Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka reaguar pas arrestimit të shefit të personelit në këtë komunë dhe zyrtarëve të tjerë.
Sipas VV-së, qyteti i Prishtinës është shndërruar në kampion të padrejtësisë.
“Arrestimi i Shefit të personelit të Komunës së Prishtinës, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Kryetarit Rama, ish-asamblisti dhe anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, z.Fadil Aliu – Hërtica, arrestimi i ish-Drejtorit të Qendres për Punë Sociale të Prishtinës, z.Vehbi Mujku, i dorëhequr ditë më parë, arrestimi i shefes së Njësisë së Shërbimeve Sociale, Znj.Valbona Makiqi, si dhe intervistimi i Nënkryetarit të Prishtinës, z.Alban Zogaj, është dëshmia më e mirë dhe e pakontestueshme e kaosit ligjor në të cilin është zhytur Komuna e Prishtinës.” – shkruhet fillimisht.
Tutje, në reagim VV-ja ka përmendur LDK-në dhe PDK-në, dy partitë që janë në koalicion në Komunën e Prishtinë.
“Si opozitë lokale vazhdimisht kemi ngritur zërin për parregullësitë dhe shkeljet ligjore që kanë ndodhur e vazhdojnë të ndodhin tash e dy vjet në çdo segment të qeverisjes në Kryeqytet. Prishtina tani, nën qeverisjen LDK-PDK, është shndrruar në qytet kampion për paligjshmëri, padrejtësi e anarki. Nuk ka dyshim se përgjegjësia kryesor për këtë gjendje bie mbi të parin e Kryeqytetit, Përparim Ramën, për shkak të veprimeve të tij paligjshme, e të cilat tashmë çdo ditë po shpërfaqen në opinion.” – shkruhet tutje.