E kanë quajtur tashmë “Kroçera nga ferri”. E nisur më 1 prill nga Ushuaia, kryeqyteti i Tokës së Zjarrit, në skajin jugor të Patagonisë argjentinase, anija luksoze që duhej të ndiqte qetësisht migrimin pranveror të zogjve detarë në Antarktidë, për kënaqësinë e turistëve të pasur të gatshëm të shpenzonin mijëra dollarë për aventurën, është shndërruar në një kurth vdekjeje dhe frike. Kriza e hantavirusit në anijen MV Hondius të kompanisë holandeze Oceanwide Expeditions duket si skenari i një seriali horror. Tre nga 149 pasagjerët kanë vdekur dhe katër të tjerë janë sëmurë, mes tyre edhe mjeku britanik i bordit, i cili ndodhet në gjendje të rëndë. Mes turistëve nga 23 kombësi të ndryshme nuk rezultojnë italianë.
Virusi, i cili zakonisht transmetohet nga minjtë, mund të shkaktojë insuficiencë pulmonare dhe renale. Rrallëherë transmetohet nga njeriu te njeriu. Ndoshta jo këtë herë. Dhe megjithëse Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) pohon se rreziku për popullsinë botërore është “i ulët”, makthi i një epidemie të re është real, edhe për qeveritë. Spanja, me kërkesë zyrtare të OBSH-së dhe Bashkimit Europian, ka lejuar ankorimin e anijes në Ishujt Kanarie, ku pritet të mbërrijë të shtunën, në përfundim të një odiseje që e ka çuar të endet mes ishujve më të humbur (dhe më pak të pajisur nga pikëpamja shëndetësore) të botës.
Më 6 prill, një pasagjer holandez nisi të shfaqte simptomat e para gjatë lundrimit. Temperaturë, dhimbje koke, diarre të lehtë. Mund të dukej si një grip i zakonshëm. Por më pas filloi të mos merrte frymë. Pesë ditë më vonë ai vdiq dhe trupi i tij mbeti në bord, pa iu nënshtruar asnjë testi mikrobiologjik, deri më 24 prill, kur anija u ankorua në Shën Helenë, ishulli tepër i largët ku Napoleoni u dërgua në internim, në mes të Oqeanit Atlantik, rreth 2 mijë kilometra larg brigjeve të Angolës. Atje, 23 pasagjerë thuhet se zbritën nga anija për t’u kthyer vetë në shtëpi, mes tyre edhe një zviceran që tani ndodhet i shtruar në spital në Zyrih. OBSH-ja është në kërkim të tyre. Bashkëshortja e viktimës së parë fluturoi drejt Afrikës së Jugut, ku vdiq dy ditë më vonë. Me shumë gjasa, ajo është personi që tentoi të hipte në një avion të kompanisë KLM, nga Johanesburgu drejt Amsterdamit, por u zbrit para nisjes. Autoritetet shëndetësore holandeze kanë kontaktuar një për një pasagjerët, “si masë paraprake”.
Frika nga përhapja e infeksionit ndjek një varg lajmesh ende të mbuluara nga misteri. Më 27 prill, një tjetër pasagjer britanik u shtrua në spital në Afrikën e Jugut dhe një ditë më pas një gjerman vdiq në bord. Trupi i tij do të zbarkohet vetëm në Ishujt Kanarie, ndërsa pasagjerët e tjerë mbeten në karantinë, të mbyllur dhe të tmerruar në kabinat luksoze. Më 2 maj erdhi konfirmimi se bëhet fjalë për variantin e hantavirusit të përhapur në rajonet andine të Argjentinës dhe Kilit, i vetmi mes 38 varianteve të njohura që transmetohet nga njeriu te njeriu. Më pas anija u nis drejt Kepit të Gjelbër, ku u zbarkuan tre të infektuar, të cilët u evakuuan menjëherë drejt Holandës.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez zhvilloi dje një mbledhje emergjente me ministren e Shëndetësisë, Mónica García, e cila më pas siguroi se të gjithë pasagjerët e huaj “do të riatdhesohen në vendet e tyre të origjinës përmes një mekanizmi europian të mbrojtjes civile” dhe se zbarkimi i tyre “nuk do të përbëjë asnjë rrezik për popullsinë dhe shëndetin publik”, edhe falë mbështetjes së OBSH-së, Komisionit Europian dhe Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve. Krejt ndryshe mendon guvernatori i Ishujve Kanarie, Fernando Clavijo, sipas të cilit arkipelagu nuk disponon një protokoll për pritjen e të infektuarve.
MV Hondius do të mbërrijë në portin e Granadilla de Abona, vetëm 10 minuta larg aeroportit Tenerife Jug. Evakuimi është planifikuar për të hënën e ardhshme. Ministri i Brendshëm spanjoll, Fernando Grande-Marlaska, ka konfirmuar se vendimi i qeverisë bazohet në “arsye humanitare, etike dhe morale”, si edhe në “arsye ligjore dhe juridike”./ Corriere della Serra
Burimi: opinion.al


