“Let us try to recognize the precious nature of each day’’ – Dalai Lama – Po e hapim këtë ftesë me një thënie nga Dalai Lama për ta vënë në pah urtësinë tibetiane të pasionit për shtegtim dhe vlerësim të jetës, shkruan në faqen e klubit Alpin Prishtina.
“Lugina e Sherpave, banimet e lashta tibetiane dhe nepaleze, gjurmët e shtegtimit të hershëm njerëzor drejt Luginës Qiellore të Everest Base Camp janë vetëm disa nga vendet që do ti vizitojmë.
Kësaj here ju ftojmë të na bashkoheni në shtegtimin e radhës në Himalajet e Nepalit dhe Tibetit, në Himalajet e Everestit dhe kryqëzimet e civilizimeve të lashta aziatike. Ky është shtegu i jetës dhe lashtësisë tibetiane, shtegu i gjurmëve mijëravjeçare ku ecën edhe George Everest, George Mallory, Tenzing Norgay e Edmund Hillary. këtu ecëm edhe ne me 2017, para se të fillonim ngjitjen në kulmin e botës.
Ky (shtegtim) trek i jashtëzakonshëm kurorëzohet me arritjen në Everest Base Camp në 5300m, ku ndihet fuqishëm madhështia e kulmit të botës, ndërsa përballë qëndron Mont Everest, i heshtur dhe madhështor.
Një fluturim shtesë me avion nëpër Himalaje (Kathamndu -Tribhuvan në Lukla –Tenzing&Hillary) përfshihet në ekspeditë, përderisa rrugëtimin tonë do ta shoqërojë edhe kultura etno-grafike , kulinare dhe mitologjike e rajonit; tufat e jakëve dhe tingujt tibetian janë pjesë e rrugëtimit tonë.
Ekspedita do të zhvillohet në muajin Nëntor 2022, zgjatë 18 ditë (komplet me fluturime) dhe shënon vazhdimin dhe zhvillimin e ekspeditave botërore nga Klubi Alpin Prishtina.
Ky trek përfshinë shtegtim nëpër Samargatha dhe fshatrat, grykat e kanjonet rrëzë Everestit; ka ecje nëpër shtigje të ndërtuara para mijëra vitesh ku takohen grupe shtegtarësh nga e gjithë bota, ka shumë vizita nëpër luginën Samargatha, Manastiret Tibetiane, Muranat e të Rënëve në Everest, Akullnajat Qiellore, Urat Tibetiane, Panding, Gorak Shep, Kalapathar, Tee Houses dhe tempujt hindu dhe budist të mbrojtura nga UNESKO në Kathmandu. KAP i ka marrë të gjitha masat që kjo ekspeditë e jashtëzakonshme të zhvillohet brenda parametrave etik dhe kulturor të turizmit të qëndrueshëm, në harmoni me kulturën tibetiane e nepaleze dhe rregullat bazike të shtegtimit turistik në Everest Base Camp dhe rajonet të cilat konsiderohen pasuri botërore.
Bashkohu me ne, shikoje botën me syrin e shtegtarit dhe pasionin e të jetuarit në harmoni me të panjohurën; tashmë është e mundur…”, shkruan në faqen KA Prishtina.