Ndërkombëtarët me standarde të dyfishta ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës!

min lexim

Nëse në vitin 1999 bashkësia ndërkombëtare intervenoi për të liruar Kosovën nga dominimi serb, kjo nënkupton edhe çmontimin e gjithë infrastrkurës uzurpuese ligjore serbe, ku bën pjesë edhe prona e Manastirit të Deçanit. Sipas kësaj logjike të mprapsht që po e praktikojnë ndërkombëtarët në Kosovë,  Amerika dhe shumë shtete latinomarikane asnjëherë nuk do të mund të liroheshin nga kthetrat e legjislacionit britanik e spanjoll, edhe pas shpalljes së pavarësisë së këtyre shteteve.

Presionet e diplomatëve të huaj që vizitojnë Kosovën, por edhe të atyre që i kan zyrat në Prishtinë, janë shpeshtuar muajve të fundit kur është në pyetje zbatimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mbi pronat e Manastirit të Deçanit. Por, në anën tjetër, të njëjtit diplomatë bëhen indiferent ndaj të njëjtës Gjykatë kur është në pyetje vendimi i saj që konteston disa nene të projekt-ligjit mbi formimin e Asocionit të komunave me shumicë serbe.

Në rastin e Manastirit të Deçanit, diplomatët e huaj nuk marrin mundin të analizojnë gjendjen paraprake pronësore-juridike,  ku del sheshit një arbitraritet i Beogradit  për të uzurpuar pronat e Kosovës sipas ligjeve të mëparshme të Millosheviqit.Tokat që tani Manastiri i Deçanit pretendon se janë të tijat, deri në vitin 1997 ishin pronë e një kooperative bujqësore të Deçanit, të cilat me ligje arbitrare serbe u uzurpuan, duke i shndërruar në pronë kishtare serbe.

Kështu u veprua edhe me kishën e papërfunduar që ndodhet në kampusin e Universitetit të Prishtinës, e cila ishte ngritur në kundërshtim me të gjitha normat ligjore të Kosovës, duke e shndërruar këtë kishë politike në një ishull uzurpues mbi pronat e Universitetit të Prishtinës.

Nëse në vitin 1999 bashkësia ndërkombëtare intervenoi për të liruar Kosovën nga dominimi serb, kjo nënkupton edhe çmontimin e gjithë infrastrukturës uzurpuese ligjore serbe, ku bën pjesë edhe prona e Manastirit të Deçanit, e cila do të duhej t’i kthehet koperativës bujqësore të Deçanit, ashtu siç iu kthye Kosovës shansi për shtetndërtim.

Tingëllon paksa paradoksale kjo situatë hermafrodite, ku në njërën anë bashkësia ndërkombëtare, sidomos SHBA dhe NATO e dëbuan regjimin serb nga Kosova, por në anën tjetër lejonë të lulëzojnë në Kosovë instalacionet e po të njejtit regjim, siç është dimensioni kishtar serb i cili po pretendon të krijoj njëfarë statusi ekstraterritorial brenda Kosovës, një objektiv ky i Memorandumit 2 të Akademisë Serbe të Shkencave, sipas të cilit Serbia do të bëj çmos që Kosovën ta bëj shtet sa më njofunksional edhe pas shpalljes së pavarësisë.

Se bashkësia ndërkombëtare po tregohet joparimore ndaj vendimeve të Gjykatës Ksuhtetuese të Kosovës, duke i përkrahur vetëm ato që i konevnojnë, tregon një shembull tjetër ku diplomatët e huaj me këmbëngulje po i kërkojnë kryeministrit Kurtit që të mos respektojë vendimin e kësaj gjykate lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ku abrogohen disa nene që janë në kundështim të plotë me Kushtetën e Republikës së Kosovës.

Si është e mundur që ndërkombëtarët të kenë kaq shumë mungesë sensi në qëndrimet e tyre që shkojnë nga njëri ekstrem, në tjetrin. Në rastin e parë, kur duhet t’i jepet e drejta e pronave Manastirit të Deçanit, diplomatët e huaj thirren në vendimin e Gjykatës Kushteuese të Kosovës, kurse në rastin e dytë insistojnë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por pa marrë në shqyrtim paraprak vendimin e po të njëjtës Gykatë, e cila kundërshton kompetencat ekzekutive të këtij Asociacioni.

Dëmet që po i bëhen Kosovës nga Serbia, janë të dimensioneve të ndryshme por për çudi në vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare këto dëme kalojnë pa ndonjë shqetësim. Janë , bie fjala, më shumë se 1.200 objekteve nga koleksioni arkeologjik dhe etnografik i Kosovës, të cilët u morën në fund të viteve ’90-të “për një ekspozitë të përkohshme në Serbi”, me obligimin për t’u kthyer, por kjo nuk ndodhi kurrë, ndërkohë që Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, ka njoftuar  se nuk e njeh kategorinë e “trashëgimisë kulturore të Kosovës”, ashtu siç nuk e njeh “shtetësinë e Kosovës”.

Në këtë rast pse bashkësia ndërkombëtare nuk ndërhyn për ta detyruar Serbinë t’ia kthejë Kosovës këtë thesar arkeologjik e etnografik?
Pse bashkësia ndërkombëtare ende Kosovën nuk e trajton si shtet të denjë, ndonëse në vitin 1999 ishin përdorur edhe bombat e NATOS për ta larguar okupimin serb dhe për të hapur procesin e shtetformimit që rezultoi me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008?

Nëse bashkësia ndërkombëtare deri më tani ishte partnere në shtetndërtimin e Kosovës, që nënkupton ngritjen e të gjitha kapaciteteve institucionale e ligjzbatuese, asaj, megjithatë,  nuk i lejohet që t’i bëj hile Kosovës në procesin e shtetndërtimit, duke toleruar veprimet e Serbisë që cënojnë sovranitetin shtetëror të Kosovës.

Ta trajtosh Serbinë si një ish-koloni që ka ende të drejta mbi  sovranitetin shtetëror të Kosovës, e bën bashkësinë ndërkombëtare një faktor me kredibilitet të dyshimt etik e diplomatik. Në asnjë  shtet modern që është liruar nga kolonializmi britanik, francez, holandez, spanjoll nuk është detyruar, siç po ndodhë me rastine Kosovës, që të vazhdojnë të zbatohen disa segmete ligjore e kushtetuese të shteteve kolonizatore.

Sipas kësaj logjike të mprapsht që po e praktikojnë ndërkombëtarët në Kosovë, Amerika dhe shumë shtete latinomarikane asnjëherë nuk do të mund të liroheshin nga kthetrat e legjislacionit britanik e spanjoll, edhe pas shpalljes së pavarësisë së këtyre shteteve. Vetëm në Kosovë, bashkësia ndërkombëtare i merr për bazë ligjet uzurpuese të Millosheviqit në kohën kur ishte suprimuar autonomia e Kosovës, dhe në këtë mënyrë i rrëzon për toke disa parime bazë  mbi të cilat është ngritur e drejta e shteteve për sovranitet  autonom.

Shkup, 1 korrik 2022

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

​Banka holandeze kërkon falje për tregtinë e skllevërve

Story i radhës

​Të dielën Obiliqi pa ujë, do të ketë punime teknike

Të fundit nga