”, deklaroi trajneri gjerman pasi iu rikthyen në dispozicion dy lojtarët, të cilët kishin mbetur jashtë listës pasi nuk ishin të regjistruar nga La Liga dhe nga Federata Spanjolle e Futbollit.
“Klubi është i lumtur. Për ne ka qenë një sinjal i mirë para ndeshjes. Dëshironim ta demonstronim se jemi një skuadër”, shtoi ish-trajneri i Bayern Munichut, i cili foli më pas edhe për momentin e Barçës.
“E bëmë një nisje të shkëlqyeshme, por e kemi një skuadër të re dhe duhet të mësojmë shumë gjëra.
Sidoqoftë, kjo është mënyra e jonë e të luajturit. Kemi luajtur mjaft mirë kundër Athleticos dhe nuk ishte mënyra më e mirë për ta mbyllur vitin. Kemi bërë mirë edhe kundër Barbastro dhe sot kundër Athletic Bilbaos, duke e mbajtur portën të paprekur”, nënvizoi tutje Flick.
“E kemi një skuadër të re dhe mund të mësojmë shumë gjëra.
Por, këta djelmosha dinë se si të luajnë dhe se si ta shijojnë futbollin. Ky është rrugëtimi që duam ta demonstrojmë në ndeshjet e ardhshme”, përfundoi trajneri gjerman.
Barça do ta kërkojë trofeun e parë sezonal pas pak ditësh, ndërsa në finale do ta presë fituesin e duelit të sontëm mes Real Madridit dhe Mallorcës së Vedat Muriqit.
Burimi: botasot.info