pas debimit nga mali i zi blogeri rus kthehet nga serbia ne rusi 6accadf3846b4

Pas dëbimit nga Mali i Zi, blogeri rus kthehet nga Serbia në Rusi

October 12, 2026
min lexim

Blogeri rus dhe themeluesi i kanalit Rybar në Telegram, Mikhail Zvinchuk, u kthye në Rusi, pasi u dëbua nga Mali i Zi, së bashku me bashkëshorten dhe tre bashkëpunëtorë të tij, për arsye të sigurisë kombëtare dhe të brendshme.

Zvinchuk dhe bashkëpunëtorët udhëtuan fillimisht nga Podgorica drejt Beogradit.

Pas mbërritjes në Moskë, Zvinchuk u tha mediave ruse se në lirimin dhe kthimin e tij ishin përfshirë institucionet shtetërore ruse, përfshirë Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe rrjetin diplomatik.

Ai tha se pajisjet e konfiskuara gjatë ndalimit në Mal të Zi, përfshirë kamerat dhe një dron, ende nuk i janë kthyer dhe se Ambasada ruse po e ndihmon në zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Zvinchuk dhe bashkëpunëtorët e tij u ndaluan të premten, më 9 tetor, në territorin e komunës së Kotorrit.

Gjatë bastisjes, atyre iu gjetën dhe iu konfiskuan pajisje digjitale, përfshirë pajisje për regjistrim me rezolucion të lartë, një dron, një kamerë, një kamerë GoPro dhe disa telefona.

Policia bëri të ditur se pajisjet do t’u nënshtrohen ekspertizave dhe analizave, për të përcaktuar se për çfarë qëllimi janë përdorur në territorin e Malit të Zi.

Vendimi për dëbimin u mor nga Policia e Malit të Zi për, siç u tha, arsye të sigurisë kombëtare dhe të brendshme.

Para se të shkonte në Mal të Zi, Zvinchuk kishte qëndruar në Serbi dhe në Bosnje dhe Hercegovinë, konfirmoi Radio Evropa e Lirë.

Atje, ai dhe ekipi i tij dyshohet se po xhironin një seri dokumentarësh për marrëdhëniet mes Rusisë dhe Ballkanit.

Nga kanali Rybar thanë se të katër shtetasit rusë “kishin qëndruar ligjërisht në Mal të Zi” dhe “kishin planifikuar të xhironin Manastirin e Cetinës – për çka kishin paraqitur më herët një kërkesë zyrtare”.

Rybar është një rrjet rus mediatik dhe informativ, i themeluar në vitin 2018 nga Zvinchuk, ish-punonjës i shërbimit për shtyp në Ministrinë ruse të Mbrojtjes.

Gjatë luftës në Ukrainë, Rybar u shndërrua në një nga kanalet ushtarake proruse më me ndikim në Telegram.

Zvinchuk është nën sanksionet e Bashkimit Evropian që nga viti 2023, për shkak të mbështetjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe përhapjes së propagandës.

Sipas BE-së, ai është anëtar i një grupi pune të krijuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, për të koordinuar përpjekjet e mobilizimit në lidhje me luftën kundër Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe e kanë lidhur rrjetin Rybar me operacione të ndikimit të huaj dhe të luftës informative.

Në vitin 2024, Departamenti amerikan i Shtetit, përmes programit Rewards for Justice, ofroi një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacione mbi personat e lidhur me projektin Rybar, duke ngritur dyshime se ky rrjet është i përfshirë në operacione të ndikimit të huaj.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

perjashtimi me 60 dite i bardhit dhe balliu flet korreshi 6accad927406b
Lajmi i mëparshëm

Përjashtimi me 60 ditë i Bardhit dhe Balliu, flet Korreshi

britney spears rrefen dhimbjen nga kujdestaria 13 vjecare 6accaebd10c3d
Lajmi i radhës

Britney Spears rrëfen dhimbjen nga kujdestaria 13-vjeçare

Të fundit nga

ShkoLartë