Një cicërimë, një like dhe Valsi i Beogradit!

min lexim

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e përshëndeti dje vizitën e presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, në Kosovë. Por kryeministri Rama përmes një cicërime e atakoi këtë vizitë si dhe qëndrimin pro-shqiptar të kreut malazez të shtetit. Gjukanoviç dhe Vjosa Osmani të mërkurën e kaluar dhanë mesazhe të marrëdhënieve miqësore midis Kosovës dhe Malit të Zi. Fatkeqësisht më miqësore edhe se midis Kosovës dhe Shqipërisë.

Shqipëria, ashtu si në vitin 1944-45, kur shqiptarët e Kosovës masakroheshin në sytë e “partizanëve” shqiptarë, sot shihet si vend jo aq miqësor me Kosovën, ndërkohë që serbët e shohin si aleatin e vetëm në Ballkan. Ndoshta në vitin 1944-1948 vendi ynë shihej më pozitivisht sesa sot, sepse asokohe asnjë popull ballkanik nuk kishte ndonjë simpati për shqiptarët në ish-Jugosllavi. Ndërsa sot diferenca që bën presidenti i Malit të Zi me kryeministrin e Shqipërisë na lejon të shohim se sa larg Prishtinës është Tirana zyrtare e sa afër Beogradit është ajo.

Cicërimës së Edi Ramës kundër vizitës në Prishtinë të Gjukonaviçit dhe kundër deklaratave të tij e të presidentes Osmani ndaj Open Balkan i bëri menjëherë një like presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Në fakt Vuçiq kur pa atë kritikë të ashpër të mikut të tij shqiptar kundër Kosovës dhe Malit të Zi donte të bënte zemrën, jo like. Por nuk deshi ta tradhtonte deri në kufijtë ekstrem bashkëpunëtorin e tij Edi Rama.

Cicërima e kryeministrit shqiptar dhe lik-u i presidentit serb ndaj saj ngjajnë në fakt me një vallëzim balerinësh të një valsi të gëzueshëm! Në këtë vallëzim akrobatët politikë janë Rama dhe Vuçiq. Ata e nisën valsin e tyre që në vitin 2014, ndoshta dhe më parë, por e certifikuan në skenën politike ballkanike në vjeshtën e vitit 2016 në Nish dhe në Beograd. Valsi i çiftit arumun Rama-Vuçiq nisi në qytetin e lindjes së Kostandinit të Madh dhe brenda 24 orëve u transferua në skenat e bisedave politike në kryeqytetin e Serbisë.

– Dëgjo miku im, ia nisi valsit politik presidenti i Serbisë. Ballkani tashmë duhet të sundohet nga dy popuj, serbët dhe shqiptarët. Por ne na duhet bashkëpunimi yt i sinqertë.

Kjo melodi i tingëlloi joshëse kryeministrit të Shqipërisë. Ndaj dhe pyeti për projektin, dhe se çfarë do të fitonte ai në këtë lloj vallëzimi. Vuçiq, i kujdesshëm dhe joshës, ulë sytë për tokë dhe bën një shfryrje të thellë: – Hëëë! Po ta them unë. Projekti ynë është që të krijojmë një hapësirë të përbashkët, ku ne serbët dhe ju shqiptarët të jemi hegjemonë. Modeli mund të jetë ish-Jugosllavia. S’ka rëndësi se si do ta quajmë. Por, ai model na përshtatet. Por, në këtë Jugosllavi duhen tërheq dhe shtetet e tjera, pavarësisht se ato nuk meritojnë të merren në konsideratë. Ju keni ndikim në Maqedoni. Aty keni një numër shumë të madh të shqiptarëve. Ky shtet nuk ekziston dot pa shqiptarët. Ju do t’i përdorni shqiptarët për ta tërheq Maqedoninë në anën tonë, – tha Vuçiq.

– Kjo është punë e vogël, thotë Rama, por më thuaj cili do të jetë produkti. Atëherë Vuçiq detyrohet të shpjegojë projektin e tij.

– Dëgjo vëllai im! Ne duam që ta bëjmë Jugosllavinë duke korrigjuar kufijtë. Kosovën ne të dy do ta ndajmë. Veriun e saj do ta bashkojmë me Serbinë dhe pjesën tjetër më të madhe me Shqipërinë. Kështu shteti juaj fuqizohet dhe bëhet faktor në Ballkan. Ndërsa, ne e zgjidhim përfundimisht konfliktin me shqiptarët.

– Po Mali i Zi, Bosnja dhe Maqedonia?, – pyet balerini i Tiranës?

– Maqedoninë mund ta mbajmë si shtet, sepse nuk na lënë ta zhdukim nga harta. Por, Malin e Zi dhe Bosnjën do t’i shpërbëjmë. Diçka do të përfitoni edhe ju.

Balerini i Tiranës menjëherë shkoi nëpër mend momentin kur do të bashkohej Kosova pa veriun e saj me Shqipërinë dhe ky, Rama i Madhërishëm, do të shpallej si “njeriu që bashkoi kombin”! E përfytyroi veten si fillimisht kryeministër e më pas si president i “Shqipërisë së Bashkuar”, në fakt i Shqipërisë së ricopëtuar! Dhe kështu dha premtimin e madh! Pas këtij premtimi erdhën shumë benefite të tjera, siç di Beogradi të shpërblejë bashkëpunëtorët e vet!

Dhe këtu nisi valsi i Beogradit, në të cilin u përfshi dhe balerini diletant, Hashim Thaçi. Prandaj dhe përfundoi prapa hekurave. Dy balerinët kryesorë vazhdojnë vallëzimin dhe bëjnë të pamundurën që ta realizojnë projektin e Serbisë së Madhe. Ndërkohë që në Beograd janë kujdesur që bashkimin e pjesës së mbetur të Kosovës me Shqipërinë londineze ta quajnë “Shqipëria e Madhe”! Rama dhe Vuçiqi në fund të valsit shpresojnë të shpallen “heronjtë” e kombeve të tyre! Në fakt këtë e arrinte presidenti i Serbisë, nëse Vjosa, Albini e Gjukanoviçi do ta pranonin këtë projekt! Por nuk e arrin kryeministri i Shqipërisë, sepse nuk bëhesh kurrë hero, nëse i jep territore ose sovranitet një vendi armiqësor e madje shekullor, si Serbia!

Cicërima e Ramës dhe lik-u i Vuçiqit janë pjesë e akrobacisë së Valsit të Beogradit!

Image

Vuçiqi me cicërime i shpreh gëzimin Enver Bytyçit

 

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Presidenti i ri, PD propozon 8 emra për diskutim të thelluar

Story i radhës

Kryeministrat e Mbretërisë së Bashkuar dhe Ukrainës diskutojnë rregullimin e mungesës globale të ushqimit

Të fundit nga