Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është zhvilluar seanca për çështjen “Partizani”, ku ka dëshmuar Violeta Shqevi.
E pyetur nëse ka qenë e punësuar në Ministrinë e Kulturës, Shqevi ka deklaruar se ka punuar si juriste që në vitin 2007 dhe më pas ka mbajtur detyra të ndryshme institucionale. Shqevi deklaroi se klubi “Partizani” ishte në përgjegjësinë e ministrisë dhe përfshinte disa disiplina sportive, me përjashtim të futbollit. Sipas saj, klubi dispononte asete dhe godina të ndryshme sportive, përfshirë ambiente për gjimnastikë, mundje dhe peshëngritje.
E pyetur nga prokurorët e SPAK nëse këto prona ishin të regjistruara, Shqevi tha se nuk kishin qenë të regjistruara dhe se drejtoria nuk kishte informacion të qartë për ekzistencën e një pronari formal apo për çështje zaptimi të mundshëm. Ajo shtoi se kishte kërkuar me shkresa nga eprorët regjistrimin e pronave të klubit “Partizani”, për të qartësuar statusin e tyre juridik. Sipas dëshmisë së saj, në atë periudhë ishin ngritur shqetësime edhe për pengimin e aktiviteteve sportive nga disa familjarë, të cilët, sipas saj, kishin zënë hapësira të territorit të klubit.
Në lidhje me ndryshimet ligjore të vitit 2007 dhe 2008 për sportin, Shqevi tha se kishte qenë pjesë e stafit dhe se në atë kohë ishte ndjekur një strategji shtetërore për transformimin e klubeve sportive në shoqëri aksionere brenda dy viteve. Ajo shtoi se, sipas diskutimeve të asaj kohe, krahas transformimit të klubeve, ishte parashikuar edhe privatizimi i objekteve sportive. “Ne kemi bërë përpjekje për rritjen e infrastrukturës sportive, pasi vendi kishte mungesë të theksuar të saj,” deklaroi ajo. Shqevi tha gjithashtu se, në rast privatizimi, ishte kërkuar që shteti të garantonte zëvendësim të hapësirave sportive, duke përmendur modele të ngjashme si ai rumun për administrimin e sportit.
Shqevi: Kam qene e punësuar si juriste ne 2007 dhe me pas kam qene në pozicionit. Kam qene ne rolin e kryetares për strategjinë e sportit për vitet 2008-2020. Qëllimi i strategjisë ishte për sportin elitar, përmirësime dhe rritje e infrastrukturës në vend. Në vitin 2005 ishte miratuar një objektiv 2-vjeçar për modernizimin e klubeve sportive. Klubi ishte nën përgjegjësinë e ministrisë së sporteve, e njoh si klub sportiv në atë kohë ne menaxhonim të gjithë klubin sportiv shumë sporte, përveç futbollit. Klubi kishte asest, kishte godina, gjimnastikën, ishte dhe një godinë tjetër që kishte mundje, peshëngritje.
SPAK: Ku ishin këto godina?
Shqevi: Ishin dy në qendër te klubit, si mund të themi poshtë 21 dhjetorit, si zonë.
SPAK: Sa palestra kishte?
Shqevi: Ishte palestra e gjimnastikës, po ashtu palestra e basketbollit dhe volejbollit. Në memorien time ishin palestrat e tjera.
SPAK: A kane qene te regjistruara?
Shqevi: Jo nuk kanë qenë të regjistruara, drejtoria e sportit s’ka pasur informacion të qartë për ekzistencën e ndonjë pronari, apo se ishin zaptuar. Unë u kam kërkuar eprorëve …
SPAK: Në qershor 2008 ministria e turizmit, shfaqet iniciatorë për ligjin për sportit, përveç koncesionit shfaqet dhe privatizimi, keni dijeni për këtë?
Shqevi: Po në atë kohë përveç klubeve do të bëhej edhe privatizimi i objekteve, në atë kohë një grup teknik do të bënte një strategji për përmirësimin e sportit. Kemi bërë përpjekje për rritjen e infrastrukturës, pasi ne ishim me infrastrukturë, shumë më të vogël për pjesën sportive. Ne kërkuam që nëse do të privatizohen, shteti duhet t’i zëvendësonte ato me hapësira të tjera. Ne ishim pro rritjes së infrastrukturës sportive. Ne kemi kërkuar zbatimin e ligjit rumun, nëse do të ndodhte privatizimi.
Burimi: botasot.info


