Në vlerë prej 2.4 milionë eurosh dhe gjatësi mbi 11 kilometra, kanë nisur punimet në rikonstruktimin e rrugës rajonale, segmenti Kijevë-Malishevë.
Në nisjen e këtyre punimeve ka marrë pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha.
Kurti tha se kjo rrugë është me rëndësi jetike për banorët e kësaj ane, teksa shtoi se po bëhet investim i rëndësishëm.
Kurti: Rindërtimi i rrugës Kijevë-Malishevë – investim i rëndësishëm për banorët
“Ju e dini që janë bërë shumë përpjekje për të na i ndalur e ndaluar mandatin që na populli na i dha në masën më të madhe në Kosovën e pasluftës, por ne nuk i ndalim punët e reja, të mira, e gjithsesi të dobishme për qytetarët e Republikës. Me rindërtimin e rrugës Kijevë-Malishevë, si Qeveri e Kosovës po e bëjmë një investim tejet të rëndësishëm për banorët e Malishevës dhe të mbarë zonës së Llapushës dhe më gjerë. Kjo rrugë në tërësi ka gjatësi mbi 11 kilometra dhe është lidhje kyçe për Malishevën dhe pesë fshatra përgjatë kësaj rruge. Me ç’rast projekti përfshin rindërtimin e tërësishëm nga baza e deri te asfaltimi final. Edhe para luftës edhe pasluftës ka pasur vetëm harrnime të kësaj rruge, vetëm mirëmbajtje deri në prishje të radhës, deri në dëmtimin e ardhshëm por tash po e bëjmë rindërtimin e tërësishëm të kësaj rruge fort të vlefshme. Punimet që nisin përfshijnë një segment prej 8.5 kilometra, ndërkaq për pjesën e mbetur do të procedohet me aktivitetin e prokurimit së shpejti”, deklaroi Kurti.
Ai tha se këto nuk janë veprime parazgjedhore, por siç u shpreh, përmbushje e zotimeve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Kurti: Këto nuk janë veprime parazgjedhore
“Krahas këtij projekti si Qeveri e Kosovës jemi duke e financuar edhe rrugën nga fshati Llapqevë deri te Ujëvarat e Mirushës me 700 mijë euro. E që tash është në realizim, ndërkaq tenderimi është bërë nga komuna. Gjithashtu ju njoftojë se proceset tenderuese janë duke u zhvilluar edhe për rrugën Malishevë -Arllat me vlerë prej 2.6 milionë euro. Pra, për një periudhë të shkurtër mbi 5.6 milionë euro po investohen për rrugët në Malishevë. Të dashur qytetarë, këto nuk janë veprime parazgjedhore por janë zbatim, përmbushje e zotimeve tona të zgjedhjeve të 28 dhjetorit të vitit të kaluar”, shtoi ai.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se nga operatori ekonomik është informuar që punimet do të zgjasin mbi 200 ditë.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha njoftoi se në këtë rrugë do të investohet në vlerë prej 2.4 milionë euro.
Basha: Kjo rrugë me dekada është menaxhuar përmes mirëmbajtjes
“Kjo rrugë me dekada është menaxhuar përmes mirëmbajtjes. Për herë të parë me mbështetjen e kryeministrit, Qeverisë Kurti, ne kemi bërë hartimin e komplet projektit dhe tani po rehabilitohet e tërë rruga prej 11 kilometrave. Segmenti i parë prej 8 kilometrave është kontrata e parë, pastaj jemi në procedura edhe për segmentin e dytë për tri kilometërshin tjetër. Siç edhe u theksua, rruga do t’i trajtojë trotuaret, do të vë trotuare të reja në ato hapësira ku ka nevojë, do të bëhet trajtimi i ujërave atmosferike, gjithashtu shumë me rëndësi edhe për menaxhimin dhe rregullimin e stacioneve të autobusëve ku qytetarët presin çdo ditë. Pra, do të jetë një rehabilitim i plotë prej 2.4 milionë euro për të gjithë qytetarët”, ka thënë ai.
Ai u zotua se do të bëhet edhe fillimi për hartimin e projektit për pjesën e rrugës nga dalja e autostradës deri në Banjë. Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha tha se për këtë ka marrë mbështetjen edhe të Kurtit, për çka shtoi se ajo rrugë është shumë e dëmtuar dhe duhet rehabilitim.
Burimi: botasot.info


