Një pikëllim zemërsfilitës me natyrë të dyfishtë

February 15, 2022
min lexim

Në nr. e djeshëm (14 shkurt) të këtij portali, Kolonel Dilaver Goxhaj, ish-zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishte botuar materialin me titull “Golgota e Shqipërisë”, një fragment ky i shkëputur nga libri-pamflet i shkrimtarit me prejardhje hebraike Leo Freundlih, i cili, si qytetar austriak, në Vjenë, në vitin 1913, pati botuar veprën me titull “Akuza që ulërijnë”. Vepra e tij është një aktakuzë kundër egërsisë serbosllave për shfarosjen e popullit shqiptar në vitet 1912-1913. Mbi bazën e informacioneve, të botuara në gazetat e kohës, koleksionin e të cilave e ishte ruajtur me kujdes, autori ka pasqyruar fakte rrëqethëse për krimet e barbarisë shtazarake serbosllave, e cila pati si pasojë vrasjen e 500 mijë shqiptarëve në Dardani dhe në Veriun e Shqipërisë.

Po të shtegtojmë shumë më thellë në histori se vitet 1912-1913, kur serbosllavizmi kreu ato masakra aq të egra kundër kombit shqiptar, çka përbënin “parathënien” e gjenocidit hitlerian kundër hebrenjve, vërejmë se masakrimi i përhershëm i shqiptarëve, deri në shfarosjen e plotë, ka pasë qenë që kryeherazi një kurbë në rritje në psikologjinë dhe në strategjinë serbosllave.

Profesori Hakif Bajrami citon priftin serb Nikollaj Velmiroviç, i cili në vitin 1942 ka deklaruar: 

“Atë që po bën sot Hitleri kundër hebrenjve, atë e ka bërë Shën Sava  (1169-1236) në mesjetë kundër arbanasëve, që nuk donin të konvertohen në sllavë” (Citohet sipas: “Pse Serbia sot është në ofensivë defaktorizuese ndaj Republikës së Kosovës”).

Në kundërshtim flagrant me të vërtetat historike, kryetradhtari i kombit shqiptar dhe kryeargati i pështirë i serbosllavizmit, Enver Hoxha, njeriu me formim gjysmak, pa kulturë universitare, në vitin 1947 pati bërë një deklaratë skandaloze:

“… Çdo gjë e lidhte popullin tonë me sllavët e jugut, jeta, zakoni, burrëria, lufta për indipendencën kundër të njëjtëve armiq…” (Citohet sipas: “Fjala e Enver Hoxhës në Plenumin IV të rinisë popullore”).

Kur shqiptari me vetëdije të lartë kombëtare kthen kokën pas dhe njihet me krimet e përmasave mitike të serbosllavizmit kundër kombit tonë, sigurisht që atij i copëtohet zemra nga një pikëllim i thellë që mezi e përjeton. Por një tjetër pikëllim, edhe më i thellë, e rëndon gjithnjë e më shumë kur vetes i shtron pyetjen: 

Po si shpjegohet që etnia shqiptare ka pasur territoret më të mëdhaja dhe popullsinë më të madhe në Gadishullin e Ilirisë (në vitin 1850, popullsia shqiptare ishte gati sa dyfishi i popullsisë greke dhe serbe, të marra së bashku), kurse faktikisht i lejoi vetes të bjerë viktimë e grekosllavizmit? I lejoi vetes, sepse, tradicionalisht, që nga pararendësit tanë pellazgo-ilirianë, ka pasë qenë e përçarë. Pikërisht kjo përçarje, e shoqëruar me urrjetjen e shqiptarit për shqiptarin që mendon ndryshe, vazhdon me pasoja tragjike deri në ditët tona. Pikërisht kjo përçarje është edhe burimi i dytë i pikëllimit që zemrën ta sfilit edhe më shumë, sepse pasojat e saj do të jenë edhe më rrënimtare për kombin shqiptar, i cili, siç thotë me shumë të drejtë publicisti i shquar Bajram Kabashi, po shkon drejt vetasimilimit, pra, po e çon veten drejt vetëshpërbërjes, drejt vetëshuarjes.

