Deputeti i PD-së, Tritan Shehu, akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe mazhorancën socialiste se po i shërben Serbisë me informacione sekrete për marrëveshjen ushtarake të Kosovës me Kroacinë, në favor të Beogradit.
Teksa mbajti fjalën e tij për procedurë nga Kuvendi ditën e sotme (7 maj), ligjvënësi kërkoi prezencën e kreut të qeverisë në sallë, për të dhënë llogari para shqiptarëve.
“Kemi ftuar kryeministrin të vijë në Komision të Jashtëm për të folur për artikullin Rama-Vuçiç. Dërgoi ministrin e jashtëm. Marrëdhëniet Rama-Vuçiç kanë karakter personal. Këtu ka sabotim aktiv nga mazhoranca. Është frika, e di. 36 orë më parë Vuçiç bëri këtë deklaratë; kjo aleancë, aleanca ushtarake Kroaci-Shqipëri-Kosovë, është bërë me insistimin e Kroacisë. Jemi informuar nga Tirana, kemi dhe info sekrete nga Prishtina, se pas kësaj qëndron një shtet tjetër që ka bërë presion mbi Zagrebin”, tha deputeti mes të tjerash.
Ai i çoi më tej akuzat e tij nga Kuvendi duke hedhur dyshime se pas informimeve mund të qëndrojë vetë kryeministri Rama.
“Vuçiç është shumë i qartë. Jemi informuar nga Tirana. Kemi diferencë të madhe mes Prishtinës dhe Tiranës. Nga Tirana ka lajmërim direkt, nga shteti shqiptar dhe ndoshta nga kryeministri i Shqipërisë. A nuk duhet të vijë kryeministri shqiptar, për këtë artikull dhe deklaratën e Vuçiç. Ka rëndësi kombëtare”, tha ai.
Burimi: botasot.info


