Kosova po përballet me zhvillime të shumta politike, për të cilat në një intervistë për gazetën “Bota sot” flet deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje.
Fillimisht, Haziri u shpreh se për dallim nga vitet e mëparshme, tani në Kosovë është krijuar një gjendje politike stabile.
Krahas kësaj, ai përmendi edhe projektet dhe vendimet që qeveria Kurti i ka marrë që nga ardhja e LVV-së në pushtet, ku u shpreh se atë që e ka realizuar qeveria Kurti, të tjerët nuk kanë arritur ta bëjnë për 20 vjet.
Po ashtu, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje komentoi edhe krizën energjetike dhe protestat e mbajtura për këtë çështje.
“Kriza energjetike ka prekur gati çdo vend të botës jo vetëm Kosovën. Pra, rritja e çmimit të rrymës nuk ka ndodhur vetëm në Kosovë, por në çdo vend. Kosova nuk ka qenë imune nga kjo krizë, do të ishte sikur qeveritë e mëhershme do ta bënin strategjinë dhe të punonin rreth rritjes së kapaciteteve ekzistuese për prodhimin e energjisë”, theksoi ai.
Ndërsa, sa i përket situatës tensionuese Rusi-Ukrainë dhe kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës, Haziri bëri të ditur se çështjen e sigurisë nga kërcënimet e jashtme që i kanosen Kosovës e kanë marrë përsipër faktorët ndërkombëtarë.
Intervista e plotë
Gazeta “Bota sot”: Si e shihni situatën politike në vend?
Fitim Haziri: Me përfundimin e zgjedhjeve në shkurt të vitit 2021, është krijuar një gjendje politike stabile në vend, e që ndryshon për nga vitet e mëhershme ku qeveria dhe mazhoranca kanë shumicën determinuese dhe janë në rrugë të mbarë qoftë në aspektin legjislativ qoftë atë ekzekutiv. Pra, me një fjalë jemi duke ecur në rrugë të mbarë pavarësisht sfidave që i kemi trashëguar.
“Bota sot”: Sipas jush, sa ka arritur qeveria Kurti t’i realizoj projektet dhe planet e saj deri më tani?
Haziri: Deri më tani nga ajo që është bërë edhe pse për një kohë të shkurtër, atë që e ka realizuar Qeveria Kurti, të tjerët nuk kanë arritur ta bëjnë për 20 vjet. Ne gjatë fushatës vazhdimisht kemi premtuar se do të kthejmë rend dhe sundim të ligjit dhe kjo po ndodhë. Çdo ditë shohim arrestime të personave që janë marrë me krim të organizuar dhe korrupsion dhe më pak se një vit nga qeverisja Kurti është bërë e mundur që Kosova është ngritur për 17 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit që publikohet çdo vit nga organizata “TransparancyInternational”. Kjo ka ndodhë për një kohë bukur të shkurtër, por ajo çka do të ndodhë brenda një mandati do të jetë befasuese për skeptikët. Në ditën kur e kemi marrë qeverisjen e kemi gjetur Kosovën me zero vaksina kundër Covidit dhe me zero kontrata të nënshkruara dhe tani kemi më shumë se 60% të popullatës të vaksinuar. Pra, me menaxhimin e pandemisë jemi shembull në rajon dhe në shumë vende të botës. Pastaj zhvillimi ekonomik me një rritje prej 9.9% sipas BQK-së e që askush as që ka besuar dhe as që e ka parashikuar, janë dyfishuar investimet e huaja direkte në Kosovë dhe kjo ka ndodhur krejt për shkak se është rritur besueshmëria në institucionet shtetërore të Kosovës. Është përmirësuar përfaqësimi i Kosovës në politikë bërjen e jashtme të Kosovës e shumë e shumë suksese të tjera qoftë në arsim, infrastrukturë e fusha të tjera.
“Bota sot”: Kosova këto ditë po ballafaqohet me krizë të energjisë elektrike, ku madje së fundi është rritur çmim i saj. Cili është qëndrimi juaj në lidhje me këtë temë.
Haziri: Kriza energjetike ka prekur gati çdo vend të botës jo vetëm Kosovën. Pra, rritja e çmimit të rrymës nuk ka ndodhur vetëm në Kosovë, por në çdo vend. Kosova nuk ka qenë imune nga kjo krizë, dhe nukdo të ishte sikur qeveritë e mëhershme ta bënin strategjinë dhe të punonin rreth rritjes së kapaciteteve ekzistuese për prodhimin e energjisë meqenëse të gjitha resurset qoftë natyrore qoftë humane Kosova i gëzon. Ajo çfarë ka bërë Qeveria në këtë kohë krize ku ka ndarë një shumë prej 90 milionë eurosh për subvencionimin e energjisë elektrike dhe kjo prekë më shumë se 70 % të amvisërive, të cilët shpenzojnë përafërsisht 800 këh. Ky subvencion prek edhe disa shtresa të shoqërisë që kanë më pak të ardhura ekonomike apo familjet me raste sociale.
