Një gjykatës federal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka bërë publike për herë të parë një letër e cila dyshohet të jetë shkruar nga Jeffrey Epstein para vdekjes së tij.
Bazuar në raportimin e mediave amerikane, letra është gjetur nga Nicholas Tartaglione, ish-shoku i qelisë së Epstein në Qendrën Korrektuese Metropolitane në New York, pasi Epstein kishte tentuar pa sukses të vetëvritej në korrik të vitit 2019, vetëm disa javë para se të gjendej i vdekur në qelinë e tij.
Në përmbajtjen e letrës shkruhet: “Më hetuan për muaj të tërë, nuk gjetën asgjë!!! Është luks të zgjedhësh vetë kohën për t’i thënë lamtumirë jetës. Çfarë doni të bëj, të shpërthej në lot?! Nuk ka argëtim, nuk ia vlen!!”

Në letër nuk gjendet një firmë e dallueshme, dhe ende nuk ka një konfirmim që ajo është shkruar realisht nga Epstein.
Nicholas Tartaglione, ish-polic dhe aktualisht i dënuar me burgim të përjetshëm për një vrasje të katërfishtë, ka deklaruar se ai e gjeti Epstein pa ndjenja në qeli. Pas ngjarjes, Epstein kishte pretenduar para autoriteteve të burgut se ishte sulmuar nga Tartaglione.
Burimi: botasot.info


