Aktorja Nicola Peltz ka pranuar se komentet dhe pretendimet e pavërteta që përhapen vazhdimisht për të po ndikojnë emocionalisht, duke i shkaktuar trishtim. Megjithatë, ajo thotë se përpiqet të ruajë pozitivitetin dhe beson se e vërteta, herët a vonë, do të dalë në dritë.
Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur bashkëshorti i saj, Brooklyn Beckham, është përfshirë në një përçarje të vazhdueshme me prindërit e tij, David dhe Victoria Beckham, si dhe me pjesën tjetër të familjes.
Peltz foli përmes një postimi në Instagram Story, duke iu përgjigjur pyetjes së një ndjekësi se çfarë i jep forcë të vazhdojë përpara, pavarësisht kritikave, komenteve negative dhe ditëve të vështira.
“Të them të drejtën, nuk është gjithmonë e lehtë. Ka momente kur e gjithë kjo më ndikon vërtet dhe më trishton, sepse nuk mund të mos i lexoj komentet. Është veçanërisht e vështirë kur shoh se çdo ditë përhapen gënjeshtra të reja për mua. Megjithatë, besoj thellë se e vërteta gjithmonë del në dritë, ndaj përpiqem të qëndroj pozitive dhe të përhap dashuri”, u shpreh aktorja.
Gjatë të njëjtës bisedë virtuale, një tjetër ndjekës e pyeti se cila është cilësia që vlerëson më shumë te bashkëshorti i saj. Nicola nuk i kurseu fjalët e mira për Brooklyn, duke e përshkruar atë si një person me “zemrën më të madhe dhe më të sinqertë”.
Deklaratat e aktores vijnë vetëm pak ditë pasi Brooklyn Beckham hoqi dorë nga planet për të regjistruar si markë tregtare emrin Cloud23, markën e salcës pikante që kishte krijuar.
Emri Cloud23 ishte fillimisht një homazh për karrierën sportive të babait të tij, David Beckham, pasi numri 23 ishte një nga numrat që ai mbante në fanellë gjatë karrierës si futbollist.
Ndërkohë, largimi i Brooklyn nga familja duket se vazhdon të thellohet. Ai dhe Nicola kanë mbajtur distancë nga David dhe Victoria Beckham, si dhe nga tre fëmijët e tjerë të çiftit: Romeo, Cruz dhe Harper.
Përplasjet familjare morën përmasa edhe më të mëdha në janar, kur Brooklyn publikoi një deklaratë të gjatë në Instagram, duke akuzuar publikisht prindërit e tij se kishin tentuar të dëmtonin marrëdhënien e tij me Nicola Peltz.
Në të njëjtën deklaratë, ai pretendoi se tensionet me prindërit kishin nisur që gjatë dasmës së tij luksoze me aktoren, e zhvilluar në Florida në vitin 2022. Sipas tij, David dhe Victoria kishin tentuar të ndërhynin dhe të cenonin ceremoninë.
Brooklyn e bëri gjithashtu të qartë se nuk dëshironte të pajtohej me familjen e tij. Sipas raportimeve të mëparshme, ai u kishte kërkuar prindërve që çdo komunikim me të të bëhej vetëm përmes avokatit të tij.
Në qershor, motra e tij më e vogël, Harper, tentoi të vendoste kontakte me Brooklyn, duke shkuar në shtëpinë e tij në Beverly Hills të Kalifornisë. Megjithatë, ajo u largua pas pak sekondash pa arritur ta takonte, pasi as Brooklyn dhe as Nicola nuk ndodheshin në shtëpi.
Më vonë, çifti pretendoi se kjo përpjekje për pajtim ishte e inskenuar.
Ndërsa në gusht, Brooklyn dhe Nicola iu afruan mundësisë së një takimi të sikletshëm me David dhe Victoria Beckham, pasi të dy çiftet po kalonin pushimet në të njëjtën periudhë në Saint-Tropez të Francës, vetëm pak kilometra larg njëri-tjetrit.
Burimi: botasot.info