Libri i shkrimtarit Leo Freundlih është edhe një shuplakë e fortë për Evropën,“kurvën e motit” të Fishtës, e cila i sodiste me shpërfillje mizoritë serbosllave kundër shqiptarëve. Sigurisht. Perëndimi evropian ka ushqyer një urrejtje të përhershme kundër shqiptarëve, urrejtje, të cilën, në heshtje, vazhdon ta ushqejë edhe tani.

Koloneli i nderuar Dilaver Goxhaj, si një intelektual i shquar me brumosje nacionaliste, në shënimin që shoqëron fragmentin nga libri shkrimtarit Leo Freundlih, thekson:

“Kjo histori makabre kundër shqiptarëve u përsërit “fije e për pé”, si nga Serbia, ashtu dhe nga Evropa, në vitet 1998-1999; por ishin SHBA, të cilat, edhe pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB, i detyruan disa shtete të mëdha të Evropës t’i bashkëngjiteshin aviacionit amerikan në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; nga 34 mijë avjofluturime, vetëm 20 % u kryen nga aviacioni evropian”.

Si specialist i anglishtes, Koloneli Dilaver Goxhaj, përveç detyrës së zëvendësshefit të Shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pati kryer edhe detyrën e ndërlidhësit të pilotëve të NATO-s me shtabin në fjalë, me qëllim që avionët të goditnin saktësisht objektet ushtarake të kriminelëve serbë. Pra, Koloneli informacionin  e ka pasur të saktë për avjofluturimet amerikane dhe evropiane. Prandaj rezulton që nga ato 34 000 avjofluturime, 27 220 i patën kryer pilotët amerikanë, kurse pilotët evropianë vetëm 6800.

Perëndimi evropian, i patundur në urrejtjen e vet kundër shqiptarëve, me sa duket, para autoritetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me gjysmë zemre, u detyrua të merrte pjesë në bombardimin  e Serbisë, paçka se, në të vërtetë, ishte kundër një bombardimi të tillë. Sepse simpatitë e tij kanë qenë dhe janë vetëm në anën  e grekosllavizmit.

Po si shpjegohet që politika evropiane, në traditën e saj, nuk ka lëvizur, faktikisht as edhe një grimë, nga qëndrimet antishqiptare? Një politikë kjo që bie në kundërshtim me qëndrimet aq dashamirëse të shumë dijetarëve evropianë për kombin  tonë dhe për gjuhën shqipe? Kam bindjen e plotë se burimi i një politike të tillë është smira e Perëndimit evropian ndaj lashtësisë së kombit tonë dhe të gjuhës sonë. Thelbin e kësaj politike e ka zbuluar Fishta i Madh, i cili ka thënë:

“Kur sllavët erdhën nga shpellat e Uralit, shqiptarët e kishin kryer ciklin dymijëvjeçar të qytetërimit të lashtë… Kombi i Dioklecianit, i filozofit Julian, i Justinianit, një komb i cili kish një qytetari të tij kur gjyshstërgjyshët e francezëve e anglezëve visheshin me lëkurë bualli e rrinin të futur në shpella”.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Lulzim Basha: Afera e inceneratorëve është produkt edhe i ndarjes territoriale të 2014

Story i radhës

Ekspertja e gjumit ndan teknikën e thjeshtë për t’ju ndihmuar të flini në më pak se pesë minuta

Të fundit nga

Zemra e Trump-it papritmas bën TikTok

„Sa i përket TikTok-ut, ne do ta ndalojmë atë në SHBA. Unë kam këtë fuqi. Mund ta bëj me një dekret presidencial.“ – Presidenti i ardhshëm i SHBA-së, Donald Trump (78), në
ShkoLartë