Paralajmërimi i Zelenskit për pozicionin francez në Ukrainë!

Presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky çdo ditë e më shumë na zbulon faktin se interesat e Fuqive të Mëdha Evropiane në zonën e kunfliktit me Rusinë ndryshojnë nga njëra – tjetra. Ai veçoi angazhimin maksimal të Britanisë së Madhe dhe kryeministrit Boris Johnson në këtë konflikt. Tha se ky angazhim është modeli i ndihmës që i duhet dhënë Ukrainës për ta fituar luftën me Rusinë. Dhe dukej se nuk kishte hipokrizi në vlerësimin e tij për Londrën, sepse në fund përmend pasigurinë e tij nëse edhe Anglia është ose jo për zgjatjen e kësaj lufte!

Më tej Zelensky ndihmën e Gjermanisë e karakterizon si konjukturale, herë me aksionet e duhura dhe me ndihma domethënëse dhe herë tjetër të kushtëzuar nga reagimi i opinionit të brendshëm, si dhe nga ndikimet që japin sanksionet kundër Rusisë te ekonomia gjermane. Një realitet ky i provuar tashmë në raportet e fuqisë më të madhe evropiane ndaj konfliktit dhe sulmeve ruse kundër Ukrainës. Por i dëshmuar edhe në krizën e Krimesë në vitin 2014.

Por presidenti ukrainas kritikon ashpër qëndrimet e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për të cilin thotë se “ka frikë nga Rusia”! Qëndrimet franceze ai i karakterizon si qëndrime që favorizojnë politikën dhe agresionin e Kremlinit në Ukrainë, si qëndrime, të cilat nuk i ndihmojnë kauzës perëndimore në atdheun e Volodymir Zelenskyt. Kritika ndaj qëndrimit francez bazohet në refuzimin e këtij vendi për ndihmë më të fuqishme ndaj luftës së drejtë që bën Ukraina për mbrojtjen e sovranitetit të saj. Ajo ka një bazë, sepse sjelljet e Macron në samitet ndërkombëtare ngjajnë me një lloj “moderacioni” që favorizon agresorin rus.

I përmenda këta tre shembuj për të provuar faktin se Evropa në thelbin e vet nuk ka ndryshuar. Fuqitë e Mëdha të saj, para së gjithash Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca, kanë qasje jo të njëjta në raport me luftën ukrainase. Askush nuk mund të presë që këto fuqi të jenë unike dhe në harmoni absolute edhe në këtë rast kur kërcënohet ekzistenca e Bashkimit Evropian dhe e vetë shteteve evropiane. Megjithatë dallimet nuk mund të jenë esenciale. Nëse Britania e Madhe është aktive në luftën e Ukrainës kundër Rusisë, Gjermania mban një pozicion pak më të butë. Ndërkohë Franca shfaqet me mentalitetin historik të një aleance e miqësie të trashëguar me Rusinë.

Në fakt do të duhej të ishte ndryshe. Sulmet ushtarake të Moskës kundër një vendi sovran për pushtimin e tij, ose për t’ia ndryshuar atij hartën politike, janë kërcënim në radhë të parë për Evropën Lindore dhe Juglindore, ku bën pjesë edhe Ballkani Perëndimor. Ky kërcënim po përsëritet për të tretën herë në 13 vite të mbretërimit të Vladimir Putin në Moskë. Rreziku rus anti-perëndimor nisi në vitin 2008 me aneksimin e Abkazisë dhe Osetisë së Jugut, të cilat ishin pjesë e sovranitetit të Gjeorgjisë. Vërtet ky lloj pushtimi nuk u njoh de jure nga bota e civilizuar. Por ishte presidenti Sarkozy, ai që “shkriu” akujt e marrëdhënieve të Evropës me Kremlinin.

Në vitin 2014 ndodhi e njëjta gjë me Krimenë, e cila iu shkëput dhunshëm dhe pa asnjë shkak Ukrainës dhe u bë pjesë integrale e Rusisë. Vladimir Putin e udhëhoqi këtë luftë personalisht, ndërkohë që ndezi flakët e konfliktit në zonën e Donbasit në lindje të Ukrainës. Evropianët dhe amerikanët gjatë kësaj kohe u konfliktuan midis tyre se kush prej tyre do të kontrollonte ngjarjet në sheshin Maidan të Kievit. Kurse Vladimir Putin vazhdoi me gjakftohtësi dhe pa pengesa projektin e tij të aneksimit të gadishullit në fjalë. U vendosën sanksione edhe atëherë. Por ishin përsëri francezët ata që “shkrinë” akujt e ftohtë të marrëdhënieve midis Brukselit e Moskës. Krimea nuk është njohur si pjesë e Rusisë, por de facto ajo është pjesë e saj. Deputetë të shumtë të Asamblesë Kombëtare të Francës e kanë vizituar Krimenë e aneksuar, duke legjitimuar aneksimin e saj nga Moska.

Duke mësuar nga eksperienca e lëshimeve evropiane sipas skemës së Parisit, Putin nisi aksionin ushtarak të pushtimit të Ukrainës. Ukraina luftoi, qëndroi dhe Rusia po pëson humbje në terren. Por në Evropë duket se ende ka një lloj disharmonie në qëndrimin ndaj agresorëve rusë. Kjo disharmoni mund të kthehet në konflikt brenda-evropian. Ka prej atyre që thonë se Macron nuk e kupton që përçarja e Evropës është pritshmëria me fatlume e presidentit të Rusisë. Por nuk është “moskuptimi” arsyeja e qëndrimeve toleruese të presidentit francez. Shkaku themelor lidhet me afeksionet dhe ndjesitë pro-ruse të shumë francezëve, të cilët do të përdorin votën për zgjedhjet e këtij viti presidenciale në Francë, gjë që nuk ndodh te Fuqitë e tjera të Mëdha të Evropës. Nuk ndodh sidomos te britanikët, por në një masë të madhe edhe te gjermanët.

Nëse Fuqitë e Mëdha Evropiane nuk do të jenë bashkë e në të njëjtën valë reagimi ndaj agresorëve rusë kundër sovranitetit të Ukrainës, atëherë bota do të shkojë lehtësisht drejt një lufte të tretë. George Soros thoshte në një editorial të botuar në mediet botërore se kjo luftë tashmë ka filluar. Por kjo nuk është e vërtetë, sa kohë që Ukraina mbrohet me sakrifica të shumta. Nëse do ketë ose jo një Luftë të Tretë Botërore, kjo varet nga harmonia dhe uniteti i evropianëve, para së gjithash të tri vendeve më të fuqishme të saj!

Ajo që pohon presidenti i Ukrainës, Zelensky, vlen edhe për ngjarjet në Ballkan e në Kosovë. Janë përpjekjet individuale të Fuqive Evropiane dhe ndikimet franceze shkaku i stërzgjatjes së krizës dhe konfliktit si në Kosovë edhe në Bosnjë-Hercegovinë. Këtë duhet ta mbajnë parasysh liderët politikë të këtyre vendeve!

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Snajperistja serbe që kishte vizituar Kosovën kapet në Ukrainë

Story i radhës

Bie dukshëm interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar

Të fundit nga