“Bota sot”: Për shtrenjtim të energjisë elektrike është protestuar dhe po paralajmërohet se ato do të vazhdojnë. Cilët janë hapat e Qeverisë në këtë drejtim?
Haziri: Qytetarët e Republikës së Kosovës kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore jo vetëm për energji, por për çdo çështje që ata mendojnë se është e drejtë e tyre dhe këtë nuk mundet askush t’ia mohoj. Atë çka ka mundur Qeveria ta bëjë në këtë kohë krize të energjisë elektrike ka qenë subvencionimi me 90 milionë euro për ta mbuluar shtrenjtimin që ka ndodhur nga ana e ZRRE-së.
“Bota sot”: Nuk po mungojnë thirrjet nga opozita për revoltë popullore për rrëzimin e Qeverisë. Si i vlerësoni ato thirrje?
Haziri: Revolta popullore u vërejt më 14 shkurt 2021 kundër kësaj opozite që e ka sjellur Kosovën në këtë gjendje dhe kjo opozitë nuk ka një kauzë të drejtë dhe të sinqertë dhe çdo kauzë që nuk buron nga e drejta dhe sinqeriteti nuk ngjallë revoltë qytetare.
“Bota sot”: Si e shihni paralajmërimin e Rusisë për pushtimin e Ukrainës, a ka rrezik për një skenar të Serbisë në veri të Kosovës, rrezik të cilin e ka përmendur edhe NikoPeleshi, ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë. Çfarë po bëjnë institucionet për ta parandaluar atë?
Haziri: Ajo çfarë do të ndodhë në konfliktin në mes Rusisë dhe Ukrainës unë nuk e di. Mendoj se ne si Kosovë as nuk jemi faktor dhe as nuk kemi kapacitete të ndërhyjmë për ta përmirësuar gjendjen atje, por atë që e dimë është që Kosova pavarësisht kërcënimeve që na vijnë nga ana e Serbisë apo nga kushdo që jep opinione të tilla, mos të harrojmë se çështjen e sigurisë nga kërcënimet e jashtme që i kanosen Kosovës e kanë marrë përsipër faktorët ndërkombëtarë dhe ne si Qeveri që nga dita që kemi ardhur jemi fokusuar në forcimin e sigurisë së mbrojtjes qoftë me shtimin e buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes, qoftë me marrëveshjet ndërkombëtare që kemi arritur si me SHBA-në ashtu edhe me vendet e tjera.
“Bota sot”: Kosova ka përparuar për 17 vende në Indeksin e TransparencyInternational për sa i përket (luftës ndaj) korrupsionit. A ishte kjo përgjigja e duhur për të gjitha akuzat që qeveria Kurti nuk po e lufton korrupsionin?
Haziri: E theksova këtë edhe më lart në pyetjen e dytë, kjo e arritur ka ndodhur për një kohë më pak se një vit, por çka do të ndodhë brenda një mandati?! Jemi të vendosur që ndaj krimit dhe korrupsionit të ketë zero tolerancë, kushdo qoftë ai.
“Bota sot”: Dihet se pandemia mbetet një temë shumë e rëndësishme për mbarë vendin, si po e menaxhon Qeveria këtë situatë?
Haziri: Si është menaxhuar pandemia në një vend flasin shifrat, se ato janë matësit më të mirë. Jemi prej vendeve që kemi arritur për një kohë të shkurtër që të bëhet vaksinimi i mbi 60 % e popullsisë, në një kohë kur kemi marrë Qeverinë dhe Shtetin e kemi gjetur me zero vaksina dhe zero kontrata të vaksinave, ky është një matës i mirë i menaxhimit, matës tjetër nëse bëjmë krahasim me vendet e rajonit Kosova qëndron larg më mirë.
“Bota sot”: Cila është gjendja e mediave në Kosovë, a vazhdojnë të jenë të kapura shumica nga ish-pushteti?
Haziri: Mediat në Kosovë ushtrojnë detyrën e tyre pa i penguar askush dhe kanë të drejtë të shkruajnë pa i penguar askush. A janë të kapura nga ish-pushteti, s’do të doja të lëshohesha mbi këtë temë, por mund të them që ka pronarë mediash që e keqpërdorin median për “qepime”, e që sinqerisht nuk është formë e duhur, as për shoqërinë, median dhe gazetarinë.
“Bota sot”: Ka pasur reagime se në mënyrë të orkestruar sulmohen figura të caktuara, si presidentja Osmani, kryeministri Kurti etj…, si mund të ndryshojë situata?
Haziri: Kur në një lajm, sulmohet Presidentja apo Kryeministri apo kushdo qoftë, pa bazë dhe pa argument duhet të jetë një institucion i pavarur, i cili e bënë rregullimin e mediave të shkruara ashtu siç është KPM-ja për OSHMA-të dhe njëkohësisht bënë sanksionimin e atyre mediave që shkelin integritetin e cilido person pa bazë dhe pa argument. Secili sulm i orkestruar ndaj kujtdo është i dëmshëm, e sidomos kur këto bëhen nga mediat, që rrjedhimisht dalin nga misioni që ato duhet ta kenë në shoqëri.