Në Kuvend u shënua 28-vjetori i gjenocidit në Srebrenicë

July 11, 2023
min lexim

“Srebrenica – qyteti për të cilin e gjithë bota dëgjoi, por do të ishte më mirë të mos dëgjonte.” Kështu e filloi fjalimin e saj deputetja Sanella Shkrijel në mbledhjen e sotme të Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, kushtuar përkujtimit të gjenocidit që ndodhi 28 vjet më parë në Bosnjë e Hercegovinë.

Në fjalimin e saj, Shkrijel theksoi se në vetëm pak ditë, në korrik të vitit 1995, rreth tetë mijë boshnjakë u vranë vetëm pse ishin boshnjakë.

“Nuk guxon të relativizohet. Srebrenica duhet të quhet me emrin e saj të vërtetë – gjenocid. Ata që planifikuan dhe realizuan këtë akt monstruoz donin njerëzimit t’i privonin racat, etnitë dhe fetë e tij. Kjo është arsyeja pse ne tani duhet të angazhohemi për respektimin e diversitetit dhe mbrojtjen e më të dobëtëve dhe më të cenuarve”, tha Shkrijel.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në fjalën hyrëse theksoi se pas luftës asgjë nuk është si më parë. Boshllëku që mbetet në rrugë, nëpër shtëpi, nuk mund të kompensohet. Nuk ulet as dhimbja që mbillet në gjoks.

“Këtë e ndjeva kur isha në Potoçari para disa vitesh. E pamë edhe në sytë e refugjatëve të Kosovës. E pashë së fundmi edhe në Ukrainë. Përditshmëria sjell gjithnjë e më shumë lajme shqetësuese në fqinjësinë e afërt dhe të largët. Ne nuk mund të fusim kokën në rërë dhe të sillemi sikur gjithçka është mirë atje diku larg nesh. Në këtë epokë të globalizimit dhe teknologjisë së përparuar dhe në kohën e mënyrave të reja kreative të luftës, duhet të bashkohemi! Jetojmë në botën që varet nga mbështetja reciproke e sigurisë, bashkëpunimi, shkëmbimi ekonomik dhe tregtia, dhe domosdoshmërisht i drejtohemi njëri-tjetrit. Le të qëndrojmë fort pranë njëri-tjetrit për të ardhmen dhe mbijetesën e sigurt të botës. Duhet të qëndrojmë në anën e vlerave demokratike, prioritetet e të cilave janë të drejtat dhe liritë e njeriut, e drejta për jetë dhe e drejta për zgjedhje. Sepse, vetëm kështu fiton e mira mbi të keqen, arsyeja mbi marrëzinë”, tha Xhaferi.

Kryetarja e Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Arbana Pasholli, theksoi se sot kujtojmë anën e errët dhe të pashpirt të historisë, përkatësisht një nga ngjarjet më të tmerrshme të historisë së re.

“Jeta vazhdon, por kujtimet mbesin, jo vetëm për ata që personalisht i mbijetuan dhimbjes, por edhe për brezat që do të vijnë. Prandaj ne kemi përgjegjësinë t’i edukojmë fëmijët tanë që të jenë të lirë në mendje e në zemër dhe të respektojnë diversitetin”, tha deputetja Pasholli.

Në mbledhjen komemorative të Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive morën pjesë edhe koordinatori nacional për ndërkulturalizëm, një shoqëri, zhvillim kulturor dhe bashkëpunim ndërresorial, Robert Allagjozovski, zëvendësdrejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Bashkësive, Xhelal Hoxhiq, si dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare boshnjake.

Allagjozovski theksoi se, përballë gjenocidit në Srebrenicë, sot kemi obligim moral që të mos lejojmë që të përkeqësohen marrëdhëniet shoqërore dhe ndërmjet bashkësive.

“Duhet të kundërshtojmë gjuhën e urrejtjes dhe stereotipet dhe të respektojmë e të çmojmë diversitetin, në mënyrë që të ndërtojmë një shoqëri për të gjithë,” tha Allagjozovski.

Hoxhiq, nga ana tjetër, theksoi se çdo mohim i gjenocidit në Srebrenicë është i papranueshëm për një shoqëri demokratike.

“Çdo ditë kujtojmë dhe një ditë nuk harrohet. Srebrenica është ndërgjegjja e botës. Vrasja e rreth tetë mijë boshnjakëve është dështimi kolektiv i të gjithë botës,” tha Hoxhiq.

Duke folur si përfaqësuese e OJQ-ve boshnjake në vend, Izeta Babiçiq shprehu mirënjohjen e saj për, siç tha, institucionalizimin e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë.

“Për hir të parandalimit dhe mbrojtjes së të rinjve, kjo temë duhet të rikujtohet rregullisht. Sepse ky lloj gjenocidi nuk duhet harruar, por nuk duhet lejuar edhe të përsëritet”, tha ajo.

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Prishja me Butrintin? Vjen një reagim nga Don Xhoni

Story i radhës

Tiranë/ 43 vjeçari dhunon bashkëshorten me sende të forta

Të fundit nga

​Fushë Kosova me rrethinë mbesin pa rrymë

Komuna e Fushë Kosovës me rrethinë ka mbetur pa rrymë nga ora 12:00. Sipas Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT kjo komunë mbetet pa rrymë deri në orën 15:00. Sipas KOSTT,
ShkoLartë