Lionel Messi po përjeton aktualisht një nga momentet më të ëmbla të karrierës së tij: kampion me Inter Miami dhe kampion bote në fuqi me kombëtaren e Argjentinës.
Megjithatë, karriera e tij me fanellën “Albiceleste” ka qenë e mbushur me ulje-ngritje, me momente të errëta ku ai ishte pranë dorëzimit dhe largimit nga kombëtarja.
Së fundmi, në një intervistë në kanalin streaming “LUZU”, ylli argjentinas tregoi se sa e vështirë ishte për të te kombëtarja e Argjentinës, kur rezultatet ose paraqitjet e tij personale nuk ishin ato që priteshin.
“Më fyenin, gjërat më shkonin keq, rezultatet nuk ishin në favorin tonë. Ata që vuanin më shumë ishin familja ime, sepse ishin ata që qëndronin në Argjentinë”, tha ai.
Edhe pse sot është një idol absolut në Argjentinë, kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu.
Me fanellën me numrin 10, ai duhej të mbante edhe barrën e përmbushjes së asaj që kishte arritur Maradona në të kaluarën me kombëtaren.
Dhe pas një sërë dështimesh dhe finales të humbura, Messi përjetoi momente tensioni me tifozët, krejtësisht të ndryshme nga periudha e tij te Barcelona, ku ishte tashmë një idol i padiskutueshëm.
“Në Barcelonë isha spektakolar. Por shkoja në Argjentinë dhe isha një i huaj”, shtoi ai.
Po ashtu, “10”-shi argjentinas theksoi se familja e tij ishte ajo që vuante më shumë nga kritikat për paraqitjet e tij me kombëtaren, pasi ai përpiqej të qëndronte larg rrjeteve sociale dhe emisioneve analitike, ndërsa për familjen e tij ishte e pamundur t’i shmangte ato. Në intervista të mëparshme,
Messi kishte folur për këtë duke thënë: “Djali im më pyet: ‘pse të vrasin në Argjentinë?’”, dhe sot ai e prek sërish këtë temë:
“Ata i ndiqnin emisionet, kritikat dhe shumë gjëra që unë nuk i dija, sepse nuk i shikoja. Por ata ishin në dijeni për gjithçka, vuajtën shumë. Për mua, përditshmëria më bënte të mendoja vetëm për atë që vinte më pas”, vazhdoi Messi.
Fatmirësisht për Messin, ato kohë kanë mbetur pas dhe sot shumë pak njerëz në Argjentinë dyshojnë se ai është një nga më të mirët në histori.
Ai ishte figura kryesore në fitimin e Kupës së Botës 2022 në Katar dhe duket e mundshme që të jetë pjesë edhe e skuadrës finale për Botërorin 2026, ku Argjentina konsiderohet një nga favoritët për të arritur finalen.
Me Inter Miami, ai ka pasur gjithashtu ndikim të menjëhershëm, duke u bërë golashënuesi dhe asistuesi më i mirë i turneut, si dhe duke fituar MLS Cup-in e parë në histori për Herons.
Burimi: botasot.info


