Nuk ka emër vetëm liria, kanë emër dhe Nuredinlushtakët!

min lexim

Nuredin Lushtaku nuk është fytyra e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk është nderi i kësaj ushtrie. Nuk është as modeli i shtetësisë së Kosovës! Fytyra, nderi dhe modeli i UÇK-së janë drejtësia, korrektësia në zbatimin e ligjit, barazia dhe përgjegjësia për fatin e shtetit! Të tillë ish-luftëtarë të UÇK-së ka me mijëra. Por Nuredin Lushtaku është fytyra dhe modeli i jo pak komandantëve të luftës që në emër të kësaj lufte e plaçkitën Kosovën. E në vend që ta ndërtonin shtetësinë e saj, e rrënuan atë me padrejtësi dhe kriminalitet të pandërprerë.

Dëmi më i madh që ka shoqëria kosovare nga Nurdeinlushtakët lidhet me krijimin e konceptit të pandëshkueshmërisë. Kjo më pas prodhon sistemin e skllavërisë në vend. Dhe skllavëria ishte tipar i shtetit në skllavopronari. Deri diku ajo u përdor si mjet tregtie deri në pjesën e dytë të shekullit XIX. Nëse NATO, SHBA-të, Bashkimi Europian do ta dinin se shtetësinë e Kosovës do ta ndërtonin në modelin e Nuredin Lushtakut, atëherë ata do t’i kishin lënë shqiptarët rrugëve të botës dhe Kosova do të ishte harruar prej tyre!

Nuk ndodhi kështu, sepse bota e qytetëruar besoi se Kosova do të ndërtojë një rend demokratik të shtetit të së drejtës. E bindi për këtë presidenti historik Ibrahim Rugova. Në Uashington, në Londër, në Berlin e ndoshta edhe në Paris e Romë besuan se shqiptarët e Kosovës i ngjanin Rugovës. Ata nuk e dinin se kishte gjithashtu Nuredinlushtakë. Nuk e dinin se ky Lushtaku që plagos policë dhe ngre dorën kundër shtetit nuk do pranonte ta dërgonte Gardën për ta nderuar vetë historinë, Ibrahimin e Madh (apo Abrahamin e Kosovës). Nuk e dinin se pushteti pas vdekjes së Rugovës do të uzurpohej nga të tillë banditë!

Nëse bota e Perëndimit do të dinte se në qeverisje do të vinin banditët, atëherë shqiptarët do ta vuanin tmerrësisht dhunën e Milosheviçit e të Serbisë. Askush nuk do të kthente kokën nga ne shqiptarët. Por Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte ushtri banditësh. Ajo ishte dhe mbetet ushtri e idealit të lirisë së Kosovës. Kundërshtari më i madh i luftës dhe UÇK-së e njëkohësisht miku më i madh i komandantëve grabitqarë, Baton Haxhiu, shpiku pas arrestimit të Thaçit logon “Liria ka emër – UÇK”!

Në fakt ajo logo u përdor për të nxit lushtakët për dhunë në Kosovë. Në emër të asaj se “po na e përdhosni nderin e lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”! Ndërkaq përdhosësi më i madh i saj ishte njeriu i Stanishiqit, që me atë logo mori në mbrojtje komandantët e modelit Lushtak, grabitësit dhe shkelësit e ligjit të shtetit në Kosovë.

Thjesht UÇK-ja u përdor kështu si maskë. Po përdoret gjithashtu si maskë. Sepse Nuredinlushtakët nuk janë UÇK. Ata janë turpi i UÇK-së. Ata janë anti-shteti! Anti-drejtësia! Anti-barazia! Anti-Liria! Lirinë e kuptojnë si “e drejtë” për të dhunuar gjithçka në Kosovë, për ta grabit e vjedh atë, për ta dhunuar edhe policinë. Nuk kanë bërë gjatë vitit të fundit diçka më shumë se Nuredin Lushtaku serbët e instrumentalizuar të Zubin Potokut! Edhe ata kanë qëlluar kundër policisë së Kosovës!

Njësoj si Nurdin Lushtaku!

Dhe më e keqja është se Partia Demokratike e Kosovës, AAK e Nisma, të vetëquajtura si parti të luftës, nuk kanë marrë qëndrim të prerë e bindës kundër Nuredinlushtakëve. Përkundrazi, përpiqen të atakojnë policinë e institucionet e Kosovës. Vetëm Vlora Çitaku u distancua, por në emrin e saj personal. Jo në emër të partisë ku bën pjesë. Unë nuk dua të besoj se fenomeni Lushtak është edhe fenomen i këtyre partive. Por në Kosovë e dinë se janë këto parti që e kanë toleruar krimin në dëm të shtetit dhe institucioneve të tij, në dëm të drejtësisë dhe barazisë së qytetarëve. Nëse PDK, AAK dhe Nisma, që thuajse nuk ekziston, nuk distancohen prerë dhe hapur kundër abuzimit me luftën e me pushtetin nga ana e lushtakëve jo të paktë në Kosovë, atëherë këto parti, edhe nëse VV punon keq, nuk do të fitojnë besimin e qytetarëve.

Kosova priti që pas çlirimit nga Serbia të kishte një rend demokratik e të lirë, të aftë që të prangoste cilindo që shkelte ligjin. Pra të mos kishte Nuredinlushtakë. Kosova nuk priti të çlirohej nga Serbia e bijtë e saj t’i vriteshin nga vetë shqiptarët! Prandaj dhe rasti i Skënderajt dhe plagosja e policëve është një moment reflektimi! Hiq dorë nga privilegjet në emër të luftës dhe nënshtroju drejtësisë, shtetit ligjor e ligjit të së drejtës! Vetëm në këtë mënyrë Kosova mund të bëhet shtet funksional dhe të admirohet në botën e qytetëruar, botë e cila është sponsori i shtetësisë së saj!

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

SHBA thotë se gazetarja e Al Jazeeras mund të jetë vrarë paqëllimshëm nga Izraeli

Story i radhës

Lajm bombë nga Anglia, arrestohet ylli i Premierligës – dyshohet se ka përdhunuar një 20-vjeçare

Të fundit nga