Marsi i 1999-ës, kur NATO luftonte për shqiptarët

March 24, 2022
min lexim

Njëzetetre vjet më parë, NATO filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, duke shënuar fillimin e fundit të luftës gati dyvjeçare në Kosovë. 24 marsi i vitit 1999 padyshim që duhet vlerësuar si një ditë me rëndësi vendimtare për historinë e kombit shqiptar. NATO i dha fund luftës pas 35 000 aksioneve ajrore, asaj lufte që, çoi në test unitetin e NATO-s, dhe qëndrimet e Bashkimit Europian. Lufta e NATO-s për interesat e shqiptarëve të Kosovës, shmangu dukshëm burokracinë e komplikuar të OKB-së, duke nxjerrë në pah rolin parësor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si superfuqia e vetme dhe mbrojtëse e vlerave demokratike të njerëzimit. Sulmet ajrore pasuan dështimin e përpjekjeve ndërkombëtare për një marrëveshje të paqes në konferencën e Rambouilletit. Një dokumentet i hartuar nga Grupi i Kontaktit propozonte vetëqeverisje thelbësore për Kosovën dhe vendosjen e forcave të NATO-s në terren për të siguruar paqen. Dokumenti në fjalë u miratua nga delegacioni i Kosovës, por u refuzua nga Beogradi. Ndërhyrja e NATO-s si atëherë edhe sot has në reagime kontradiktore. Ndërhyrja në Kosovë e forcave perëndimore u quajt në atë kohë si “ndërhyrje humanitare” dhe kishte për qëllim shpëtimin e shqiptarëve nga represioni i forcave serbe.

Debati për ndërhyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë është riaktualizuar pas krahasimeve të presidentit të Rusisë Vlladimir Putin mes Luhanskut, Donjeckut dhe Kosovës. Në fjalimin e Putinit më 21 shkurt, në të cilin ai shpalli njohjen nga Rusia të Republikave Popullore të Luhanskut dhe Donteckut, referencë ishin bombardimet e NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë dhe mbështetjes për Kosovën si një pikë kontakti dhe justifikim.Sipas tij, duket se NATO-ja sajoi një gjenocid të rremë në Kosovë për të legjitimuar ndërhyrjen e saj, tani ai po bënte të njëjtën gjë. Kjo nuk kishte të bënte vetëm me sigurimin e precedentit, por edhe me dërgimin e një mesazhi: Nëse Perëndimi mund të ricaktojë kufijtë për Kosovën, atëherë ne mund të ricaktojmë kufijtë për Republikat Popullore të Donetsk dhe Luhansk në Ukrainën lindore.

Fushata e bombardimeve të NATO-s nga ajri zgjati 78 ditë, ndërkohë në tokë ajo u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Humbjet nga ana e shqitparëve të Kosovës kanë qenë shumë të mëdha. Varësisht prej vlerësimeve thuhet se kanë humbur jetën rreth 15 mijë vetë. Me mijëra të tjerë llogariten si të zhdukur. Për më tej forcat serbe dëbuan me dhunë nga Kosova më shumë se 860 mijë kosovarë.Më 17 mars 1999, NATO i bëri thirrje në mënyrë ultimative qeverisë së Beogradit të pranojë Marrëveshjen e Rambouillet dhe në rast mospranimi kërcënoi me bombardime. Pasi që delegacioni jugosllav nuk hoqi dorë nga refuzimi, konferenca përfundoi më 23 mars pa asnjë rezultat. Një ditë më vonë NATO filloi sulmet ajrore. Nën presionin e Blair-it NATO vendosi të intervenojë. Madje pa mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pasi që Kina dhe Rusia, duke pasur parasysh problemet e tyre, nuk mbështetën një vendim të tillë.

Ndryshe nga ç’kishte pritur NATO, Millosheviqi pas fillimit të bombardimeve më 24 mars 1999 nuk hoqi dorë nga politika e tij. Qëllimi politik i Aleancës ishte evitimi i një “katastrofe humanitare”. Në fakt ndodhi e kundërta. Sepse me sulme ajrore mund të shkatërrohen qendrat komanduese të kundërshtarit, magazinat ushtarake, artileria e rëndë dhe shumë gjëra të tjera, por spastrimet etnike, të kryera nga bandat paramilitare, nuk mund të pengohen nga ajri. Pas fillimit të sulmeve ajrore dëbimi dhe arratia e popullsisë shqiptare të Kosovës mori përmasa dukshëm më të mëdha. Nga frika prej akteve hakmarrëse serbe brenda pak ditësh më shumë se 860 mijë njerëz braktisën vendlindjen e tyre dhe shpëtuan kokën në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Pritjet e Millosheviqit se bashkësia ndërkombëtare do ta detyronte NATO-n të ndërpresë sulmet dhe se Rusia do të vihej hapur në anën e Serbisë nuk u bënë realitet.

24 Marsi i vitit 1999, është dita e kthesës së madhe për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, është dita e një vendimi me vlerë historike, jo vetëm për Kosovën që të çlirohej një herë e përgjithmonë nga sundimi ushtarako-policor i Serbisë së Millosheviqit, por edhe me peshë shumë e më të gjerë për ndryshimet gjeostrategjike që do të ndodhnin më pas në Ballkan e rajon me vendosjen e forcave të NATO-s, në Kosovë, e përreth saj.

