Ministri francez i Mbrojtjes, Sébastien Lecornu nënshkroi sot një marrëveshje dypalëshe me homologun e tij shqiptar, Pirro Vengu në Ministrinë e Mbrojtjes, me fokus rivitalizimin e Forcës Ajrore dhe rritjen e bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Ministri Lecornu u shpreh gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin Vengu se marrëdhënia mes dy vendeve është shumë e veçantë kur bëhet fjalë për dialogun strategjik.
“Siç e thatë edhe ju, duke ju referuar edhe situatës në Ballkanin Perëndimor, ne funksionojmë në aleancat ku marrim pjesë dhe unë dua gjithashtu të vë thekin mbi këtë mbledhje që u zhvillua sot të Komitetit Politik Evropian që ka prekur shumë çështje të sigurisë. Në fakt ne kemi një gjeografi të përbashkët me vende të ndryshme dhe kjo mbledhje sotme, ky samit pati edhe një mbledhje shumë të veçantë për sigurinë, prandaj përfunduam me marrëveshjen e sotme”, tha ai.
“Kjo marrëveshje ka të bëjë me një prodhim francez për të cilin ne jemi shumë krenarë. Jetojmë në një kontekst që paraqet sfida dhe rreziqe dhe ne do donim të kishim prodhime të tilla që do të rrisin ndërveprueshmërinë, materialet e interceptimit, dronët dhe gjithçka tjetër”, vijoi Lecornu.
Ministri francez i Mbrojtjes u shpreh se mbrëmjen e djeshme në Romë u diskutua për mbrojtjen ajrore të hapësirës evropiane. “Kjo kontratë kaq e rëndësishme nuk është nënshkruar ndonjëherë me një kompani franceze, por kjo është shenjë e politikës strategjike që ne kemi ndërmend të bëjmë me ju”, u shpreh ai.
Ministri francez i Mbrojtjes theksoi gjatë fjalës së tij se përpjekjet e ministrit Vengu dhe liderëve politikë shqiptarë kanë si qëllim ruajtjen e sovranitetit dhe rritjen e kapaciteteve ushtarake, ndërsa shtoi se Shqipëria do të ketë gjithmonë mbështetjen e Francës në këtë pikë.
“Vendosmëria juaj për t’i mëshuar kaq shumë objektivit të sigurisë është vlerësuar nga ana jonë. Një bashkëpunimi midis shkollave tona, në mënyrë që të kemi një vazhdimësi të marrëdhënieve bilaterale mes vendeve tona, por duke iu përgjigjur edhe objektivave të aleancave ku dy shtetet tona bëjnë pjesë”, cilësoi Lecornu.
Burimi: botasot.info