Si rrodhën ngjarjet në 5 orët e para të 24 Marsit 1999

Në orën 18:00, mbyllen aeroportet civile që përshkojnë Adriatikun.

Në orën 19:00, dhjetra avionë ngrihen nga baza ajrore e Avianos, Itali, shpërthime të fuqishme tronditin të gjitha instalimet ushtarake serbe në Kosovë e Serbi.

Në orën 20:15, alarmi antiajror zhurmon në Beograd e Novi Sad.

Në orën 20:18, Prishtina zhytet në terr, ndërpritet rryma elektrike.

Në orën 21:00, Presidenti Bill Klinton, nëpërmjet një konference shtypi për mediat, konfirmon sulmin ajror të Aleancës mbi infrastrukturën ushtarake serbe në Kosovë e Serbi.

Në orën 21:15 nga Vatikani, Papa Gjon Pali II, e konsideron sulmin si “një humbje për njerëzimin”

Në orën 22:00, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Havier Solana pohon: “Ka nisur një sulm kundër objektivave serbe në Jugosllavi”.

Në orën 22:30 në një mesazh televiziv presidenti rus Boris Jelsin i kërkon Bill Klintonit, t’i jap fund ndërhyrjes së NATO-s në ish-Jugosllavi. Presidenti Jelcin dënon agresionin e Aleancës duke cituar: “Rusia do të mbrohet deri në fund, duke rezervuar të drejtën të marrë masa të plota, përfshi dhe ato ushtarake, për të garantuar sigurinë e saj dhe të Europës”.

Në orën 23:00, Kina kërkon t’i jepet fund bombardimeve.

Kush ishin shtetet dhe resurset që ata vendosën në dispozicion për të mbështetur Aleancën gjatë fushatës ajrore mbi caqet ushtarake dhe policore në ish-Jugosllavi?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës;260 avionë, mes tyre avionë të paperceptueshëm nga radarët, avionë bombardues me raketa të drejtuara, avionë gjuajtës të fshehtë, avionë gjuajtës dhe bombardues, 24 helikopterë Apach të destinuar për luftën kundër tankeve dhe mjeteve të tjera luftarake tokësore, anije amfibe për transportim trupash, 2 kryqëzorë, 3 anije sulmuese dragamina, 2 nëndetëse me predha të drejtuara, Aeroplanmbajtësja “Teodor Rusvelt” në Adriatik me 63 avionë në bord.

Franca;20-40 avionë, mes tyre avionë gjuajtës bombardues, avionë për zbulimin e objektivave dhe transmetim të dhënash, avionë për furnizim me karburant në ajër, në gatishmëri luftarake Aeroplanmbajtësja “FOCH”.

Britania e Madhe;20 avionë, mes tyre avionë gjuajtës bombardues, avionë zbulues objektivash tokësorë me përmasa të kufizuara, avionë të furnizimit me karburant në ajër, 1 nëndetëse me predha të drejtuara.

Kanadaja;6 avionë luftarakë.

Gjermania;14 avionë luftarakë “Tornado”, me tyre 8 avionë me pajisje speciale për luftën elektronike dhe asgjësimin e mjeteve kundërajrore, 6 avionë zbulues objektivash.

Italia;12 avionë luftarakë.

Spanja;6 avionë luftarakë mes tyre avionë për furnizim me karburant në ajër.

Turqia;11 avionë luftarakë gjuajtës bombardues.

Holanda;8 avionë luftarakë.

Belgjika;4 avionë luftarakë.

Danimarka;6 avionë luftarakë.

Shqipëria;me Ligjin Nr.8470, datë 07.04.1999, vendos në dispozicion të NATO-s, të gjitha kapacitetet aeroportuale.

Aleanca e Atlantikut të Veriut grumbulloi më shumë se 400 aeroplanë luftarakë, e dhjetra anije lufte për veprime ushtarake kundër Jugosllavisë. Forcat ushtarake të NATO-s, u komanduan nga gjenerali Uesli Klark.

Është e vërtetë, NATO nuk mund t’i përgjigjet çdo tragjedie në të njëjtën kohë dhe në çdo cep të globit. Vërtetë Kosova nuk ishte një vend anëtar i NATO-s, por ajo u vlerësua si vendi i vogël në vijën që ndan Evropën me Azinë dhe Lindjen e Mesme, në vijën ndarëse mes Islamizmit dhe Kristianizmit, vend pranë aleatëve të Jugut të NATO-s, Greqisë dhe Turqisë, vend pranë aleatëve të rinj të NATO-s, Republikës Çeke, Polonisë dhe Hungarisë, vend që kufizohej nga demokraci të brishta si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të cilat sot janë anëtare të NATO-s.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Cilat janë pesë sfidat e Joe Bidenit në Evropë?

Story i radhës

Misteri i luftës në Ukrainë: Pse po vriten kaq shumë gjeneralë rusë?

Të fundit nga

ShkoLartë